E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profondizmi i Jetullah Halitit - Etit

11/08/2010 Akademia e Arteve dhe Instituti i Arteve “Profondiste - Eti”, në bashkëpunim me galerinë “Jozef”, shëtitorja “Taulantia” në Durrës, organizon ekspozitën personale të artistit kosovar Jetullah Halitit – Etit. Ekspozita do të hapet më 20 gusht dhe në të do të ekspozohen piktura të punuara vitet e fundit nga ky artist.

Krijimtaria e artistit Jetullah Halitit është një teatër modern me skena të absurdit të Joneskos dhe të Beketit, dhe ky absurd është i thellë dhe në esencë ka një të vërtetë triumfuse. Qëllimi është zhytja në thellësi dhe ikja në sipërfaqe e ngjyrosur mu me atë thellësi.

Tri ngjyrat e Etit

Ngjyra më e preferuara e artistit Halititi, të cilin shkurt e thërrasin “Eti”, është e bardha, ngase kjo ngjyrë është te veza, te sinqeriteti, pafajësia, te velloja e nuseve, te gëzimi, hareja, te plisi, te qefini i Rugovasve. Por jo rastësisht Eti e gjen shpirtin e tij te kjo ngjyrë. Kjo ngjyrë e pastër pasqyron edhe pastërtinë, ose thënë më bukur, fshinë brengat, vuajtjet, na liron nga energjia negative, andaj Eti më shumë e gjen sekretin e artit te kjo ngjyrë mistike, te kjo ngjyrë engjëllore, e cila mban edhe aromën e engjëjve. Ndërkaq ngjyra tjetër që e shqetëson piktorin Eti është e kuqja, ngjyra e gjakut, e historisë, ngjyra e flamurit, vullkaneve, të cilat, kur shuhen, krijojnë toka të reja, e në këto toka të reja artisti Eti zhytet i tëri pas sekreteve dhe përmes brushës ai kërkon një zgjidhje ose na paralajmëron me një këshillë të lartë. Por edhe e kaltra ngritet si një betejë në pëlhurën e Etit, ajo nganjëherë është e ftohët, e thellë, e kthjellët, kufizuese e formave, një qiell pa kufi, por nuk ngulfatet nga ngjyrat e tjera. Të gjitha këto ngjyra, si një ombrellë ngriten në pentagramin e Etit, ato kanë tinguj dhe secili tingull nga një shkronjë më vete.

“Ngrohja globale”, “Shkrirja e akullnajave”, “Trekëndëshi i Bermudës”

Ky cikël është një teatër avangardë, që prek majat e absurdit dhe në asnjë çast nuk të lë të qetë, të jesh pjesë e një finaleje reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek Herakliti, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”, domethënë fitues na del ajri dhe këtë frymë mistike Eti na e shfaq dukshëm nëpërmjet potezave të brushës, që janë tejet shpërthyese dhe që nuk mund të lirohen nga e kuqja gjakatare, ose armikja e natyrës dhe humbësja e së pangjyrës. Në disa pjesë të ngrohjes e bardha ngrihet në këtë betejës si diçka shpëtuese, por prapëseprapë është kufizuar nga një e vërtetë e pandryshueshme, absolute në teorinë e vet magjike. Ndërkaq te “Shkrirja e akullnajave” një vdekje më e bardhë, më qetësuese, më e lehtë, disi tinëzisht ngre optimizmin, duke e rrënuar teorinë e zezë të vdekjes me një zëvendësim gëzimi. Pikërisht këtu hasim në teorinë e filozofit Fridrih Nieçe, që thotë: “Përdore dhimbjen si një instrument gëzimi”, e këtë instrument gëzimi Eti në formë simbolike e gjen tek e bardha, e cila nuk është aq e ashpër, por një vrasëse e buzëqeshur. Kjo ngjyrë e përdorur konfliktin kryesor e ka me të zezën, nga e skuqura e tepërt ka fituar një të zezë të përkryer.

Shpirtin e pastër të Etit nuk e lë të qetë edhe misteri më i madh në botë: “Trekëndëshi i Bermudës”, dhe këtë mister ai e pasqyron si diçka të vërtetë, që ka raporte në këtë kohë.

Profondizmi

Të tërë artin e tij krijuesi Eti e përfundon me stilin e quajtur “profondizëm”. Mesazhi i profondizmit është i thellë, i paskajshëm, nuk mund t’ia gjesh fundin, sepse artisti nuk ia përcakton fillimin, dhe në esencë ende nuk dihet pikënisja që të vendoset finalja.

Postmodernia e Etit e quajtur “profondizëm” tentohet të trajtohet dhe të hulumtohet nga disa kritikë të artit, shqiptarë dhe të huaj. Në këto tentativa, të cilat duhen përgëzuar, por dhe pranuar se janë fillesë, synohet zbërthimi i disa prej veprave më të arrira të Etit, duke gërshetuar analizën ideore konkrete, me tentativën për ta zbërthyer teorikisht. Në profondizëm nxirret në pah dominimi i brendësisë dhe i thellësisë së krijimit mbi formën e shfaqjes, përndryshe të paraqitjes.

Postmodernia profondiste etiane vështrohet nga disa pozicione a këndvështrime, që lidhen me tematikën, me poetikën, me metodën, kulturën, stilin dhe krahasimin. Studimi mbi këtë stil a rrymë, i cili duam apo s’duam ne është sipërfaqësor, tani për tani ka marrë formën e piketave apo tezave për studime zbërthime, analiza, debate të thukëta.

Artistët e vërtetë modernistë nuk e kanë të vështirë ta pranojnë postmodernen. Përkundrazi, ata e pohojnë, e njohin dhe jo pak herë e afirmojnë si një realitet, duke e quajtur “piktura e së ardhmes”.

“Perënditë me kokë poshtë” në kinemanë e Arkivit

Komedia amerikane e vitit 1980 “Perënditë me kokë poshtë” shfaqet gjatë mesditës së sotme në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Me regji të Jamie Uys, nën interpretimin e aktorëve Marius Weyers, Sandra Prinsloo, Nixau, Louw Verwey, Michael Thys, Nic De Jager etj., filmi sjell historinë e një fisi që jeton në një nga shkretëtirat e Kalaharit. Ata nuk njohin gjë tjetër në botë vetëm vendin rreth e rrotull tyre dhe bëjnë një jetë krejt primitive me rregullat e veta të brendshme, jetë që u sjell bushmenëve gëzim dhe mirëkuptim. Po kur Kin, njëri nga bushmenët, gjen një shishe “Coca”, qetësia e fisit fillon të prishet. Njerëzit zihen kush ta marrë më parë për ta vënë në përdorim për punë të ndryshme. I pari i vendit vendos që Kin të shkojë e ta hedhë shishen në fund të botës, që të mos ketë grindje në fis. Kështu, Kin nis rrugën e vështirë të kërkimit të fundit të botës. Në rrugë e sipër ai takon njerëzit e civilizuar, të cilët e akuzojnë atë për vjedhje dhe e futin në burg. Bushmenit Kin i vjen në ndihmë profesori natyralist Endrju Stein, i cili e liron nga burgu dhe e merr si ndihmës të tij. Pas peripecive të botës së civilizuar Kin kthehet përsëri në vendin e tij, ku mbretëron qetësia, mirëkuptimi dhe lumturia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›