E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionalet, tani shkolla mashkullore

Të mesmet profesionale ndonëse janë çelur e vazhdojnë të hapen të reja në qytete të ndryshme të vendit janë shndërruar në shkolla mashkullore. Numri i vajzave që studiojnë në aulat e tyre është reduktuar ndjeshëm, krahasuar me mesataren e dikurshme të para viteve ‘90. "Është ulur ndjeshëm numri i vajzave. Në rreth 700 nxënës që ka shkolla gjithsej në 5 vitet e saj vetëm 40 janë vajza", shprehet drejtori i teknikes elektrike në Tiranë, Ilia Zguro. Ai kujton vitin 1972 ku plot 50 për qind e nxënësve të shkollave profesionale kanë qenë vajza. Më së shumti në degët e elektronikës dhe telekomunikacionit. Ai shton se institucione të tilla si KESH, apo Albtelekomi kanë pasur një numër të madh punonjësesh femra, falë arsimimit të tyre profesional pranë këtyre shkollave. Politeknikumi "17 Nëntori", ka qenë shkolla në të cilën përgatiteshin specialistët elektronikë, të ndërlidhjes, elektrikë, mekanikë etj. Aty nuk kanë munguar as degët e drurit, madje edhe ato të metalurgjisë. Më pas ajo u reduktua në degën elektrike që përfshinte elektronikën dhe ndërlidhjen, si dhe në degën mekanike, ku përgatiteshin mekanikë të përgjithshëm dhe ata të transportit. Pas 1983-it, ajo u nda në dy shkolla të tjera. Në shkollën e industrisë mekanike dhe në shkollën e mesme elektrike.

Pas shumë lëvizjeve nga njëri vend në tjetrin, në vitin 2002 një nga pasardhëset e politeknikumit "17 Nëntori" është edhe shkolla teknike elektrike me status kombëtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›