E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi i PS-së për zhvillimin e fshatit

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zhvillimi i ekonomisë në fshat është një nga prioritetet e socialistëve menjëherë pas ardhjes në pushtet. Zhvillimi i bujqësisë, rritja e cilësisë dhe sasisë së produkteve vendase për ta është tërësisht e mundur, nëse ky sektor menaxhohet si duhet. Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati, shpjegon për Ballkan të gjitha hapat që do të ndiqen për zhvillimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e një stabiliteti ekonomik në vend.

Zoti Bushati, selia rozë tashmë ka nisur prezantimin e programit të saj. Një ndër shtyllat kryesore të këtij programi është dhe fshati. Kryesocialisti Rama ka premtuar një politikë të re për fshatin. Ku konsiston kjo politikë e re?

Fokusi i politikës së re është realiteti dhe problemet tona të përditshme. Sot Partia Socialiste është kthyer në forcën që do t i japë Shqipërisë ndryshimin që të gjithë presim prej 18 vjetësh. Në kuadrin e këtij ndryshimi është dhe hartimi i një programi të qartë dhe ofrimi i tij si kontrata e re me qytetarët që ne do paraqesim para zgjedhjeve. Sot në fshat jeton më shumë se gjysma e popullatës së vendit, ndërkohë që kontributi i sektorit bujqësor është vetëm sa një e pesta në ekonominë tonë. Mjafton ky argument i thjeshtë për të kuptuar rëndësinë sociale dhe ekonomike që zona rurale mban në vetvete. Në anën tjetër të argumentit qëndron neglizhenca e qeverive ndaj shtetasve të saj, që jetojnë akoma me problemet e një pronësie mbi tokën të pazgjidhur dhe të një bujqësie me një produktivitet tepër të ulët për të qenë një vend evropian.

Programi, të paktën ajo çka është prezantuar deri tani, parashikon heqjen e akcizës së naftës për fshatin, por dhe heqjen e taksës për 3 vjet për çdo biznes të ri në fshat. A është parashikuar se sa do të jenë shpenzimet që duhet të mbulojë qeveria për të bërë këtë gjë? Sa do të jetë i mundur zbatimi i këtij programi?

Një politike e re do të thotë punë dhe jo llafe. Ne kemi prezantuar një program të qartë dhe të vendosur qeverisës, dhe jo një program të përgatitur për ambicie të thjeshta elektorale. Në grupin e hartimit të programit kanë marrë pjesë aktive specialistë dhe politikanë, si vendas ashtu dhe të huaj, për të garantuar pikërisht që masat tona konkrete të jenë funksionale që në 100 ditëshin e parë të qeverisjes. Kemi arritur në një balancë organike nëpërmjet masave me kosto zero dhe atyre që do të duhet të merren me një kosto më të vogël se efekti financiarisht më produktiv, me rritje për ekonominë e vendit. Për shembull, familjet e reja që do të dalin nga gjendja e prodhimit vetëm për vetëkonsum dhe do të hyjnë në treg me prodhimet e tyre, do të stimulohen në statusin e tyre të një biznesi agrar të mirëfilltë.

“Biznese agrare për çdo familje”, çfarë nënkupton kjo dhe sa e mundur do të jetë?

Programi i detajuar parashikon disa faza nëpër të cilat kalon zhvillimi bujqësor për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë në treg, që natyrshëm do të sjellin një fitim financiar që justifikon investimet dhe përpjekjet e fermerëve shqiptarë.
Faza e parë do të jetë orientimi sa më shpejt i familjeve të shkëputura fermere drejt një forme më të pranueshme tregu, siç është një biznes agrar me një status të definuar ekonomik dhe ligjor. Kjo do të ndihmojë në profilizimin, bashkëpunimin dhe në garantimin e prodhimit bujqësor për një treg më të gjerë se konsumi familjar apo ngushtësisht rajonal. Ky status i ri e bën më të besueshëm dhe efikas në treg funksionimin e bujqësisë si një sektor i formalizuar dhe produktiv.

Në vitet e fundit është bërë shqetësuese për fermerët prodhimi i produkteve aspak cilësore për shkak të lëndës së parë, dhe për rrjedhojë falimentimi i disa prej tyre. PS ka premtuar ngritjen e Agjencisë së Biznesit Agrar. Çfarë funksioni do të ketë kjo agjenci?

Kjo përbën dhe një pjesë të hapit të dytë të strategjisë sonë për të garantuar një funksionim efektiv të bujqësisë në fshat: Përgatitja e “Biznesit Agrar” drejt Tregut.
Disa nga masat e qarta mbështetëse dhe organizative për biznesin agrar do të jetë dhe ngritja e një organizmi ndihmës dhe rregullator që mendohet si “Agjencia e Biznesit Agrar” (ABA), e cila ka si funksion kryesor:
Cilësinë e inputeve bujqësore (farëra, fidanë, pesticidet, fertilizues etj);
Informacion mbi tregun dhe çmimet;
Shërbimet bujqësore dhe veterinare;
Origjinën e produkteve;
Profilizimin e biznesit agrar dhe të rajoneve bujqësore etj.

Në bazë të deklaratave të deritanishme duket se Rama ka zyrtarizuar një prej ministrive të qeverisë së re, atë të Ministrisë së Zhvillimit Rural. Cili do të jetë funksioni i kësaj ministrie?

Shpesh herë në politike ngatërrohen qëllimi me mjetin. Kjo vjen si rrjedhojë edhe e një analize të mangët për të identifikuar shkakun dhe pasojat në problemet që hasim ne si shoqëri. Ndaj kemi bërë një analizë dhe studim më kompleks të këtij problemi sa ekonomik aq dhe social, sepse në momentin kur nuk trajtohen të gërshetuar të dy bashkë kemi humbur fokusin e zgjidhjes. Për këtë arsye ne e kemi ndarë në tre objektiva, që sot e dimë që i adresohen gjendjes tepër specifike të zonës rurale në Shqipëri: mirëqenia në fshat, bujqësia dhe zhvillimi i ekonomisë rurale.
Bujqësia do të jetë në bazë të përpjekjes tonë për ndryshim në fshat. Familja në fshat do të jetojë me të ardhura nga puna e saj, dhe jo nga ndihma ekonomike dhe remitancat.
Bujqësia është një nga mjetet që mund të përmirësojë në mënyrë të shpejtë dhe rrënjësore të ardhurat ekonomike dhe jetën sociale në fshat. Për këtë do të merren të tëra masat e nevojshme për të rritur produktivitetin dhe çliruar forcat e ndrydhura të tregut të lirë, që sot janë aspak funksionale: prodhime të kalbura që nuk arrijnë në një treg të dëshiruar për prodhime vendi, janë një tregues i qartë i mangësive në administrim sot.

Si jeni ndier ju në trajtimin e programit të ri qeverisës si për zhvillimin rural ashtu dhe për bujqësinë në veçanti?

Puna që kam bërë si nënsekretar i programit më ka bërë që të merrem me të gjitha pjesët në këtë proces të gjatë që ka nisur gati 2 vjet më parë. Duhet ta pranoj që problemet dhe zgjidhjet për ekonominë rurale ishin një nga pikat kryesore të programit tonë qeverisës. Unë kam pasur eksperiencë dhe në bursën më të madhe në botë (Chicago Board of Trade) për prodhimet, këtu dhe ato bujqësore, por nuk më kishte shkuar në mendje që do të merresha në këtë mënyrë direkte me to. Ndaj ishte një kënaqësi e dyfishtë që mora përsipër si detyrë hartimin e një pjesë integrale të programit tonë të ri, që do të sjellë një risi dhe do të vendosë një tjetër standard si në mënyrën e hartimit të programeve qeverisës sot, por dhe në fillimin e punëve nesër.

Cilat janë prioritetet e tjera të programit qeverisës të Partisë Socialiste?

Punësimi do të jetë prioriteti ynë me marrjen e mandatit për të qenë në krye të punëve në këtë vend. Shtyllat kryesore, përveç zhvillimit rural, ku do të mbështetet puna jonë nesër dhe zhvillimi i ekonomisë do të jenë:
- Një politikë të re për arsimin, si garanci për integrim e punësim.
- Një politikë të re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim.
- Një politikë të re për shëndetin, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë.
- Një politikë të re për mjedisin, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit.
- Një politikë të re për turizmin në Shqipëri, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin.
- Një politikë të re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit.

Ju flisni për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe një shoqëri që vjel të mirat në sajë të punës së secilit, ku shteti garanton shanse të njëjta në punësim dhe mirëqenie. Si do të realizohet kjo gjë?

Unë ju dhashë vetëm një këndvështrim në aksionin e gjerë dhe të detajuar që ka marrë përsipër të kryejë me punë qeveria e re pas 28 Qershorit. Të luftosh varfërinë me fjalë apo dhe masa adresuar thjesht asaj si fenomen të veçuar, është njësoj si të luftosh mullinj me erë. Shteti ka për detyrë të ofrojë shanse dhe mundësi të barabarta në një ekonomi të lirë, duke garantuar klimën e biznesit më të përshtatshme për të rritur fidanët e një të nesërmeje përtej nepotizmit dhe paaftësisë. Të gjitha masat në kompleksitetin e tyre do të sjellin një mirëqenie dhe zhvillim ekonomik real e të qëndrueshëm që do të ketë si efekt uljen e varfërisë në vend. E ardhmja i takon punës, mirëqenies dhe dinjitetit të secilit në një shoqëri që respekton të drejtat dhe mundësitë tona.

Bisedoi: Suela Topi
Ky lajm është publikuar: 30/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›