E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat rurale problem në lindjet e shpejta

23/06/2009  Lindjet

Shkalla e lartë e varfërisë, kequshqyerja si dhe niveli i ulët kulturor i popullatës, kryesisht në zonat rurale, gjatë viteve të fundit ka ndikuar së tepërmi në rritjen e nivelit të vdekshmërisë te foshnjat që vijnë në jetë para kohe. Në një raportim të bërë nga mjekët e fushës është pohuar se vdekshmëria te lindjet para kohe rezulton të jetë jo pak, por rreth 40 herë më e lartë se vdekjet që ndodhin në lindjet normale. Gjithashtu rreth 70 për qind e fëmijëve që lindin para kohe vuajnë nga probleme të rënda të sistemit nervor apo të fizikut, që vijnë si pasojë e mosformimit të duhur që në barkun e nënës. Gjatë aktivitetit të zhvilluar mjekët gjinekologë kanë pohuar se instalimi i aparaturave të ekografive, që identifikojnë anomalitë prenatale, duhet të shtrihen dhe në rrethe, jo vetëm në kryeqytet, masë e cila do të ndikojë në uljen e këtij shqetësimi. Gjithashtu do të nisë trajnimi i specialisteve për zbatimin e metodave bashkëkohore për të shmangur dhimbjet që u shkakton familjeve ky problem.

Vizitat para lindjes

Studimi: Gratë janë indiferente

Në vendin tonë mungon kultura mjekësore e këshillimit të vazhdueshëm me mjekun specialist për ndjekjen e shtatzënisë, çka në shumë raste shfaqet me komplikacione të ndryshme te shëndeti i të porsalindurit. Sipas një studimi të fundit mbi shëndetin riprodhues në Shqipëri, rezulton se kujdesi shëndetësor i grave para lindjes është në nivele shqetësuese dhe renditet ndër më të ulëtit në Evropë dhe Azinë Qendrore. Ndërsa shifrat zyrtare tregojnë të kundërtën. Studimi vë në dukje se 1 në 5 gra që ka lindur në periudhën 1997–2002 nuk ka bërë asnjë vizitë para lindjes, e cila konsiderohet ndër më të lartat në rajon. Njëkohësisht studimi vë në dukje se 70 për qind e shërbimit antenatal ka qenë i papërshtatshëm (minimumi 4 vizita antenatale) dhe vetëm 1 në 5 gra është ndjekur edhe pas lindjes, gjatë fazës postnatale. Ndër arsyet e vdekshmërisë foshnjore dhe sëmundshmërisë në vendin tonë specialistët vlerësojnë nivelin arsimor dhe social ekonomik të nënës, por dhe mungesën e qendrave në zonat rurale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›