Prodhohet karta e parë biometrike, Berisha përuron qendrën
>Është përuruar dje Qendra e Personalizimit të Letërnjoftimeve Biometrike dhe Pasaportave Elektronike, e cila startoi procesin e prodhimit të letërnjoftimit të parë biometrik, që i korrespondon personit të parë që ka bërë aplikimin për marrjen e këtij dokumenti. Duke e cilësuar këtë si një ditë të veçantë, të cilën shqiptarët e presin prej 10 vitesh, Kryeministri Berisha i cili mori pjesë në këtë ceremoni, tha se ky projekt ka përbërë prioritetin absolut të qeverisë shqiptare.
"Ky është një projekt me vlerë rreth 30 milionë euro, por është më i rëndësishmi edhe nga pikëpamja cilësore, pasi është një projekt që pajis qytetarët shqiptarë me dokumentet më moderne të identitetit, duke vendosur një nga standardet më të mira të kontinentit për identifikimin e qytetarëve", u shpreh kryeministri Breisha, sipas të cilit, vlerat he rrjedhojat e vendosjes së këtij sistemi identifikimi janë të një rëndësie të jashtëzakonshme duke i vlerësuar ato si shtyllat e suksesit të procesit të modernizimit të këtij vendi. Duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur realizimin e këtij projekti, kryeministri Berisha vlerësoi se pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet e reja dhe pasaportat biometrike është një moment i rëndësishëm që do të modernizojë në tërësi shërbimet në institucionet e tjera të vendit duke filluar nga pagimi i taksave e deri tek sigurimet shëndetësore. Menaxheri i Përgjithshëm i Aleat, Jean-Alain Joun shprehu kënaqësinë që brenda një kohe të shkurtër u arrit rikonstruksioni i ambienteve të ish- Topografisë Ushtarake, ku do të prodhohen Letërnjoftimet dhe Pasaportat e reja Biometrike. Kompania Aleat është një sipërmarrje e krijuar nga bashkëpunimi i Sagem Securite (SAFRAN Group) dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i kontraktuar nëpërmjet një marrëveshje 5- vjeçare koncesionare nga qeveria shqiptare në korrik të vitit 2008, për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave biometrike dhe pasaportave elektronike të një cilësie të lartë për të gjithë qytetarët shqiptarë.