Qëndrimet bllokuese nuk i shërbejnë stabilitetit
Autori i Lajmit: Red.Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vijon takimet bilaterale me homologë të vendeve të ndryshme që marrin pjesë në punimet e Sesionit të 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.Pas seancës së hapjes të punimeve të saj dhe fjalës së mbajtur nga Presidenti Bush, ministri Basha zhvilloi një takim pune me ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, me të cilin u shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme me interes të ndërsjelltë, si në atë ekonomike, energjitike dhe arsimore.Vend të rëndësishëm në këtë takim zuri çështja e Kosovës. Duke e njohur me qëndrimin e Shqipërisë mbi statusin përfundimtar të Kosovës, Ministri Basha theksoi rëndësinë e zgjidhjes se statusit përfundimtar në fund të periudhës 120 ditore, si një domosdoshmëri për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.Ministri Basha vuri në dukje se Plani i Ahtisaarit përbën një bazë reale për zgjidhjen e drejtë dhe të qëndrueshme të statusit përfundimtar të Kosovës dhe garanton në mënyrë të plotë dhe të paprecedentë të drejtat e pakicave. Ai shtoi se qëndrimet bllokuese nuk i kontribuojnë zgjidhjes së drejtë të kësaj çështjeje dhe as stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007