E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mungesa e Ramës, përgjigje foshnjarake. Hiq dorë nga bastet personale”

23/06/2009  Nano-Meta bashkë për garën elektorale të 28 qershorit

Ish-lideri socialist Fatos Nano nuk kurseu kritikat në distancë për kreun aktual të PS-së Edi Rama. Pas radhitjes së arsyeve që sollën pjesëmarrjen e tij në tryezën e organizuar nga kryetari i LSI-së Ilir Meta për bashkëpunim mes forcave të majta, ish-kreu socialist dënoi ashpër refuzimin që i bëri një ftese të tillë kryetari Rama. “Unë besoj se, nëse je politikan i përgjegjshëm, nuk mund t’u përgjigjesh iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, nuk mund të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës, në një kohë kur edhe moda politike e kohës të çon në referenca ndaj zhurmës ‘Obama’, por megjithatë Obama dhe Hilari Klinton punojnë së bashku, ndërsa mungesat në këtë tryezë, me sa duket lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar, që mban të përçarë të majtën”, - u shpreh Nano gjatë fjalës së tij, duke zgjedhur për t’iu kundërvënë Ramës pikërisht përmes modelit “Obama”, frymë së cilës i është referuar kreu socialist. Nga ana tjetër, në formën e paralajmërimit, Nano i kujtoi Ramës zgjedhjet e 2005-s, kur e majta humbi vetëm për shkak të përçarjes. “Desha të theksoj në mënyrë të veçantë se nuk i kam ndërprerë takimet me socialistët dhe mesazhi shqetësues që vjen nga të katër anët e territorit të Shqipërisë është pikërisht mbështetja dhe çuarja përpara e kësaj fryme dhe bashkëpunimi midis liderëve të së majtës. Unë jam këtu edhe në emër të socialistëve dhe shpresoj se liderët e radhës do të kuptojnë përpara dhe pas 28 qershorit se nuk mund të ndërtohet një karrierë me përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë e vendit në gjendjen e foshnjërisë së sotme politike”, - deklaroi Nano. Sipas tij, e djathta me në krye Berishën u rikthye në drejtimin e vendit aksidentalisht për shkak të përçarjes 4 vjet më parë. Madje, në kontekst, ish-kreu socialist kërkoi ndjesë publike. “Të jem i sinqertë, unë nuk vuaj nga amnezia politike dhe nuk rreshtohem dot në asnjë front politik modern, të ri apo të paparë, që do fshinte kujtesën e gjithë së majtës evropianiste dhe progresiste në Shqipëri. Midis dy ndjesave, asaj për 18 vjet demokraci dhe zhvillimin drejt Europës dhe kësaj së dytës, pra ndjesa për 2005-n, unë preferoj këtë të dytën”, - vuri në dukje Nano. Nga ana tjetër Nano sqaroi se “nuk drejtohet kundër askujt kjo iniciativë, por është në dobi të të gjithëve, kemi pas thënë dikur se nuk kemi ç’i bëjmë fenomenit të vetëlargimit”. Qëndrime të tilla ish-kreu socialist i mbajti gjatë takimit me kryetarin e LSI-së Ilir Meta dhe kreun e PSV ’91 Petro Koçi, të cilët u mblodhën në një tryezë për të koordinuar përpjekjet me qëllim largimin e Berishës dhe fitoren e së majtës. Po meqë faktorët e tjerë të së majtës nuk preferuan të jenë pjesë e këtij takimi, përfshirë këtu dhe kreun socialist Edi Rama, kryetari i LSI-së bëri sërish apel për të bashkëpunuar, me qëllim që të realizohet synimi për të cilën u ndërmor kjo iniciativë. “Unë përsëri apeloj ndaj përfaqësuesve të PS-së që të reagojnë me pjekuri, me përgjegjësi dhe me konstruktivitet, sepse duhet hequr dorë një herë e mirë nga bastet personale”, - nënvizoi Meta. Gjithashtu, duke sqaruar lidhur me arsyet pse duhet të realizohet ky bashkëpunim, Meta vlerësoi se “shqetësimi im për këtë iniciativë përkon edhe me vetë shqetësimet e kryetarit të Partisë Socialiste për rrezikun e manipulimit dhe të grabitjes së votës nga Sali Berisha dhe pa dyshim që opozita e ka shumë më të thjeshtë që të përballojë një rrezik të tillë duke koordinuar përpjekjet, sesa duke mos i koordinuar”. Ndërsa sipas kreut të PSV ’91, Petro Koçi, nevojitet një reagim i përgjegjshëm e aktiv në ndërprerjen e mesazheve përçarëse dhe përjashtuese dhe në ndërtimin e një fushate përbashkuese, të një fushate që nxit optimizmin e fitores së socialistëve ndaj Sali Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›