Prodhimi kundër krizës
Kriza ekonomike përbën tashmë një togfjalësh interesant për disa dhe ogurzi për shumë të tjerë, por nuk përbën më lajm. Kambanat e rrezikut të disa muajve më parë tashmë po veniten, ndërsa janë shpalosur defterët e recensionit me kapitujt përkatës të falimentit dhe bilancet e kapitullimit. Por vetë produktet e hidhura të kësaj krize në dukje të heshtur por në fakt të paralajmëruar, mund të shërbejnë si busulla për të kuptuar se cilët janë sektorët ku duhet hedhur një kamerdare shpëtimi, apo ata sektorë që ekzistojnë vetëm si koncepte, të cilët duhen krijuar nga e para. Disa nga shenjat më të dukshme të krizës relevante për një vlerësim apriori lidhen pikërisht me paratë që hyjnë në ekonominë e vendit.
Të ardhurat që hyjnë në ekonominë e vendit karakterizohet nga parashikime të zymta për këtë vit. Dhe jo vetëm parashikime. Nëse i referohemi shifrave vërehet se të ardhurat nga emigracioni - burimi kryesor i parave që hyjnë në vend - kanë marrë një pikiatë të frikshme që në 2008-ën. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2007 u regjistruan rreth 947 milionë euro remitanca, ndërsa në 2008-ën kjo shifër ra në rreth 800 milionë euro, duke shënuar një diferencë prej rreth 147 milionë eurosh. Ndërsa për këtë vit, parashikimet janë edhe më të këqija. BSH është shprehur sakaq për një rënie të mëtejshme të remitancave, ndonëse statistika zyrtare ende nuk ka.
Edhe eksportet nuk duken mirë. Duke iu referuar statistikave të fundit, për periudhën janar-shkurt 2009, eksportet kanë shënuar një rënie prej 13%, krahasuar me të njëjtën periudhë, një vit më parë. Sipas Institutit të Statistikave, rënia e regjistruar vjen kryesisht nga industria minerare dhe nga industria e fasonit të tekstil-lëkurës, kjo e fundit me material porositës. Punësimi në këta sektorë është goditur tashmë me qindra vende pune të faktuara, ndërsa të dhëna jo zyrtare flasin për mijëra. Ndërkaq, duket se nuk janë prekur eksportet e produkteve ushqimore, madje grupi i mallrave që përfaqëson këtë kategori ka regjistruar një rritje të lehtë, pavarësisht vëllimit tepër modest që këto produkte zënë në totalin e eksporteve. Ky mund të jetë një tregues domethënës, me një logjikë të vetën pas shifrave.
Një shembull relevant lidhet me rivlerësimin që iu bë rreth dy vite më parë shportës së mallrave të konsumit nga INSTAT. Një ndër ndryshimet më të rëndësishme lidhej pikërisht me uljen e peshës që zinin mallrat me karakter ushqimor në vëllimin total të shportës. Arsyeja është e thjeshtë. Me rritjen e standardit të jetesës, ushqimet zënë një vend shumë më të vogël në totalin e shpenzimeve familjare sesa 15 vjet më parë, për shembull. Për konsumatorin evropian, ky standard është edhe më i dukshëm. Ndaj, në kushtet e krizës ekonomike botërore, ulja e shpenzimeve familjare në Perëndim ka prekur kryesisht industrinë e shërbimeve dhe atë të mallrave që nuk kanë karakter jetik, por jo veçanërisht industrinë ushqimore.
Dhe duke qenë se shkëmbimet tregtare të Shqipërisë orientohen në një masë shumë të rëndësishme drejt Eurozonës, me gati 80% të totalit të vëllimit tregtar, BE-ja duhet konsideruar si tregu i natyrshëm i eksporteve shqiptare. Sidomos i atyre me karakter ushqimor. Në raport me situatën e krijuar tashmë në ekonominë e vendit, rreth tre vjet më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi ndoshta për herë të parë se fluksi i paqëndrueshëm i të ardhurave nga emigracioni do të ulej një ditë, çka do të rezultonte në një situatë të vështirë për ekonominë e vendit, duke marrë parasysh bilancin tregtar sakaq në gjendje mjerane. Sigurisht që FMN nuk kishte nënkuptuar e as parashikuar që paralajmërimi do të faktohej si pasojë e një krize ekonomike planetare, por nga ana tjetër ky institucion theksoi forcimin e sektorit prodhues vendas, sidomos atë bujqësor-ushqimor me qëllim, zëvendësimin e parave të emigrantëve me para nga eksporti. Skenari i vjetër i FMN merr kuptim të veçantë sot, kur rastësisht, ndërsa kriza ka prekur paratë e emigracionit nuk ka prekur eksportet me karakter ushqimor.
Nga ana tjetër, prodhimi vendas bujqësor nuk ka marrë kurrë vëmendjen e merituar në nivel menaxhimi strategjik e teknik. Sektorë si peshkimi dhe molusqet, duhen ringritur nga fillimi sepse për grupin e parë vëllimet dhe kapacitetet aktuale teknologjike janë në nivele zhvillimi të gjysmë-shekulli më parë, ndërsa ekzistojnë barriera plotësisht të tejkalueshme me karakter administrativ për të garantuar eksportin për grupin e dytë.
Sytë nga prodhimi
“Nevojiten masa financiare për të nxitur ata sektorë, të cilët praktikisht nuk kanë asnjë lloj pengese burokratike për të prodhuar dhe eksportuar, sikundër është sektori i peshkimit dhe ai i fruta-perimeve”, - thotë përpunuesi dhe eksportuesi Alban Zusi, duke iu referuar domosdoshmërisë së ngritjes të një sistemi të mirëfilltë prodhimi-përpunimi dhe eksporti. Zusi, i njohur edhe për rolin e tij tepër aktiv gjatë negociatave me Bashkimin Evropian për disa produkte vendase në kuadër të marrëveshjeve të tregtisë me “Kontinentin e Vjetër”, thekson se pikërisht në këtë moment, nuk është koha vetëm për nisma lehtësuese ndaj biznesit, por pikësëpari edhe për të ndikuar në ekonomi me investime të qëndrueshme në ata sektorë që janë më pak të zhvilluar, por që nuk bartin kosto reale nga kriza.
“Për sa i përket sektorit të peshkimit, mjafton të injektohen 2 deri në 3 milionë euro dhe menjëherë krijohet një treg i barabartë me po kaq para sa investohen, veçanërisht për lloje peshku si açuget, sardelet dhe skumuri”, - thotë Zusi. Ai sqaron se produkti do të ishte i gjithi i gatshëm për t’u përpunuar sepse industria përkatëse ekziston dhe vetë këto industri ekzistuese mund të investojnë menjëherë në teknologji shtesë për përpunim të mëtejshëm. Në fakt, kapacitetet ekzistuese përpunuese aktualisht po përpunojnë peshk që importohet nga Kroacia nga Maroku.
Operatorët e sektorit vërejnë se një ndërhyrje e tillë do të garantonte punësimin e rreth 500 njerëzve. I gjithë investimi i nevojshëm, të paktën për sektorin e peshkimit lidhet me nevojën e pajisjeve të përshtatshme për të garantuar gjuetinë e peshqve që nuk mund të gjuhen në mënyrë tradicionale, siç është rasti i açuges, për shembull, peshk i cili në detet shqiptare e mbyll ciklin e jetës vetëm nga shkaqe natyrore, për sa kohë nuk e është e mundur të gjuhet me pajisjet që peshkatarët vendas kanë aktualisht në dispozicion.
“Pajisja e flotës ekzistuese me mjete të përshtatshme për këtë lloj gjuetie do të rizgjonte një sektor të fjetur të prodhimit vendas, si dhe do të bënte që lënda e parë e ushqimeve të përpunuara me bazë peshkun, të sigurohej në vend”, - vëren Zusi. Sipërmarrësi sugjeron se ky injektim financiar mund të realizohet në formë të kombinuar granti dhe huaje me terma të butë. Gjithashtu, ai shprehet i bindur se xhiroja si fillim do të përkojë me vlerën e investimit, brenda harkut kohor të një viti dhe më pas do të ndjekë ritmet e natyrshme të rritjes duke e tejkaluar shumën fillestare.
Nga ana tjetër, nevojiten përpjekje të bashkuara për heqjen e barrierave administrative të karakterit të standardeve të sigurisë ushqimore për prodhime si molusqet, nënproduktet e mishit dhe të qumështit. “Duhet komisionuar një shërbim i specializuar për të realizuar arritjen e standardeve. Vetëm nga eksporti i molusqeve, ekonomia e vendit mund të përfitojë rreth 5 milionë euro në vit duke punësuar rreth 500 njerëz”, - vëren eksportuesi. Duke dhënë një shembull klasik, ai tregon se për shembull, industria e prodhimit të sallamit në Shqipëri operon me erëza, lëndë organike dhe mish që vjen nga stabilimente të certifikuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa kompanitë vendase që prodhojnë produktin përfundimtar ndonëse kanë kërkesë për ta shitur jashtë, nuk e shesin dot. Në këtë pikë nevojitet më shumë punë ndaj barrierave ekzistuese për të eksportuar drejt tregjeve evropiane. Një arsye pse nuk eksportohet është sepse ka ende mangësi në kapacitetet dokumentuese dhe monitoruese në vend. Megjithatë, vitet e fundit është bërë një punë paraprake në këtë drejtim. Pala shqiptaren bashkëpunim me Komisionin Evropian ka ndërmarrë hapa konkrete në ngritjen e një autoriteti të pavarur të sigurisë ushqimore. Ka përfunduar sakaq regjistrimi dhe matrikulimi i gjedhit në të gjithë vendit, duke numëruar rreth 700 mijë krerë dhe tashmë po nis puna me bagëtitë e imta.
Eksporti i fruta-perimeve, po ashtu vuan nga probleme të zgjidhshme teknike. Vetëm nga mungesa e impianteve të ngrirjes dhe ruajtjes nuk realizohen dot eksporte të mirëfillta. Zusi sqaron se prodhuesit janë të vegjël dhe nuk arrijnë të mbushin vetëm një trailer të plotë. Një prodhues vendas i këtij sektori mund të realizojë maksimumi 10 ton produkt, por një trailer kërkon 25 ton që të mbushet. Si rrjedhojë magazinimi në kushte optimale të ruajtjes së këtyre produkteve është i domosdoshëm, në mënyrë që disa eksportues të vegjël së bashku të kenë mundësi të bashkojë sasitë dhe të mundësojnë tregtinë jashtë vendit. Një frigorifer i tillë në fakt, kushton rreth 100 mijë euro dhe mjafton për 5 ferma. Edhe në këtë pikë, ndihma nga shteti mund të sigurohet në një formë të kombinuar grant dhe kredi. Shembuj të tjerë të shumtë ekzistojnë në këtë drejtim, por pikësëpari nevojitet një tablo menaxhuese strategjike nga institucionet përkatëse.
Zusi sqaron se ndihma e shtetit është e domosdoshme pikërisht për të mundësuar investime që sektori privat i ka të vështira t’i ndërmarrë i vetëm për shkak të ritmit të ngadaltë të kthimit të investimit. “Sigurisht që investime të tilla do të jenë rentabël dhe do ta kthejnë mbrapsht vlerën e investuar, por koha e kthimit të investimit është gjithashtu shumë e rëndësishme. Dhe në rastin e këtyre projekteve, koha e kthimit të investimit është relativisht e gjatë, çka nuk përbën lajm të mirë për asnjë investitor privat, duke qenë se nevoja për likuiditet është gjithnjë e pranishme”, - thekson Zusi. Ai shton se zgjidhja më racionale është ajo e kombinimit të ndihmës financiare shtetërore me investimet private, duke ringjallur kështu, apo duke krijuar nga e para kapacitete eksportuese ende të pashfrytëzuara. “Sot për sot ekziston blerësi dhe lënda e parë, por jo mundësitë për t’i bashkuar këta në një sistem funksional rentabël, ndaj nevojitet përshpejtimi i proceseve që ndryshe mund të kërkonin edhe një dekadë. E gjitha kushton disa milionë euro, ndaj mund dhe duhet të bëhet”, - përfundon eksportuesi.