E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaria dhe sistemi paralel i vlerave tona

Nga Muharrem Nitaj

Shqiptarët gjatë historisë së tyre kanë qenë edhe leninistë, edhe stalinistë, edhe enveristë, edhe rankoviqistë, edhe titistë e deri te mbështetës të Millosheviqit dhe për habinë e tyre, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga avangardizmi, duke krijuar elita intelektuale e patriotike, kombëtare e të moderuara, mbi parimin e avangardës komuniste. Me gjasë bashkëjetesa që shqiptarët, gjithmonë e deri vonë, e kanë pasur me pushtuesit e tyre, i ka bërë ata që të kenë një marrëdhënie të çuditshme me diktaturat madje duke përdorur modelet e tyre si formë funksionimi. Paul Johnston në dy vëllimet e librit të tij "Modern Times", ku ai flet për Leninin, dhe duke profilizuar "zinë" e tij, shkruante sesi komunistët e kishin tjetërsuar edhe moralin familjar duke e mbytur e vrarë deri në skajin e amoralitetit, madje duke mbrojtur edhe teorinë, se as nëna nuk mund të jetë ndryshe nga çdo femër tjetër. "Ktheja nënës 9 litra qumësht që ia ke pirë dhe merre për grua", është përmendur për të parën herë nga Marksi, duke u përshkruar se ky mund të ishte borxhi më i madh që ata mund ta kishin ndaj një qenieje njerëzore, duke mos e përjashtuar as atë që i ka lindur.

Në shoqëritë që kanë qenë të lidhura me komunizmin, duke përfshirë të gjitha shtetet e lindjes e deri te dy shtetet shqiptare dhe komunitetet e tyre përreth, meritokracia dhe mediokriteti kanë qenë dy shtyllat e avngardizmit. Në 10 vjetët e fundit në Kosovë dhe në dyfishin e tyre në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër, është krijuar sistemi paralel i vlerave që sot është shndërruar në avangardë. Ata që ishin mësues para vitit 2000, sot janë me PHD dhe janë elita e fuqisë që vendosë për vlerat e të tjerëve dhe për pozitën që mund ta kenë ata në avangardën shqiptare. Normalistët ose "ngelcanat" filloristë, sot janë bërë doktorë shkencash dhe " vrajnë e kthjellin" në komuna e në asamble, në institute e në parlament, në akademi e deri në universitet. Robin Hudët e kohës moderne shqiptare janë bërë Shaban Memijat dhe Xhabir Zharkët...

Ky farë standardi, ndoshta mund të jetë i ngjashëm me "Banality of evel" (banaliteti i djallit) të Hannah Arendt, në "Eichmann in Jerusalem", ku instinkti shtazarak përcakton raportet në mes njerëzve. "Rrno për me tregue" e At Zef Pllumbit, sigurisht se shkon edhe përtej "Kohëve moderne" të Poul Johnston e "banalitetit të djallit" të Hanah Arendt, për të kuptuar "shpirtzinë" shqiptare në raport me kohët dhe me njerëzit. Ka pasur një rrëfim të një "burri të madh" që ishte nëpërkëmbur nga të pabesët e tij, se si i kishte thënë shokut të qelisë "këta na shkërdhyen o vlla", dhe që ai ia kishte kthyer "po, na shkërdhyen, por edhe në i pamë cullak". Nuk e di nëse sot është e mjaftueshme që përballë "banalitetit të djallit" të jetë e mjaftueshme që të "rrnojmë për më tregue" apo të mjaftohemi vetëm me faktin se si po i shohim " cullak" përditë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›