E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, si plotësohet vjetërsia e punës

11/08/2010 Me sigurimin vullnetar qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë mund të marrin pension

Me 15 vjet punë përfitohet pension i pjesshëm. Kategoritë më të interesuara

Të gjithë personat që kanë vite të munguara pune mund ti plotësojnë ato në mënyrë vullnetare për të përfituar pagesën e plotë të pensionit, ose për të mos humbur vitet e punës kur ata nuk arrijnë kufirin e duhur të përfitimit. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, ka shpjeguar dje për “Shekullin” se është drejt përfundimit një manual sa më praktik për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të njihen me procedurat e pagesës së sigurimit vullnetar. “Janë shumë persona që kanë vite pune në Shqipëri, por që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit, të cilët mund të përfitojnë pensione duke derdhur pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore në mënyrë vullnetare. Me anë të kësaj pagese të gjithë personat që jetojnë jashtë dhe kanë periudha të paplotësuara të vjetërsisë në punë mund ti plotësojnë ato dhe të marrin pension në Shqipëri”, - shprehet Balluku, duke theksuar se kjo kategori punonjësish, që janë emigrantë dhe që plotësojnë edhe vitet e punës në Shqipëri, ndryshe nga të tjerët, mund të përfitojë dy pensione pleqërie në kohën që do të kenë plotësuar moshën dhe vitet e nevojshme të punës, pasi mund të marrin pension si në Shqipëri, ashtu dhe në vendin ku jetojnë. “Dua të theksoj se kategoria më i interesuar është ajo pjesë e emigrantëve në prag të pensionit që ka pasur vite pune në Shqipëri, por që nuk i ka plotësuar vitet e duhura për të hyrë në skemë, apo vitet e plota për të përfituar pension të plotë”, - shprehet Balluku, i cili ka shpjeguar se përmes kontakteve me disa patronate në Itali është bërë e mundur që shumë emigrantë të njoftohen edhe në mënyrë online për procedurat e sigurimit. Ndërkaq, sipas Ballukut, emigrantët, edhe pse ndodhen jashtë shtetit, mund të autorizojnë të afërmit e tyre për të lidhur marrëveshje me strukturat e ISSH-së. Kjo marrëveshje do të lidhet në nënqarkun ku ka banuar i interesuari dhe ku mund të ketë të arkivuar dhe vjetërsi në punë nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm. Aktualisht pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820. Pra, është 21.6% e kësaj page. “Nëse dikush dëshiron të plotësojë vitet e shkuara, ai do ti paguajë me këtë masë kontributesh. Ndërkohë që, nëse do të paguajë për vitet e ardhshme, ai ka një zbritje deri në 6 % kur paguan për të gjithë vitin”, - ka shpjeguar Balluku. Sipas Ballukut, kjo pagesë shërben për të gjitha llojet e pensioneve: pensionin pleqërie, invaliditeti dhe familjar. “Ndërkaq pagesa vullnetare lejon edhe pagesën për pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara”, - ka shpjeguar drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH.

Ata që derdhin kontribute dhe përfshihen në skemë, marrin pension maksimal

Skema e sigurimit vullnetar, çfarë përfitohet

Kategoritë që mund të paguajnë. Ja llojet e përfitimeve për qytetarët

Nga skema e sigurimit vullnetar përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ende nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar. Gjithashtu pjesë e skemës mund të bëhen personat që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Por edhe personat që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rritin të ardhurat e tyre mund të bëjnë pagesa. Nga ana tjetër, mund të përfshihen në skemën e sigurimit vullnetar edhe personat që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi. Të gjithë qytetarët që janë të përfshirë në skemën e sigurimit vullnetar mund të përfitojnë pension bazë të pleqërisë, pension të pjesshëm të pleqërisë, pension të reduktuar të pleqërisë, pension invaliditeti si dhe pension të pjesshëm invalidideti. Ndërkohë personi i siguruar për vitin korrent dhe që ka paguar kontribute deri në nivelin maksimal, pasi plotëson kushtet e ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është përfitues i pensionit të pleqërisë mbi kufirin e pensionit bazë si dhe i dyfishit të pensionit bazë të pleqërisë.

Procedura, si paguhet sigurimi vullnetar

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontributeve Naim Balluku, personi i interesuar për sigurim vullnetar duhet të paraqitet në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore të qytetit ku ai banon dhe duhet të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar për këtë pagesë duhet të ketë me vete fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik. “Pasi bihet dakord për pagesën sipas procedurës së përshkruar dhe bëhet pagesa nga qytetari, inspektori i sigurimit vullnetar të agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re, në qoftë se nuk ka”, - shprehet Balluku. Masa aktuale e kontributit të sigurimit vullnetar është 3633 lekë në muaj, e cila shumëzohet për 12 muaj dhe më pas me vitet që paguhen për të nxjerrë shumën e plotë për detyrimin.

Sigurimi vullnetar, ja sa paguhet nga të interesuarit

Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje. Pra, nëse pagesa bëhet vjetore, por me kusht që ato të realizohen brenda muajit janar, zbritja do të jetë 6 për qind. Ndërkohë, nëse pagesa bëhet 6 mujore, zbritja do të jetë 3 për qind, por me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar. Ndërsa nëse pagesa bëhet 3 mujore, zbritja do të jetë 1,5 për qind, por me kusht që shlyerja të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar. Por pagesat e vitit korrent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 3 633 lekë, deri në pesëfishin e saj.

Procedura dhe dokumentet e nevojshme:

Personi i interesuar paraqitet në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.

Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentet e mëposhtme:

Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit.

Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon.

Fotokopje të letërnjoftimit elektronik.

Nëse personi i interesuar bie dakord për tu siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore.

Duke disponuar “Urdhrin e veprimit” personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me mandat arkëtimi.

Pas marrjes së mandat arkëtimit personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore. Ai është personal dhe mbahet nga personi i interesuar).

Pas nënshkrimit të marrëveshjes inspektori i sigurimit vullnetar të agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re, në qoftë se nuk ka.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›