E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionalet, "shansi i humbur" i të rinjve

Dikur duhej të kishe miqësi që të mund të rregulloje njërin nga fëmijët në shkollat e mesme profesionale. E natyrisht e domosdoshme ishte edhe një mesatare e lartë. Ndërsa sot, më pak se 16 për qind e nxënësve, që mbarojnë arsimin 9-vjeçar preferojnë të trokasin në këto shkolla. Deformimi i tregut të punës, si dhe ndryshimi i kohëzgjatjes së tyre në tre vjet, pa të drejtë arsimi të lartë, ishin goditjet kryesore të pasviteve ‘90. Kështu shprehet Ilia Zguro, drejtor i shkollës teknike elektrike në kryeqytet. Sipas këtij veterani të shkollës profesionale, kjo u shoqërua me rënien e interesit të nxënësve cilësorë, si dhe me largimin masiv të mësuesve të kualifikuar, në drejtim të kompanive private, për paga më të mira.

Aktualisht, një pjesë e shkollave të mesme profesionale ndjekin një cikël arsimor 5-vjeçar. Të rinjtë që frekuentojnë këto shkolla, tashmë kanë të drejtë që të konkurrojnë edhe për në universitete. Specialisti i arsimit profesional në Ministrinë e Arsimit pohon se "në kuadër të përfshirjes në vitin shkollor 2008-2009 të klasës së nëntë në arsimin e detyruar, u përcaktua gjatë këtij viti struktura e re e shkollave të mesme profesionale". Por, edhe ata nxënës të profesionaleve, që nuk ecin me ambicien për të shkuar në fakultete, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre të gjimnazeve, dalin në jetë me një profesion. Vetëm në shkollën teknike elektrike përgatiten teknikë për instalime civile, ato në ambientet e industrisë, riparimin e pajisjeve elektroshtëpiake, por edhe teknikë për nënstacionet elektrike për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tyre, madje edhe për hidrocentrale. Kjo shkollë është e ndarë në tri drejtime kryesore: elektrike e përgjithshme, elektronike e përgjithshme dhe telekomunikacion.

Përfitimet

Specialisti i MASH, Sotir Rrapi, sqaron përfitimet e nxënësve që ndjekin shkollat profesionale. Ai thekson se me to fillon një përgatitje me bazë të gjerë, që vijon me specializime në nivele më të larta. Sipas tij, ka një përshtatshmëri të lartë të këtyre të rinjve ndaj kërkesave në ndryshim të tregut të profesioneve, në nivelin e punësimit të tyre. Frekuentimi i profesionaleve mundëson mobilitet horizontal kah shkolla e mesme e përgjithshme dhe anasjelltas e natyrisht edhe ndjekjen e arsimit të lartë.

Specialistët e arsimit nënvizojnë faktin se të mesmet profesionale "sigurojnë kompetencat themelore të një profesioni, kurse vetë mjeshtëria e profesionit arrihet më tej me përvojë në punë ose me kurse të tjera të specializuara". Një tjetër pikë që i shtohet CV-së së profesionaleve për një grup të caktuar të rinjsh që u drejtohen të mesmeve është edhe ndarja e tyre në blloqe. Specialistët e MASH-it bëjnë të ditur se në strukturën e re të këtyre shkollave të mesme, secili bllok përfundon me një nivel profesional. Gjithashtu, ai siguron dalje në tregun e punës, por pa kufizuar mundësitë në vazhdimësi për kualifikime të mëtejshme.

Shqetësimi

Megjithatë, duket se përballja e të rinjve për në universitete nuk është në kushte të barabarta. Bëhet fjalë për grupin e më të mirëve të shkollave të mesme profesionale, një pjesë e madhe e të cilëve fokusohen në Universitetin Politeknik të Tiranës. Drejtori i shkollës teknike elektrike, Ilia Zguro, shprehet se "për të fituar degën e Elektroteknikës, në Universitetin Politeknik, në lëndët me zgjedhje është vendosur fizika dhe anglishtja. Ndërkohë që, gjimnazet realisht në programet e tyre kanë më tepër orë mësimi për këto lëndë, sidomos për anglishten, sesa një shkollë profesionale". Por, sipas tij, nxënësit e profesionaleve studiojnë si lëndë të veçantë elektroteknikën. "Ata kanë informacion dhe njohuri që nuk i kanë bashkëmoshatarët e tyre të të përgjithshmeve", thotë Zguro, duke pohuar edhe nivelin e dijeve të tyre më të avancuara në këtë drejtim. Megjithatë, në lëndët me zgjedhje nuk është përcaktuar asnjë materie e tillë, që të favorizojë për në shkollat e larta edhe nxënësit e profesionaleve. "Ndaj duhet menduar edhe për këtë kontingjent specialistësh që duan t‘i drejtohen Politeknikut. Të krijohet një shans për ta", shprehet drejtori Zguri, në mbrojtje të nxënësve që përgatiten në shkollën që ai drejton.

Duke vijuar me këtë shqetësim, ai argumenton më tej duke thënë se "ka elementë të mirë për në universitet, pasi nuk i pranojmë të gjitha kërkesat, jemi shkollë me planifikime". Çdo vit në këtë të mesme profesionale pranohen 150 nxënës. 100 janë nga Tirana dhe 50 të tjerë nga rrethet. Numrin më të lartë të nxënësve në shkollën teknike elektrike e zënë nxënësit nga Tropoja. Këtë vit ata janë 40 gjithsej, ndërkohë që nga rrethet e tjera janë më pak. Problem mbetet fakti se nga Tirana nuk vijnë shumë nxënës cilësorë. Maksimumi me notën mesatare 8.

Drejtuesit e profesionaleve vlerësojnë se përveç investimeve që janë duke u kryer në laboratorë të rinj dhe pajisje teknike mjaft i rëndësishëm është edhe ai për mësuesit e kualifikuar. Kjo për faktin se ata nuk duhet të largohen nga këto shkolla profesionale që kanë nevojë për eksperiencën dhe dijet e tyre. "Ata duhen stimuluar që të punojnë dhe të ofrojnë dijet e tyre, në mënyrë që të përgatiten nxënës apo specialistë e teknikë sa më cilësorë nga shkollat tona", shprehet drejtori Zguri. A. Rr.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›