Mbi botimin e Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe
Kohët e fundit po qarkullon në mjediset shkencore akademike, por jo në rrjetin e librarive në Shqipër, Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (shkurt ADGJSH). Ky botim është vepër e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila është botuar nga Departamenti i Studimeve të Europës Lindore të Universitetit të Napolit “L’Orientale”. Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe është hartuar më shumë se njëzetë vjet më parë nga një grup specialistësh të dialektologjisë, punonjës të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ndonëse i botuar në vitet 2007-2008, Atlasi paraqet një realitet dhe dukuri gjuhësore të dokumentuara në Shqipërinë e viteve ‘80. Projekti i nisur që prej vitit 1975 nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, përfundoi në vitin 1989 dhe gjuhëtarët nuk e kanë pasuruar materialin me të dhëna të marra pas ‘90-ës, kohë kjo në të cilën lëvizja e madhe demografike e popullsisë dhe intensifikimi i mjeteve komunikuese ka kushtëzuar edhe zhvillime apo ndryshime gjuhësore. Gjatë këtyre viteve kanë ndodhur ndryshime të mëdha ekonomike dhe shoqërore por edhe kulturore dhe gjuhësore, por pas viteve ‘90 nuk janë bërë studime gjuhësore dialektore. Kjo për shkak të përfundimit të ekspeditave në vitin 1989, kohë kur edhe studiuesit u shpërndanë, disa dolën në pension, të rinjtë u larguan jashtë vendit etj. Sot do të duhej një tjetër organizim për të ndërmarrë një studim të ri, i cili do të duhej të fillonte me atlasë rajonalë, për të mbërritur tek atlasi gjuhësor kombëtar. Po ashtu, kriza politike dhe ndryshimet sociale ekonomike dhe kulturore të viteve ‘90 nuk ofruan mundësi për publikimet në Shqipëri, dhe sidomos kjo jo vetëm për shkak të vështirësive të atëhershme financiare që kalonte Shqipëria e që e bënë të pamundur më pas për disa vite botimin e tij, por edhe për një arsye tjetër sepse ky botim kërkonte cilësi të lartë tipografike, prandaj me sugjerimin e prof. Romano Lazeronit, në atë kohë president i Komisionit Kërkimor CNR, falë një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, asokohe në varësi të Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Studimeve të Napolit “L’Orientale” u arrit botimi i këtij Atlasi disa vite më pas. Një meritë të veçantë për angazhimin jo vetëm financiar por edhe në mund e energji, i takon Departamentit të Studimeve të Europës Lindore të këtij Universiteti dhe drejtorit të tij Prof. Italo Costante Fortino-s si edhe qendrave të tjera që mundësuan financiarisht botimin e tij, Qendra e Kërkimeve Kombëtare (Romë), Regjioni i Kampanias dhe Bashkia e Greçit (AV).
Hartimi i një vepre të tillë, si synim për gjuhësisë shqiptare, i takon periudhës para Luftës së Dytë Botërore. Ideja për hartimin e një projekti kërkimor për një Atlas Dialektologjik të Gjuhës Shqipe i takon Mateo Bartolit (1929), i cili, krahas punës së tij për "Atlasin gjuhësor italian", pati projektuar edhe hartimin e një "Atlasi gjuhësor shqiptar", për të cilin ai jepte informacion edhe në "Bolletino dell’ Atlante linguistico italiano", Udine, 1933, dhe që më pas u rimor nga Carlo Tagliavini (1940) si dhe Benedik Dema, i cili do të botonte një artikull me titullin: “Për nji Atlant gjuhsuer të shqipes” në revistën Hylli i dritës, Vjeti XVI/1940, Nr. 3-4, f. 110-130. Sipas Atë Benedikt Demës, asokohe Ministria e Arsimit e Italisë i dha ndihmat e para financiare Mateo Bartolit për të filluar punën për këtë Atlas dhe ai më 1943, hyri në lidhje me studiuesin shqiptar Eqrem Çabej, atëherë në fillimet e karrierës së tij si gjuhëtar, por me një përgatitje të mirë dhe premtuese si ish-nxënës i Paul Kreçmerit (Kretshmer), të cilin e caktoi si anketues e realizues të veprës dhe i dha këshillat e duhura si dhe mbështetjen e tij për fillimin e punës përgatitore për këtë projekt. Eqrem Çabej punoi për një kohë të gjatë në Laboratorin e "Atlasit gjuhësor italian" duke hartuar atje pyetësorin e Atlasit gjuhësor shqiptar bashkë me Ugo Pelisin. Gjithashtu, për këtë vepër, Çabej u konsultua atëherë edhe me Sever Popin, dialektologun rumun, i cili rrëfen se "i ofroi atij përvojën e vet dhe ndikoi të fuste në pyetësor një numër pyetjesh që ekzistonin në pyetësorin e atlasit rumun", por që nuk i kishte pyetësori i ALI-së. Mjerisht, kjo nismë e dijetarit dhe gjuhëtarit të mirënjohur shqiptar mbeti e parealizuar, kryesisht për shkak të ndryshimeve politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore me hurjen e regjimit komunist.
Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe është pa dyshim, një nga veprat më madhore të gjuhësisë shqiptare, që radhitet për nga rëndësia krahas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe dhe Gramatikës së gjuhës së sotme shqipe. Atlasi, plotëson një mangësi të dukshme në Albanologji, duke e rreshtuar shqipen në radhën e atyre gjuhëve që prej kohësh kishin hartuar vepra të tilla. Në fakt kjo vepër do të kishte qenë e udhës të ishte përfunduar dhe botuar para vitit 1972, kohë kur u mbjat Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, sepse është pikërisht Atlasi dialektologjik, krahas Fjalorit dhe Gramatikës që do të hapte rrugën për një arsyetim më të drejtë e më të pjekur për vendosjen e gjuhës standard. Gjithsesi vendimet dhe gjykimet e dhëna me ngut prej atij Kongresi, nuk janë pjesë e këtij shkrimi, por duhet të themi se tashmë më mirë vonë se kurrë, për herë të parë në historinë e albanologjisë, dialektet e shqipes paraqiten sipas metodës së gjeografisë gjuhësore në dy vëllime me harta dialektologjike (fonetikë, morfologji, sintaksë vëll.I, dhe leksik vëll. II). Kjo vepër është realizuar bazuar në konceptin e gjeografisë gjuhësore në studimin e dialekteve të shqipes dhe paraqet në mënyrë të plotë e të saktë dukuritë dialektore të gjuhës sonë me shtrirjen e tyre në krejt truallin shqiptar e në diasporën historike. Mbi këtë bazë, sigurisht, do të zgjerohen e do të thellohen më tej njohuritë për dialektet e shqipes dhe do të bëhet e mundur të nxirren përfundime më të peshuara shkencërisht për gjendjen e sotme të dialekteve tona e për historinë e tyre. Të dhënat për dialektet e shqipes deri në fillim të viteve ‘50 janë marrë kryesisht nga botimet e studiuesve të huaj, ndërkohë që hulumtimet dialektologjike nga studiues shqiptarë morën një zhvillim e karakter të organizuar vetëm pas këtyre viteve, duke u shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Ato u kryen në pjesën më të madhe nga specialistë dialektologë e nga bashkëpunëtorë me formim filologjik dhe rezultatet e tyre u pasqyruan në të përkohshmet Buletin për shkencat shoqërore të Institutit të Shkencave, pastaj të Universitetit të Tiranës si dhe në revistën Studime Filologjike, e më pas në serinë Dialektologjia Shqiptare, nën drejtimin e Prof. Dr. Mahir Domit. ADGJSH kërkonte shumë eksplorime në terren në hapësirat shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe në trojet kompakte ballkanike të shqipes e në diasporat historike, prandaj ai u parapri nga një punë e gjatë për hetimin dhe studimin e përgjithshëm të dialekteve të shqipes me anën e ekspeditave në terren nga dialektologë specialistë të sektorit të Gramatikës e të Dialektologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë. Mbas një pune të madhe për skedimin e materialeve të mbledhura në pikat e banuara të krahinave të ndryshme më përfaqësuese të të folmeve të shqipes, mbi bazën e materialeve të grumbulluara e të shkencorizuara në një qendër të përbashkët, u krijua edhe Kartoteka kombëtare të dialekteve të shqipes, pastaj edhe Fonoteka e dialekteve e të folmeve të shqipes, të cilat do të pasuroheshin më tej në mënyrë të pandërprerë edhe nga anketimet e bëra nga bashkëpunëtorë të jashtëm, kryesisht mësues të dalluar të gjuhës shqipe të rretheve, të dhënë pas studimeve dialektologjike. Kartoteka dhe fonoteka e dialekteve të shqipes, sigurisht, kanë shërbyer edhe si mbështetje për hartimin e kritereve teknike dhe të pyetësorit të ADGJSH-së. Njohuritë dhe përvoja që u grumbulluan, krijuan mundësinë për hedhjen e një hapi cilësor në studimet dialektologjike shqiptare, pra për hartimin e Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe.
Për hartimin e Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe ka punuar një grup autorësh i përbërë nga dialektologët Prof. Dr. Jorgji Gjinari (drejtues), Prof. Dr. Bahri Beci, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj dhe Prof. Dr. Xheladin Gosturani. Pjesërisht kanë bashkëpunuar Anastas Dodi e Minella Totoni, të cilët kanë kryer ekspedita në të gjithë vendin, por edhe në shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, tek arbëreshët dhe tek popullsia çame, për të regjistruar dhe dokumentuar të folmet e shqipes, por për fat të keq në atlas të dhënat për trevat shqipfolëse në Greqi ishin dhe janë ende edhe sot dëshpëruese. ADGJSH është vetëm atlas gjuhësor i përgjithshëm e jo krahinor, në kuptimin që ai jep një pasqyrim të plotë të dialekteve e të folmeve të shqipes, të tipareve e veçorive të tyre. E njëjta dukuri gjuhësore është pasqyruar në një hartë të caktuar, në të gjithë hapësirën shqipfolëse, duke na dhënë mundësinë të dallojmë tiparet dialektore edhe në rrafsh krahasues. Metoda e përdorur është ajo e hartografimit në shkallën 1: 1650000. Vëllimi i parë pas paraqitjes nga Italo Costanto Fortino (f. 3), treguesit (f. 5-6) sistemit të transkriptimit (f. 7-8), parathënies së bërë nga Mahir Domi (f. 9-11), në italisht (f. 34-36), hyrjes nga Jorgji Gjinari (f. 12-24) në italisht (37-52), ndahet në Vështrim mbi dialektologjinë shqiptare (f. 12-16 dhe 37-41); Parimet themelore të ADGJSH (f. 16-19 e 42-46); Të dhënat e hartave dhe paraqitja e tyre grafike (f. 20-21 e 46-48; Një përshkrim i punës për përgatitjen e ADGJSH (f. 21-24 dhe 48-52); Fondi i të dhënave (f. 25-29; Shpërndarja e pikave të relievit (f. 30-33). Hartat jogjuhësore të Atlasit, të gjitha me ngjyra shkojnë nga faqja 53 deri tek faqja 64, ndërsa hartat jogjuhësore nga faqja 67 deri tek faqja 433. Atlasi përmban hartat e fonetikës, (faqe 67-202), të morfologjisë, (faqe 203-422) dhe të sintaksës (faqe 423-433), ndërsa faqet 435-464 japin të dhëna të tjera shpjeguese, treguesit, shkurtimet. Nuk mungon të pasqyrohet në atlas edhe pyetësori i përdorur, si edhe lista e subjekteve të anketuar me të dhënat për ta. Pyetësori i ADGJSH-së u hartua nga një grup i përbërë nga tre veta: Jorgji Gjinari, Gjovalin Shkurtaj, Xheladin Gosturani. Ky pyetësor përbëhet nga 405 pyetje të sferave të ndryshme të gjuhës, shumë prej të cilave kanë edhe nënpyetje, sipas çështjeve e nënçështjeve që kërkohej të anketoheshin në terren.
Pyetësori ka 260 pyetje dhe 40 nënpyetje për leksikun; 65 pyetje dhe 107 nënpyetje për fonetikën; 80 pyetje dhe 80 nënpyetje për morfologjinë dhe 9 pyetje për sintaksën etj. Vëllimi i dytë i kushtohet leksikut. Atlasi (vëll. I), përmban 10 harta jo gjuhësore dhe 405 harta gjuhësore që trajtojnë e pasqyrojnë në dy vëllime dallimet dialektore fonetike, gramatikore e leksikore të gjuhës shqipe. I gjithë trualli i shqipes që përfshin ADGJSH-ja paraqitet në harta me shkallë 1: 1.600.000. Brenda kësaj harte zënë vend arealet e vijueshme të të folmeve të Republikës së Shqipërisë dhe ato të trevave shqiptare në Republikën e Kosovës, në Mal të Zi, në Maqedoni e në Serbinë Jugore (Peshteri, Presheva) dhe të folmet e Çamërisë, në Greqi, të ndara me shenja të kufijve shtetërorë. Në skajet e hartës janë vendosur hapësirat e diasporës arbëreshe të Greqisë e të Italisë dhe të Dalmacisë, sigurisht me një shkallë tjetër, më të madhe.
ADGJSH-ja ka edhe disa harta jogjuhësore si: harta fizike, harta administrative, harta historike, harta etnografike, harta me emrat e katundeve ose qyteteve ku janë bërë anketimet dhe rreth 700 harta gjuhësore.
Po ashtu hartat e Atlasit janë dy llojesh: harta sqaruese dhe harta josqaruese dmth. harta ku shënohet fjala pranë numrit të pikës së anketuar dhe harta ku nuk vihen fjalët a format, por simbole të llojeve të ndryshme. Pas hartave analitike ka edhe harta përgjithësuese. Në shumë harta leksikore dhe në disa harta morfologjike dallimet gramatikore dhe dallimet fonetike që nuk janë objekt i tyre, pasqyrohen në një tregues në shpinën e hartës paraprirëse. Në tregues, sipas një renditjeje të shkallëzuar, pasqyrohen variantet e ndryshme gramatikore, fjalëformuese e fonetike për hartën leksikore dhe variantet fonetike për hartën morfologjike. Atlasi është ndalur në 175 pika, ku gjuhëtarët kanë regjistruar gjuhën në përdorim të përditshëm nga banorët e krahinave ku kanë shkuar. Atlasi përfshin të folmet e territorit të Shqipërisë (85 pika anketimi), të folmet shqipe të Kosovës, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Peshterit afër Novi Pazarit, të Jabllanicës, Preshevës (66 pika), të folmet e Çamërisë në Greqi (5 pika) dhe të folmet e diasporës arbëreshe në Dalmaci, Itali e Greqi (19 pika). Për pikat e ADGJSH-së në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni ishte parashikuar që të bashkëpunohej edhe me disa nga dialektologët e njohur të Institutit Albanologjik e të Universitetit të Prishtinës dhe, deri në fund të vitit 1980, u bënë edhe disa anketa të përbashkëta në një numër të folmesh të Kosovës e të Malit të Zi. Porse, për shkak të ngjarjeve tragjike të pranverës së vitit 1981 e të situatave gjithnjë e më të rënda të Kosovës, marrëdhëniet midis institucioneve shkencore të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Kosovës e të Maqedonisë u ndërprenë krejtësisht, marrëveshjet e nënshkruara mbetën vetëm në letër, prandaj edhe anketimet për ADGJSH-në në shumë nga pikat e caktuara në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, nuk qe e mundur të bëheshin në vend. Megjithatë, grupi i punës për ADGJSH-në, në pamundësi për të vajtur në pikat e caktuara për anketim, për të mos e lënë veprën të papërfunduar, u detyrua të kërkonte informatorë të ardhur në Shqipëri nga ato vise që parashikoheshin në rrjetin e pikave dhe u plotësua kështu në “korrespondencë” me anketime të bëra në ngulimet kosovare të fushave bregdetare, që nga Mamurrasi deri në Fier e Vlorë, Elbasan etj., punë kjo që nuk përputhej me kriteret e përgjithshme teorike të ADGJSH-së, por u pranua “nga e halli si i thonë”, po ashtu edhe anketimet në diasporën arbëreshe nuk u kryen sipas parashikimit të bërë në rrjetin e pikave të ADGJSH-së. Atlasi gjithsesi paraqet realitetin gjuhësor të viteve ‘80 në Shqipëri dhe deri diku në të gjitha trojet shqipfolëse,
Të gjitha anketat për ADGJSH-në janë regjistruar edhe në magnetofon dhe bobinat e regjistruara si dhe blloqet e shënimeve të anketave për Atlasin ruhen në Kartotekën e Fonotekën e Sektorit të Gramatikës e të Dialektologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.
Anketat janë zhvilluar në një periudhë 6 vjeçare (1980-1985) duke synuar paraqitjen e një gjendjeje gjuhësore të njëkohshme në të gjitha pikat e anketuara. Materiali dialektor u mblodh kryesisht me metodën e bisedës së lirë me subjekte të përzgjedhur sipas kritereve që kërkon një anketim i tillë. Krahas anketimit në terren janë shfrytëzuar gjerësisht edhe të dhënat e studimeve dialektore brenda e jashtë Shqipërisë. I gjithë ky material dialektor u përpunua dhe u sistemua sipas kriterit territorial e tematik dhe sot gjendet në Kartotekën e Fonotekën e Dialektologjisë, pranë Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë në Tiranë.
Duhet thëne se me këtë vepër, edhe përkundrejt vonesës dhe ngutjes, gjuhësia shqiptare shënon një shenjë të dukshme, që do ti lejojë asaj të peshojë më me kujdes hapat që do të duhet të ndërmarrë në të ardhmen.