Prodi: Lehtësia në legalizimin e emigrantëve
Autori i Lajmit: Red.Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Nju Jork një takim të veçantë me Kryeministrin italian, Romano Prodi. Të dy personalitetet ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat dhe shprehën angazhimin e përbashkët dhe vendosmërinë për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe popujve tanë. Gjatë këtij takimi, Kryeministri italian Prodi siguroi Kryeministrin Berisha se Italia do të mbështesë fuqishëm dhe në mënyrë aktive anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri italian vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e Qeverisë shqiptare në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe shprehu mbështetjen e plotë për reformat e ndërmarra nga Qeveria në fusha të ndryshme.Duke u ndalur në çështjet ekonomike, Kryeministri italian u shpreh se do të kërkojë nxitjen e biznesit italian për të investuar në Shqipëri, si vendi më i përshtatshëm për investime, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve te ngushta reciproke. Në këtë kuadër, zoti Prodi ngriti çështjen e ripërsëritjes së marrëvshjes së vitit 1991, si një marrveshje shumë e vlefshme për investimet e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, Prodi u shpreh me nota optimiste për emigrantët shqiptarë, punën dhe legalizmin e tyre.Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e vlerësoi Prodin si një mik shumë të çmuar të shqiptarëve dhe mbrojtës të madh të përpjekjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të ndërtuar demokracinë dhe shoqërinë e lirë. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha u shpreh se “ndihma e Italisë ka qenë shumë e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë dhe të ardhmes së Shqipërisë”.Berisha e falënderoi gjithashtu Prodin për kontributin e tij personal në mbështetje të përpjekjeve integruese të Shqipërisë, duke shprehur vendosmërinë e tij për realizimin e kontratës së shqiptarëve me BE-në dhe përmbushjen e plotë të MSA-së. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen zotit Prodi për mbështetjen e dhënë emigrantëve shqiptarë në përpjekjet e tyre për integrim në vendin fqinj.Të dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për Kosovën. Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Prodi për qëndrimin e rëndësishëm dhe shumë pozitiv që Italia adapton në zgjidhjen e këtij problemi.Gjatë bisedimeve, Kryeministri italian Romano Prodi shprehu kënaqësinë që do të vizitojë përsëri vendin tonë.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007