E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profili turistik i Sarandës tërheq vëmendjen e studiuesve austriakë

Profili turistik i Sarandës tërheq vëmendjen shkencore, studiuese dhe projektuese të tre personaliteteve nga Austria, që vizituan së fundi qytetin jugperëndimor, ku morën përsipër bashkëpunimin me Bashkinë e qytetit për projekte të perspektivës. Profesor Dr. Norbert Bahll, president i Lidhjes Europiane të mjekësisë sportive, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Europian dhe dekan në universitetin e Vjenës. Dr. Ring Baker, drejtues i kompanisë më të madhe në Europë për projektimin dhe manaxhimin e sistemit të hoteleve Velnes dhe autor i realizimit të projekteve për Lojërat Olimpike në Soçi (Rusi) dhe inxhinieri Aleks Chiari, drejtues i kompanisë dhe autor i disa projekteve në fushën e turizmit. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka u prezantoi miqve vjenezë kuadrin ligjor të decentralizimit që i jep kompetenca qeverisjeve vendore për të realizuar projekte për perspektivën e zhvillimit të qytetit, investimet e kryera, mes të cilave, rikonstruksioni në  stadiumin e futbollit, modernizimi i fushës së lojërave me dorë, projekti i ndërtimit të një pishine olimpike, etj. Kryebashkiaku Gjoka, duke i konsideruar personalitetet nga Vjena si ambasadorë të Sarandës, i ftoi të jenë të pranishëm në Mbledhjen e Forumit Ekonomik të Crans Montanës, që do të zhvillohet në 14 shtatori në Sarandë. Profesor Doktor Norbert Bahll vlerësoi se kryebashkiaku Gjoka është njeriu i duhur i qytetit, njeri i vendimeve që priren nga dëshira për ti dhënë hapësira dhe impulse zhvillimi qytetit. Nën këtë përcaktim Bahll mori përsipër projekte bashkëkohore, që do të realizohen në partneritet me këtë bashki. Ai e quajti këtë bashkëpunim një sfidë për të ardhmen. "Ekziston një mundësi gjigande marketimi për zhvillimin e turizmit shëndetësor dhe të kohës së lirë,në Sarandë", u shpreh Bahll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›