Shperthime ne dy ambasada te huaja ne Rome
Disa bomba kanë shpërthyer dje në disa ambasada të huaja në Itali. Policia italiane po kryen kontrolle në të gjitha ambasadat e huaja pas shpërthimeve. Pako me bomba shpërthyen të enjten në ambasadën zvicerane dhe atë kiliane në kryeqytetin e Italisë. Njoftohet për dy persona të lënduar. Një punonjës i ambasadës zvicerane është lënduar rëndë duke hapur pakon që përmbante eksplozivin. Brenda pak orësh një bombë e dytë shpërtheu në ambasadën kiliane. Më herët gjatë javës një pako që dyshohej se ishte bombë u gjet në një tren bosh të metrosë së qytetit, por policia tha se ajo nuk përmbante as eksploziv dhe as detonator. Ministria e Jashtme e Italisë ka konfirmuar se një pako kishte shpërthyer në ambasadën zvicerane, e cila ndodhet pranë lagjes së pasur periferike Parioli, në veri të qytetit. Policia thotë se një person ishte dërguar në spital me lëndime të rënda në të dy duart. Është shprehur frikë për mundësinë e sulmeve nga ana e “Al-Kaedës” në Europë në periudhën e Krishtlindjeve, por deri tani nuk ka prova se shpërthimet kanë lidhje me ndonjë organizatë a grup të caktuar. Sipas gazetës së përditshme të qendrës së djathtë “Corriere della Sera”, hetimet e para janë bërë duke pasur në fokus anarkistët dhe terroristë të tjerë. “Detektivët janë duke vlerësuar shumë hipoteza në lidhej me autorët e këtyre shpërthimeve të planifikuara, të cilat mund të kryhen nga anarkistë në lidhje me burgosjen e disa anarkistëve të tjerë në burgjet zvicerane”.