E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i mikrokredive, arrin në 29 milionë euro ndihma e Spanjës për USHKK-në



Ambasada e Spanjës dhe Unioni Shqiptar i Kursim Kredive organizojnë sot seminarin: “Programi i Mikrokredive i AECID: Ndihmë për zhvillimin e Shqipërisë”. Në këtë aktivitet do të zhvillohet ceremonia e dorëzimit të një marrëveshjeje të re specifike huadhënieje prej 10 milionë eurosh USHKK-së në Shkodër. Programi i mikrokredive të AECID-së synon të kontribuojë në luftën kundër varfërisë, duke lehtësuar aksesin ndaj sistemit financiar me një ofertë të gjerë të shërbimeve financiare që u drejtohet nevojave dhe veçorive të sektorit të ndërmarrjeve të vogla, të tilla si mbështetja për krijimin dhe konsolidimin e unioneve të kursimit dhe kredive, transformimi në ente të mirëfillta dhe mbështetja për personat dhe institucionet që normalisht nuk mund të kenë akses në sistemet tradicionale të kredive. Ky program është një ndër instrumentet më të rëndësishme të bashkëpunimit në Shqipëri, që mbështet tri njësi të mikrofinancave –Unioni Shqiptar Kursim Kredi, Besa dhe Opportunity Albania - me një sasi totale prej 29 milionë eurosh. Deri në 2008-n, sasia e dhënë në kuadrin e programit ishte 19 milionë euro, duke u rritur në 2009-n me një shumë prej 10 milionë eurosh, të cilat do të administrohen nga USHKK-ja. Gjatë seminarit, ambasadori i Spanjës do të bëjë një prezantim të Kooperacionit Spanjoll në Shqipëri, ndërsa Unioni Shqiptar Kursim Kredi do të shpjegojë aktivitetin që kryen në vend. Pas këtyre prezantimeve do të vazhdohet me shkëmbimin e dokumentacionit të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet qeverisë së Spanjës dhe Unionit SHKK, dhe dorëzimit të Marrëveshjes Specifike të Huadhënies.
Gjatë pjesës së dytë të seminarit do të prezantohen projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë, të cilat si Kooperacioni Spanjoll, ashtu edhe shoqatat përfituese të këtyre kredive, po zhvillojnë në Shqipëri me qëllim për të promovuar lidhje midis programeve dhe instrumenteve të ndryshme me anë të të cilave Spanja ndihmon në zhvillimin e Shqipërisë, veçanërisht në zonat rurale.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›