E Diel, 1 Nëntor 2026

Profesorë që firmosin si militantë

Nga Klodiana Spahiu - deputete e PS-së

Keqardhja që kam ndjerë këto ditë është burim i këtyre rreshtave kushtuar “intelektualëve shqiptarë”. Tek lexoja emrat e firmëtarëve, ku pjesën më të madhe e zinin mjekët që fatmirësisht i njoh, më shtohej edhe më shumë keqardhja për ta, por edhe për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Kudo dhe kurdoherë jam përpjekur të respektoj dhe mbroj figurën e mjekut, sepse në të vërtetë është një profesion që të shton fisnikërinë dhe reputacionin, kur punon me ndershmëri e pastërti. Fatkeqësisht figura e mjekut në këto vite është depersonalizuar shpeshherë edhe me pa të drejtë duke larë haraçet e këtij dreq sistemi që i ka kthyer mjekët në armiq me qytetarët. Sali Berisha nuk është ngopur me kaq.

Së fundmi kërkon medoemos të mbjellë përçarjen sa të mundet edhe midis mjekësh, duke i ndarë në dy kampe dhe detyrimisht për shumë arsye shtohet kampi i atyre që kërkojnë të jenë afër pushtetit. Diku frika për humbjen e vendit të punës, diku presioni për të marrë një titull shkencor, diku presioni për akuza mitmarrjesh, i ka detyruar të gjthë personelin shëndetësor që të mos ndihen për asgjë, për kushtet skandaloze ku punojnë, për mungesat e theksuara në medikamente, për vjedhjet dhe abuzimet ekstreme në sektorin e shëndetësisë. Nuk mjafton vetëm që të jenë të nënshtruar, por duhet t’i bëjnë edhe fresk këtij pushteti të diskretituar. Një pjesë edhe mund të mos e kenë lexuar fare, duke firmosur për arsyet e lartpërmendura, ndaj për qytetarët që nuk kanë pasur “fatin “ta nënshkruajnë po citoj disa rreshta:

“Ai që kërkon të na rreshtojë nga prapambetja, nga kulturat e pafrytshme dhe të padobishme, nga “as këndej e as andej”, ai që do të bëjë lojën e vjetër e të fëlliqtë, aroma e së cilës na i ka qelbur livadhet e shpresës jo rrallëherë gjatë historisë sonë, ka për të fituar ndëshkimin e Zotit dhe të shpirtrave libertinë shqiptarë. Liria jonë s’ka çmim. Dinjiteti ynë duhet të jetë i pacenueshëm. Nuk mundet më të shihemi nga të tjerët si qytetarë të dorës së fundit. Kjo është fyese për fëmijët tanë. Këtë, ne nuk e falim. Ata nuk mund të rriten më me modelin fytyrështrembër të së kaluarës. Mjaft më! Z.Rama, hiqe pritën! Z. Rama lejo deputetët të votojnë 3 LIGJET!” thuhet në peticion. Vetëm frymë intelektuale nuk ka në këtë peticion. Kush mendon që liria nuk ka çmim duhet ta kërkojë në atdheun e vet.

Kush kërkon dinjitet, duhet ta gëzojë në atdheun e vet. Kush mendon për fëmijët dhe brezin e ri që po rritet, duhet t’i thotë stop këtij regjimi autokratik që e ka lënë brezin e ri të pashpresë, duke shtuar radhët e të papunëve edhe pse me diploma në xhep. Kush kërkon të ushtrojë profesionin me dinjitet në atdheun e vet duhet të insistojë në depolitizimin e institucioneve shtetërore, që janë kthyer në strofkulla militantësh. Në radhë të parë mjekët duhet të jenë intelektualët e parë që t’i bëjnë ballë këtij presioni të pafalshëm që po bëjnë sot njerëzit e pushtetit.

Kjo fletushkë prej disa ditësh ka shëtitur derë më derë nëpër qendrat shëndetësore duke i detyruar dhe kërcënuar me vendin e punës atë që nuk e firmos. Po të jeni të sigurtë, të nderuar kolegë se nuk do të jetë e largët dita kur edhe ju të punoni të qetë në profesionin tuaj. Kur ju të nderuar profesorë të mos bëni rolin e militantëve të kujtdo partie në pushtet se jeni njerez të respektuar që edukoni një plejadë të tërë mjekësh të rinj. Shpresoj të kem mirëkuptimin e shumë miqve, që për arsyet e lartpërmendura janë bërë pjesë e pseudopeticionit Salistiform. Në emër të atdheut e të integrimit duhet të bashkohemi të gjithë për t’i thënë Jo pseudodemokracisë në këtë vend.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›