E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, arrestohet bariu piroman, Isuf Miftari

Dy net më parë u dogjën plotësisht 40 ha kullotë, duke rrezikuar seriozisht pyllin që ndodhej aty pranë. Vetëm gjatë mëngjesit të djeshëm zjarri u shua, ndërkohë që policia mundi t’i vërë prangat bariut piroman, Isuf Miftari. Policia e Gjirokastrës ka vënë menjëherë në pranga autorin e zjarrit të dy netëve më parë në fshatin Qesorakë, ku u shkrumbuan rreth 40 hektarë kullota. Ai është Isuf Miftari, lindur në Librazhd dhe banues në fshatin Dhokast të Gjirokastrës. Miftari punonte si bari në fshatin Dhokast dhe ishte duke kullotur lopët e fshatit në vendin e quajtur Manastiri i fshatit Qesorakë dhe rreth orës 18:00, i ka vënë zjarrin një parcele me bar. Zjarri është përhapur në një sipërfaqe të madhe dhe menjëherë në vendngjarje kanë shkuar 2 automjete të repartit zjarrfikës, forcat e policisë dhe të pyjores. Zjarrfikësit e kanë patur të pamundur të ndërhyjnë më tej për shkak të terrenit tejet të vështirë. Si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur në disa drejtime duke përfshirë një sipërfaqe kullote prej 40 hektarësh dhe për këtë arsye ishte e pamundur vënia e tij nën kontroll. Megjithatë, nga ndërhyrja në kohë e këtyre forcave u bë e mundur që të shpëtohen 20 krerë të lopëve që ishin duke kullotur në këto parcela si dhe të një ndërtese “ish-hangarin e duhanit”. Rreth orës 01:00 të mëngjesit, forcat e policisë së bashku me banorët e fshatit Krinë të cilët kanë dalë të gjithë në ndihmë të zjarrëfikseve dhe policisë pyjore, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit i cili po përparonte në drejtim të pyllit të këtij fshati. Forcat e policisë së bashku me disa banorë të fshatit kanë bërë të mundur që me mjete rrethanore të shpëtojnë disa parcela me vreshta, të cilat ishin shumë afër zjarrit. Zjarri mundi të lokalizohet, të ndalet dhe të shuhet pas disa orësh, ndërkohë që bilanci i sipërfaqes së djegur është në përmasa të mëdha, konkretisht 40 ha kullotë. Sipas burimeve policore, zjarri është vënë nën kontroll dhe janë shuar disa drejtime të tij, ndërkohë që ka mbetur një vatër zjarri, e cila është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik. Po sipas të dhënave të policisë, zjarri mësohet të jetë vënë nga bariu me qëllim ripërtëritjen e kullotave, por që për fat të keq i kapërceu përmasat duke shkrumbuar 40 ha kullotë dhe duke rrezikuar pyllin pranë. Nga ana e policisë është bërë arrestimi i tij, me akuzën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Policia pyjore, por edhe ajo e rendit nuk kanë reshtur gjatë këtyre kohëve duke i bërë thirrje komunitetit që të mos ndërmarrin hapa të tilla, pasi do të ketë penalizime. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër nuk do të tolerojë asnjë shtetas që me dashje apo pa dashje shkakton djegien e pyjeve apo të kullotave. I bëjmë edhe një herë thirrje komunitetit që të tregohet i kujdesshëm në këtë drejtim dhe në raste të konstatimit të vatrave të zjarrit të kontribuojë për shuarjen e zjarrit dhe për evidentimin e autorëve”, - kanë deklaruar dje burime zyrtare pranë kësaj drejtorie.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›