E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i PS, Wollfarth: Qeverisës pas 2 vitesh, por si?!

TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE/ODIHR në Tiranë Eugen Wollfarth ka vlerësuar se programi i Partisë Socialiste mund tëj jetë qeverisës, por për këtë opozita duhet të presë ardhjen në pushtet pas dy vitesh, ndërkohë që ka ngritur një pikëpyetje sa i takon vënies në jetë dhe mënyrës së financimit.

“Është gjë e mirë që Partia Socialiste ofron një program, i cili mund të jetë pas 2 vitesh pjesë e qeverisjes, por në këtë rast duhen bërë pyetjet si do vihet në jetë nje program dhe sa ky program shkon me buxhetin”,- theksoi Wollfarth.

Ambasadori i OSBE/ODIHR sa i përket reformës zgjedhore në vend, tërhoqi vëmendjen e klasës politike, duke i kërkuar të mos humbet kohë, në mënyrë që të shihen vepra konkrete.

“Kemi dëgjuar shumë fjalë, por tani duhen vepra”,- tërhoqi vëmendje ambasadori Wollfarth.

Ambasadori Wollfarth këto deklarata i bëri pas takimit të sotëm në Konferencën e zhvilluar në Tiranë me temën “Rritja e rolit të gruas në qeverisje: Premtim i mbajtur?”

Në këtë takim kreu i OSBE-së theksoi problematikën e përfaqësimit të grave në politikë në nivele të ulëta, ndërkohë theksoi si pritoritet të institucionit që përfaqëson rritjen e përfaqësimit të femrave në politikë si shenjë e demokracisë së një vendi.

“Më lejoni t'ju kujtoj se: objektivi ishte 30% ose më shumë. Duket se pengesat ndaj rritjes së pjesëmarrjes së grave ekzistojnë ende në shumë parti politike që nuk respektojnë kuotën gjinore, në strukturat e administratës zgjedhore që nuk marrin masa për zbatimin në mënyrë rigoroze të kuotës gjinore, dhe në mungesën e dukshme të proceseve të brendshme demokratike në partitë politike. Më lejoni të them se mundësitë që u jepen grave të përfaqësohen në organet politike dhe të ndikojnë në çështjet politike, janë një parametër i rëndësishëm i demokracisë”,- vërejti ambasadori Wollfarth.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›