Korçë, 75 familje të pastreha përfitojnë kredi për blerjen e apartamenteve
Problemi i strehimit në qytetin e Korçës, ku janë të regjistruara rreth 1500 familje të pastreha, po shkon drejt zbutjes me zbatimin e tre projekteve në ndihmë të tyre. Rreth 75 familje të pastreha në qytetin e Korçës do të përfitojnë kredi për blerje apartamentesh me afat shlyerjeje deri në 30 vjet dhe pagimin e interesave nga ana e shtetit, pasi këtë muaj do të shqyrtohet projekti i blerjes së apartamenteve me kredi.
Përgjegjësi i zyrës së strehimit në Bashki, Vaskë Thimio, bëri të ditur se nëpërmjet këtij projekti parashikohet të përfitojnë apartamente 75 familje të pastreha. Deri tani, sipas Thimios, kanë aplikuar me kërkesat e tyre 50 familje. Sipas tij, një komision i ngritur nga bashkia nëpërmjet sistemit të pikëzimit do të përzgjedhë familjet më në nevojë për strehim dhe më pas, do të jetë këshilli bashkiak që do të vendosë se cilat prej tyre do të fitojnë të drejtën për blerje apartamentesh me kredi. Për qytetarët që do të përzgjidhen do të jepen kredi në vlerë 2.8 milion për apartamente 2 plus 1 dhe kredi 2.2 milion lekë për apartamente 1 plus 1. Thimio sqaroi se përfituesit e kredisë do të paguajnë 40% të vlerës së banesës, ndërsa interesin prej 3% të kredisë në Bankën Kombëtare e paguan si detyrim shteti. Në fund të muajit Qershor në qytetin e Korçës fillon ndërtimi i 5 pallateve për strehimin e 136 familjeve të pastreha në qytet, ku në tre prej tyre do të strehohen 96 familje në banesa të tipit me kosto të ulët dhe me qira dhe 40 të tjera në dy pallate që ndërtohen nga Enti i Banesave me fonde nga buxheti i shtetit. Për ndërtimin e pallateve për të pastrehët janë caktuar sheshet e ndërtimit.