Korrupsioni: Mbyllte dosjet me para, pranga shefit të policisë

Komisariati Nr.1 i Policisë në Tiranë
Arrestohet shefi i Krimeve të Komisariatit nr.1 në Tiranë, mori 3500 euro për të mbyllur dosjen e armëmbajtjes pa leje.
Task-Force dhe SHKB: Dyshojmë se ka kryer edhe episode të tjera korrupsioni në Komisariatin Nr. 1
Fatos Goxhaj mori 3500 euro për mbylljen e dosjes për armëmbajtje.
Tri ditë pas transferimit në një detyrë tjetër larg kryeqytetit, ish-shefi i Krimeve në Komisariatin Nr. 1 të Policisë në Tiranë u arrestua dje nga SHKB-ja me urdhër të Njësisë Task-Force në Prokurori.
Oficeri Fatos Goxhaj ra në pranga mesditën e djeshme, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar ndaj tij. Tri ditë më parë, zyrtarët e Policisë kishin firmosur disa ndryshime në Policinë e Tiranës, ku përfshihej edhe transferimi i Goxhajt në Dibër. Ai ka shërbyer si oficer policie prej 5 vitesh në Tiranë, ndërsa dje është vënë në pranga me akuzën e korrupsionit. Zyrtari i Policisë dyshohet të ketë përfituar 3500 euro për mbylljen e një procedimi penal në ngarkim të një 65-vjeçari që akuzohej për armëmbajtje pa leje. Oficeri Fatos Goxhaj u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, pas një hetimi të përbashkët me Task-Forcën e Prokurorisë së Tiranës. Ky hetim ishte finalizuar dje me një vendin gjykate që urdhëronte arrestimin e ish-shefit të Krimeve. Burime nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria thanë se Goxhaj akuzohet të ketë marrë një sasi prej 3500 eurosh nga djali i personit që kishte ndaluar katër muaj më parë për armëmbajtje pa leje, duke i premtuar mbylljen e një procedimi penal në prokurori. Për shkak të mosmbylljes së procedimit, ashtu siç ishte premtuar nga ana e Goxhajt, pala e akuzuar ka bërë një kallëzim në prokurori, duke e akuzuar shefin e Krimeve për korrupsion. Të njëjtat burime konfirmuan se ka prova të forta kundër Goxhajt, që bindën edhe gjykatën, e cila mesditën e djeshme vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, e cila u ekzekutua vetëm dy orë më vonë nga oficerët e SHKB-së. Kjo ngjarje është bërë shkak edhe për hetime të tjera rreth dyshimeve se Goxhaj mund të jetë përfshirë në raste të tjera shoqërimesh për të cilat nuk kanë vijuar procedimet penale, hipoteza që mbeten ende në nivelin e dyshimeve.
DENONCIMI
Fatos Goxhaj, një ndër katër shefat e Krimeve të komisariateve të Policisë së Tiranës, që të premten u transferuan në lëvizje paralele në funksionet policore, u vu dje në pranga me akuzën e korrupsionit. Në Prokurorinë e Tiranës ishte depozituar një kallëzim ndaj tij nga shtetasi Ermal A., nga Selita, i cili e akuzonte Goxhajn se kishte marrë 3500 euro për të mbyllur një procedim penal të nisur për babanë e tij, Ramazan A. Ngjarja për të cilën policia kishte nisur procedim penal në gjendje të lirë, me akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, në ngarkim të Ramazan A., ka ndodhur në fund të vitit të kaluar, në mes zonës ku ndahet Komisariati Nr. 1 dhe ai Nr. 2, pranë Selitës. Pas këtij incidenti, sipas denoncimit të Ermal A., Fatos Goxhaj i ka kërkuar atij 3000 euro, të cilat i ka marrë dhe do të merrte edhe 500 euro të tjera për mbylljen e hetimeve. Ai i kishte premtuar se do të bashkëpunonte edhe me prokurorin, në mënyrë që të pushohej procedimi penal dhe çështja të mos shkonte në gjykatë. Por, kur është vënë re që Goxhaj nuk po e mbante premtimin, atëherë Ermal A. ka vendosur ta denoncojë. Për këtë arsye, Task-Forca dhe SHKB-ja kanë kryer hetime intensive, pjesë e të cilave janë edhe disa biseda telefonike mes Fatos Goxhajt dhe Ermal A. Biseda të tilla si: “A po vjen? Ku do shihemi…?” etj., pyetje që Goxhaj i drejtonte Ermalit nëpërmjet telefonit. Një nga takimet e fundit mes tyre dyshohet se është kryer në Selitë.
Denoncimi
Denoncimi për ish-shefin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1 të Policisë është bërë pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Prokurorisë rreth një muaj më parë. Qytetari i dëmtuar nga ngjarja kishte marrë vesh se ishte mashtruar nga zyrtari i Policisë, i cili kishte marrë 3500 euro me premtimin të mbyllte dosjen e hapur për armëmbajtje pa leje.
Hetimi
Procesi hetimor ndaj shefit të Krimeve të Komisariatit Nr.1 është zhvilluar në sekret të plotë. Mesditën e djeshme gjithçka është finalizuar me një vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila urdhëronte arrestimin e zyrtarit të Policisë duke i konsideruar provat e mbledhura nga hetimi i Task-Forcës dhe SHKB-së si të mjaftueshme. Më pas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës.
Dëshmia
Menjëherë pas arrestimit, ish-zyrtari i Komisariatit Nr. 1 është përcjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në ambientet e izolimit të kësaj drejtorie mësohet se grupi i hetimit ka marrë në pyetje dje ish-shefin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1. Ai paraprakisht ka kërkuar avokat dhe ka deklaruar se ska gjë për të thënë pa praninë e mbrojtësit ligjor.
Dërgimi i dosjes në gjyq zbuloi aferën
“Ta kam mbyllur këtë çështje, flije mendjen dhe rri i qetë”. Këto mësohet se kanë qenë disa nga fjalët që shefi i Krimeve të Komisariatit Nr. 1 i ka thënë djalit të një të moshuari, i cili, gjatë kontrollit në banesë, ishte gjetur me një armë pa leje. Sipas burimeve nga Prokuroria, veprimet e ish-shefit të Krimeve të Komisariatit Nr. 1 janë dokumentuar me përgjime të autorizuara sipas ligjit. Nga këto përgjime është mësuar se mund të ketë pasur një ngatërresë në gjithë këtë histori, pasi fillimisht shefi i Krimeve i kishte premtuar qytetarit të cilit i ishte gjetur arma se nuk do të arrestohej. Dhe vërtet kjo nuk kishte ndodhur, pasi i moshuari kishte qëndruar i pashqetësuar nga policia. Por, nga ana tjetër, denoncimi është bërë në momentin kur Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj të moshuarit dhe ai u thirr në gjyq. I gjendur në befasi, duke menduar se kishte paguar për mbylljen e çështjes, qytetari ka denoncuar faktin se shefi i Krimeve të Komisariatit Nr. 1 i kishte marrë shumën e parave kundrejt favorizimit në ndjekjen penale. Nuk është e qartë nëse i akuzuari kishte premtuar mosarrestimin e të moshuarit apo edhe mbylljen e çështjes.