Skandal, kalon pa kuorum licenca e katërt celulare
Skandali me dhënien e licencës së katërt të operatorit celular në vend është thelluar ditën e djeshme, duke përfshirë dhe parlamentin e Shqipërisë.
Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese e ka miratuar projektligjin që i ka dërguar qeveria vetëm me votat e mazhorancës, e cila, për shkak se nuk arrinte kuorumin e nevojshëm, ka marrë dy deputetë zëvendësues të komisionit për ta kaluar me urgjencë projektligjin. Deputetët e opozitës kanë bojkotuar këtë komision, siç kanë bojkotuar dhe të tjera aktivitete të Kuvendit, për shkak së janë shprehur se nuk do marrin pjesë në Kuvend, derisa të marrë zgjidhje çështja e kartave të identitetit. Megjithatë, një nga deputetët e PS, Erion Braçe, kishte shprehur rezerva në lidhje me dhënien e kësaj licence, por duhet theksuar se nuk ka pasur një qëndrim të fortë dhe të koordinuar të opozitës për këtë çështje.
Pas miratimit në këtë komision të projektligjit, do jetë seanca ajo që do vendosë për fatin e licencës së katërt të operatorit celular. Qeveria, e cila kishte miratuar kalimin pa tender të kësaj licence te një konsorcium i udhëhequr nga Post Telekomunikacioni i Kosovës, ia ka dërguar parlamentit ligjin, për ta bërë ai zyrtarisht këtë shkelje.
Vetëm anëtari i PDK në komision, Frrok Gjini, ka theksuar se, dhënia e licencës për PTK përbën shkelje për shkak se gjithçka është bërë pa garë. Duke e konsideruar miratimin e projektligjit si një hap me nxitim në prag fushate, Gjini është shprehur se votën e tij “pro” këtij projektligji do ta shpjegojë në parlament.
***
Mazhoranca ka nxituar ta kalojë projektligjin në seancë, në kohë rekord dhe duke shkelur rregulloren. Pa praninë e opozitës, mazhoranca ka vendosur të mbledhë Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, për të kaluar projektin për dhënien në përdorim të operatorit të katërt të telefonisë celulare një bashkimi ofertuesish të përfaqësuar nga Postë-Telekomunikacioni i Kosovës, në përbërje të së cilit janë Union Grup, Infosoft system, Albania Drink Distribution, si dhe ACI Engineering sh. p. k. Jashtë kalendarit të punimeve dhe në shkelje të hapur të rregullores, e cila parashikon që një projektligj futet një herë në kalendarin e punimeve, më pas miratohet nga Kuvendi dhe pastaj kalon për miratim në komisione, shumica në pushtet ka kapërcyer të gjitha procedurat dhe e ka çuar atë për miratim në komisionin përgjegjës. Projekti mbërriti në Kuvend vetëm ditën e premte, më 17 prill, çka do të thotë se ka hyrë në procedura në një kohë rekord.
Qeveria ka shkelur direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e telekomunikacioneve duke dhënë licencën e operatorit të katërt celular pa procedurë tenderimi. Në rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve përcaktohet qartë se brezat “GSM” jepen detyrimisht me tender. Ndërkohë që qeveria i ka dhënë në përdorim frekuencën për 15 vjet Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, i cili ka vetëm 30 për qind të aksioneve në këtë blerje. Pjesa e tjetër u përket aksionerëve shqiptarë, të cilët, pas marrjes së licencës, sipas marrëveshjes, do e largojnë PTK, e cila kështu përdoret si mbulesë.
Në grupin e aksionerëve shqiptare bie në sy se shumica janë të njëjtët aksionerë të kompanisë Supersport.