Teste shtatzënie pa fjetur me burrë
Nga Mero Baze
Ka disa ditë që aktorë kryesorë politikë në vend po flasin për një testim të shumicës, duke marr shkas nga votimi në Kuvend për një anëtar të KLD-së. Edi Rama e quan atë një provokim të suksesshëm politik ndaj një shumice të kalbur, e cila u detyrua të vidhte vota publikisht. Ilir Meta, i cili pasi u përpoq të bënte ofsajd artificial, e kuptoi që pësoi gol nga Berisha dhe ka tri ditë që na shurdhon veshët duke thënë se nuk donte të tërhiqej, por nuk e kishte mendjen. Sali Berisha nga ana e vet po përpiqet ta justifikojë humbjen reale të shumicës me një furtunë në gotë të ngritur nga Edi Rama prej sikletit të kandidimit të Adrian Vishës.
Ajo që i bashkon gjithë këto reagime është se të gjithë kanë konstatuar humbjen e një shumice, por askush nuk ka bërë betejë publike parimore për të humbur shumicën. Humbja e shumicës ka ngelur si një fëmijë kopil, pa atësi. Berisha e ka humbur shumicën, por krekoset me votën e Kastriot Islamit dhe kërcënimin ndaj Mediut dhe Nasip Naços. Ilir Meta e ka braktisur shumicën, por jo deri për ta rrëzuar, por sa për ti treguar Berishës se duhet biseduar më parë me të para se të zgjedhë emra. Edi Rama e ka destabilizuar shumicën, por me një fitore si të Pirros, pasi ka fituar duke vrarë një nga kauzat e mëdha të opozitës, që është përfshirja e pushtetit të Familjes në tragjedinë e Gërdecit. Pra, është i vërtetë fakti që u testua mungesa e një shumice, por kjo nuk u bë si një betejë për të testuar shumicën, ndaj dhe në fakt nuk vlen. As Berisha, as Meta dhe as Rama nuk u përfshinë në një betejë për të testuar publikisht shumicën, por në disa marifete votash dhe kulisash, të cilat patën vetëm një vlerë, që detyruan Berishën të shkatërrojë procedurën e votimit të fshehtë në Kuvend dhe të rrëmbejë mandatin e Çefës. Kjo është një arritje për të cilën meritë kryesore ka Berisha, i cili nuk lëshon asnjë centimetër pushtet, pavarësisht çmimit.
Por a jemi në kohë të testojmë shumicën në pushtet?
Andis Harasani thotë se mund të bëhet një mocion kundër Berishës për ta testuar atë. Edhe pse ngjan si ide radikale, në këto kushte në të vërtetë është pikërisht ajo që i duhet Berishës, një votëbesim publik i tij pa shkak. Kërkesa e Harasanit më kujton kërkesat e Genc Pollos dikur në opozitë, që thoshte ta rrëzojmë Fatos Nanon me mocion mosbesimi, kur Nano i kishte te gjitha votat, dhe këtë e quante betejë parlamentare.
E vetmja gjë racionale në këtë debat është thënë prej Edi Ramës pas betejës për KLD dhe që përmblidhet në fjalinë se në Kuvend mungon një shumicë e fshehtë, që nuk do të thotë doemos se mungon dhe një shumicë publike. Pra, realisht politika në parlament është tripolare, por kjo nuk është publike. Nevoja për të testuar këtë tripolaritet para zgjedhjes së presidentit vetëm nga njëra palë është dështim i sigurt. Tripolariteti testohet vetëm kur bëhen publikisht bashkë dy palë. Dhe sot publikisht bashkë dy palë janë Sali Berisha me Ilir Metën. Të testosh nëse shumica ka flirte me opozitën pa pasur asnjë marrëveshje me të, është njësoj sikur të testosh një grua nëse është shtatzënë pa fjetur me ndonjë burrë.
I vetmi shans për test ndaj shumicës mbetet votimi i fshehtë për presidentin, në të cilin opozita nuk duhet të përsërisë marifetet e saj provokative, por duhet të mbajë një qëndrim parimor. Opozita nuk ka shumicë presidenciale dhe si e tillë ajo nuk duhet të përfshihet në lojën e paraqitjes së ndonjë kandidature për president. I vetmi karrem që Berisha po përpiqet të tërheqë opozitën në garë është Fatos Nano. Po bëhen dhjetëra spekulime, bisedime të fshehta, dërgohen korrierë dhe thuren plane si rrjetë merimange, por të gjitha Berisha i fshin në një minutë nëse ngelen në nivel marifetesh. Nëse Fatos Nano mendon se prodhon një tripolaritet në parlament, ai le të mbledhë së paku 15 firma deputetësh jo socialistë, që të japë garanci për një politikë tripolare në Kuvend, dhe pastaj i mbetet detyrë Partisë Socialiste, si opozita me e madhe ne vend, të përdorë publikisht këtë situatë për të rrëzuar Berishën dhe për të formuar një qeveri teknike dhe për ti ofruar krijuesit të këtij tripolariteti postin e presidentit. Deri më sot Fatos Nano është shfaqur publikisht si një politikan luajal i Sali Berishës. Prej vitit 2007 ai e ka ndihmuar atë rregullisht në çdo palë zgjedhje dhe krizë politike. Që opozita të zhdukë dyshimet se ai nuk është një ushtar i Sali Berishës, përveçse ai duhet të ketë një angazhim publik kundër disa zhvillimeve dramatike që kanë ndodhur me opozitën, siç është krimi politik i padënuar i 21 Janarit, duhet doemos të bëjë edhe një pakicë të re në Kuvend, me vota josocialiste, që të jetë e mjaftueshme për një shumicë të re, nga e cila mund të dalë edhe qeveria teknike, edhe presidenti i ri. Çdo përfshirje tjetër e opozitës në marifete për testime mbi një shumicë sterile janë gafa të rënda politike që mund ti kushtojnë. Tripolariteti, nëse ekziston, përdoret vetëm për të rrëzuar Sali Berishën dhe për të prodhuar një shumicë të re që të shkohet me siguri më të mëdha drejt zgjedhjeve, dhe jo për të bërë lojën e Berishës e për ti konsoliduar atij shumicën e tronditur.
