Reformat, PS e PD pranojnë kompromisin
Kryeministri Berisha deklaroi se ka pasur kontakte të vazhdueshme me PS-në. Ndërsa deputeti i PS-së, Ilir Gjoni tha se pakti nis me reformën parlamentare.
TIRANË Dy partitë kryesore në vend pranojnë se mes tyre po arrihet kompromis për ligjet me 3/5-at, reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se mes dy partive ka pasur dhe do të ketë kontakte për çështje të rëndësishme, ndërkohë që deputeti i PS-së, Ilir Gjoni shkoi më tej, duke theksuar se javën tjetër nis reforma parlamentare. “Kemi rënë dakord edhe me mazhorancën. Reforma bazohet në ndryshimin e rregullores dhe për këtë do të merren si referencë edhe rekomandimet e KE-së”, - tha Gjoni.
Berisha
Në njëvjetorin e heqjes së vizave për shqiptarët në zonën “Shengen”, kryeministri Sali Berisha deklaroi se vendimi erdhi si rezultat i reformave të thella dhe të gjithanshme. Kreu i ekzekutivit theksoi se Shqipëria do të kishte merituar edhe statusin e vendit kandidat në rast se kryetari i opozitës, Edi Rama nuk do të kishte bllokuar miratimin e ligjeve me 3/5-at. “Shqiptarët ishin me fat, sepse ky proces ndonëse bazohej në dhjetëra e dhjetëra ligje, vendime, reforma të gjithanshme, nuk bazohej në ligje me 3/5-at, që të mund ta bllokonte zoti Rama siç bllokoi çdo ligj me 3/5-at, përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e qytetarëve shqiptare, përfshirë edhe ata që kanë të bëjnë me luftën kundër larjes së parave dhe trafiqeve kriminale. Përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me gjykimin mbi bazën e Kodit Administrativ që ekziston në Shqipëri”, - tha Berisha. Megjithatë, Kryeministri pranoi se mes dy partive kryesore në vend ka pasur kontakte të vazhdueshme për miratimin e këtyre ligjeve. Për kreun e ekzekutivit, midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në mënyrë të padiskutueshme ka pasur, ka dhe do të ketë kontakte, të cilat ai i cilësoi si tepër normale. “Këto kontakte janë të domosdoshme për të diskutuar për çështje, të cilat janë të një rëndësie të caktuar të dyanshme. Është e sigurt që çdo propozim të opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitetin e merituar. Ky është qëndrimi ynë konstant, i përhershëm, doktrinar, programor i PD-së. Ndaj dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur për sekretesën, këtu nëse diskutohet, diskutohet për tema, të cilat janë bërë publike dhjetëra herë, qindra herë nga ju”, - tha ai. Berisha akuzoi Edi Ramën se ishte vetëm ai që pengoi miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, ndërkohë që nuk la pa komentuar edhe librin që pritet të publikohet nga Edi Rama me titullin “Kurbani”. “Më 8 maj, zoti Rama përjetoi humbjen më të hidhur të të gjitha llojeve të humbura. Nuk e di, do ta ngushëllojë ai veten duke shpallur veten “kurban”, por çfarëdo që ta shpallë ai veten, ai do të mbetet humbësi i pesëfishtë, humbës me 141 mijë vota në shkallë vendi, të konvertuar me 19 deputetë më pak se mazhoranca qeverisëse. Humbës në të gjitha qarqet e vendit, përveç një. Humbës në shumicën e minibashkive të Tiranës. Humbës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, humbës në këshillat bashkiakë të minibashkive, humbës me 91 vota në garën personale me njeriun që e quajti ‘sozi’, çfarë nuk e quajti, por që faktikisht u detyrua t’i lëshojë karrigen mirë e bukur dhe duke i numëruar zotëria e tij çdo votë para syve e para mediave”, - tha ai. Pavarësisht historikut, kryeministri e cilësoi procesin të rëndësishëm, i cili duhet të ecë përpara mbi bazën e respektimit të parimeve themelore.