Parlamenti heq parate e merites dhe statusit
Akti normativ i qeverisë, që ul përfitimet e 7400 ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm, shkaktoi debate të forta në Kuvend, ndërkohë që ka indinjuar të gjithë ish-punonjësit e Forcave të Armatosura. Për më tepër akti normativ është një dokument, i cili është publikuar pak ditë më parë në sajtin zyrtar të Qendrës së Publikimeve Zyrtare, ndërkohë që nuk ishte diskutuar dhe miratuar në Parlament. Kjo do të thotë se ende pa u diskutuar në Parlament, është vendosur që ushtarakëve t’u merren paratë që Gjykata Kushtetuese ua dha në bazë të ligjit, meritës dhe statusit. Kërkesat e ushtarakëve nga disa prej deputetëve të mazhorancës janë votuar në vitin 2005, ndërkohë që janë nëpërkëmbur dje po prej këtyre figurave. Opozita e ka cilësuar të turpshme, vendimin e publikuar në QPZ ende para miratimit, hipokrizinë e deputetëve që kanë votuar në 2005 pro ushtarakëve dhe në 2010 kundër tyre, si dhe deklaratat e tyre tregojnë padije të parlamentarëve dhe mungesë të theksuar informacioni lidhur me ligjet, Gjykatën Kushtetuese e të drejtat e njeriut. Ministri i Financave tha se qëndrimi i opozitës është demagogji për përfitime politike. “11517 veta të marrin sa dyfishi i 118 mijë fshatarëve që kanë punuar gjithë jetën në bujqësi. Ku i keni parë juve këto?”, theksoi Bode. Por Pandeli Majko tha se ajo që po bën demagogji është qeveria dhe jo opozita. “Ky ligj, në maj të 2005-s është diskutuar në komisione parlamentare dhe ka kaluar në Parlament me 100% të votave, përfshirë tënden. Dhe menjëherë sapo erdhe, the se kjo është vonë”, u shpreh Majko
Deklaratat“Një pensionist i dalë në mënyrë të parakohshme del në pension duke marrë 80 për qind të pagës referuese. Ndërkohë që punonjësi në detyrë merr më pak se 80 për qind. Atëherë më thoni pse duhet të qëndrojnë në detyrë dhe të punojnë ata që kanë 15 vjet punë kur duke ndenjur në shtëpi, mund të marrin 5 për qind më shumë nga paga ku ata punojnë”, tha ministri i Financave, Ridvan Bode.
“Sot këtu ka kolegë që e dinë shumë mirë se pensionet nuk janë për 11 mijë vetat njëlloj, janë të diferencuara. Nuk mund të marrësh këtu, për të hedhur hi sy Parlamentit, pensionin më të madh të një gjenerali që është nomenklaturë e Presidentit”, tha Pandeli Majko. “Është për t’u habitur që kjo mazhorancë, e para është antikushtetuese, e dyta ka qëndrim anjerëzor dhe e treta është cinike me një pjesë të shoqërisë së saj. Pse është antikushtetuese? Sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të ketë problemet e tij, por deklarata e parë e juaj në këtë Parlament ishte alogjike dhe shqetësuese për mentalitetin tuaj qeverisës. Duhet të kërkoni një zgjidhje më të plotë ligjore”.
ProtestaSeanca parlamentare që shqyrtoi pensionet e ish-ushtarakëve, u parapri nga protesta e ish-punonjësve të Forcave të Armatosura, përpara selisë së Parlamentit. Ushtarakët i kanë bërë thirrje qeverisë të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pensionet e tyre, duke u kërcënuar se në rast të kundërt nuk do të ndalin protestat. Ish-ushtarakët e kundërshtojnë aktin normativ të qeverisë, që ndryshe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese u jep pension më të ulët. Kushtetuesja mori vendimin që ushtarakët që lirohen në mënyrë të parakohshme të marrin pension 80% të pagës që kanë pasur, por kjo për qeverinë është e padrejtë, pasi ata janë përfitues më të mëdhenj se ata që shërbejnë në detyrë, për shkak të taksimit të pagës së tyre.
Kryetari i Shoqatës së Ish-ushtarakëve, Medi Pogaçe, i bëri dje thirrje të gjitha partive parlamentare për të mos votuar aktin normativ të cilin e cilësoi si “famëkeq”. “Iu mohon të drejtën kushtetuese, ligjore dhe morale ushtarakëve në pension, në lirim dhe në rezervë. Nga ky akt normativ preken të gjitha kategoritë, por më shumë ata që pensioni i parakohshëm, pasi atyre i është hequr dhe e drejta e profesionit, nuk mund të bëjnë një punë të dytë, ndërkohë që kanë një familje për të mbajtur”, tha Pogaçe.