E Shtunë, 31 Tetor 2026

TI: Shqipëria vendi më i korruptuar në rajon

Autori i Lajmit: Suela TopiShqipëria është vendi më i korruptuar në rajon. Ky konkluzion është nxjerrë nga raporti i Transparency International për vitin 2007, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 100- 105 së bashku me vende të tilla si Xhibuti, Burkina Faso, Bolivia dhe Argjentina. Sipas përfaqësuesit të këtij organizmi në vendin tonë, Kreshnik Spahiu, pjesa më negative e vlerësimit të TI mbetet fakti se Shqipëria mbetet vendi më i korruptuar mes vendeve të rajonit. “Duke patur parasysh këto vlerësime TI rekomandon përfundimin e menjëhershëm dhe vënien në zbatim të strategjisë antikorrupsion të nisur nga qeveria. Së dyti mbështetjen dhe realizimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi”, - tha Spahiu. Ai theksoi se duhet të thellohet transparenca në funksionimin dhe organizimin e administratës publike që në shumë raste funksionon si bunker i mbyllur si dhe përmirësimin e punës në sektorin publik ku rryshfeti mbetet faktor shqetësues.
Sondazhi
Transparency International publikoi dje indeksin e përvitshëm të perceptimit të korrupsionit, i cili përfshin dhe ka shtrirje në 180 vende të botës. Për më shumë se 5 vjet, Shqipëria ka qenë pjesë e këtij indeksi. Në vitin 2003 nga 133 vende Shqipëria ishte në vendin e 92, në vitin 2004 nga 145 vende ishte në vendin 108, në vitin 2005 nga 158 vende ishte e renditur në vendin e 126 ndërsa në vitin 2006 kur në sonazhin e Transparency International ishin përfshirë 163 shtete, vendi ynë është renditur i 111. Për këtë vit, pra për 2007, Shqipëria ka një përmirësim në renditje si dhe në koeficientet e vlerësimit. Vendi ynë renditet në kuotat nga vendi i 100 deri në të 105 dhe vlerësohet me koeficientin 2.9. Indeksi i këtij viti ka një besueshmëri të lartë edhe për faktin se për vlerësimin e kuotave të Shqipërisë, janë përdorur 6 burime të ndryshme informacioni, si dhe sondazhet më profesionale të njohura deri më sot. Burimet e studimit dhe informacionit për Shqipërinë kanë qenë Bertelsmann Indeksi i Transformimit, CPIA: Vlerësimi Institucional dhe i politikave nga IDA dhe IBRD, EIU: Ekonomist, Njësia e Inteligjencës, Freedom House. GI: Global Insights (Ish -qendra botërore për kërkimet e tregut) dhe ËEF: Raporti i Konkurrencës Globale (Forumi Ekonomik Botëror). Shqipëria renditet në të njëjtat kuota me Argjentinën, Bolivinë, Burkina Faso, Djibuti dhe Egjiptin. Pjesa më negative e këtij vlerësimi është se Shqipëria ende figuron si vendi më i korruptuar në rajon, madje edhe Maqedonia e cila është e parafundit, paraqitet afro 20 shkallë më lart se Shqipëria në renditje.

Rekomandimet e TI Albania

Transparency International duke u bazuar në sondazhin e saj të fundit, për vendi tonë rekomandon shpalljen dhe vënien menjëherë në zbatim të strategjisë anti-korrupsion, nga ana e qeverisë, mbështetjen dhe realizimin e menjëhershëm të reformave të propozuara nga Presidenti i Republikës, në lidhje me reformën në drejtësi si dhe thellimin e transparencës, në funksionimin dhe organizimin e administratës publike. Përfaqësuesi i TI në Shqipëri, Spahiu pohoi gjithashtu se duhet të përmirësohet puna në sektorët e shërbimit publik, ku ryshfeti mbetet në nivele shqetësuese, duhet të rritet forca ndëshkuese ndaj korrupsionit brenda administratës, të zgjerohet lufta kundër korrupsionit edhe në çështje me ndjeshmëri kombëtare siç është e drejta e pronës si dhe të ndryshohen politikat penale nga prokuroritë dhe të rritet cilësia e gjykimit nga ana e gjyqësorit. “Pastrimi i prokurorisë dhe gjykatave nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe rritja e zbatueshmërisë së ndëshkimeve penale ndaj korrupsionit si dhe thellimi dhe vendosja në axhendë e transparencës në financimin e partive politike, veçanërisht gjatë fushatave elektorale”, - tha Spahiu.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›