E Shtunë, 31 Tetor 2026

Produkti Made in Albania mbush 62 vjet

Historiku i barnave

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ndiente një nevojë tepër urgjente për barna (medikamente), të cilat ishin të pamundura të importoheshin për arsye të mungesave financiare.
Për këtë arsye, në vitin 1948, në mjediset e spitalit të Tiranës u ngrit një laborator farmaceutik, i cili do të fillonte prodhimin e barnave shqiptare, duke u nisur nga preparati me elementarë, uji i distiluar. Ky laborator më vonë u kthye në një Ndërmarrje të Prodhimeve Farmaceutike. Në vitin 1955 në periferi të Tiranës u ngrit ndërtesa sipas një projekti bullgar dhe filloi prodhimi, në sasi të vogla, i tabletave, preparateve galenike dhe organo – terapeutike. Kështu filloi të marrë formë ndërmarrja e parë e prodhimeve farmaceutike shqiptare, e cila me kalimin e kohës do të plotësohej me prodhimin e artikujve sterile, si tretësira të injektueshme, garza sterile, prodhime kozmetike. Në të njëjtën kohë u ngrit dhe nisi të funksionojë laboratori i analizave fiziko – kimike – mikrobiologjike, i cili do të analizonte në bazë të farmakopeve të huaja, sovjetike, rumune, lëndët e para që futeshin në prodhim dhe produktin e gatshëm. Një hap i rëndësishëm cilësor u krye më pas në ngritjen e Repartit Eksperimental, i cili do të eksperimentonte artikujt e rinj, duke i pajisur ato me procese teknologjike dhe kushte teknike, të cilat u shndërruan më vonë në standarde shtetërore për secilin preparat të prodhuar. Personeli që hodhi themelet e kësaj industrie të re farmaceutike shqiptare kanë qenë farmacistë të shkolluar jashtë vendit si Fadil Kotoni, Ndreko Kasapi, Elmaz Konjari, Pirro Goda. Ky personel u pasurua në vitet 1964 – 1965, e më tej me farmacistë të diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Farmaci, të cilët e vunë prodhimin farmaceutik në baza të vërteta shkencore. Në këtë periudhe (vitet ‘60-‘70) industria shqiptare e farmaceutikës mori nga ana strukturore pamjen që ka edhe sot. Hapi cilësor dhe shkencor i prodhimit të barnave u hodh në vitin 2000 duke iu përshtatur ekonomisë së tregut për sa i përket prodhimit, duke iu referuar normave ndërkombëtare të GMP-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›