Progres në bujqësi
Komisioni Evropian në një takim me Ministrinë e Bujqësisë në Bruksel ka deklaruar se sektori i bujqësisë ka shënuar progres.
Kosova ka bërë progres të mirë në përafrimin e legjislacionit me BE`në duke hartuar ligje të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe sigurisë së ushqimit. Sfidat e saj qëndrojnë në implementimin e këtyre ligjeve dhe në zbatimin efikas të strategjive zhvillimore. Tash duhet intensifikuar përpjekjet për të përforcuar dhe përmirësuar sektorët dhe nënsektorët e kësaj fushe.
Ky ishte konkludimi i përbashkët gjatë takimit sektorial ndërmjet Komisionit Evropian, bartësve të njësive organizative të MBPZHR`së dhe atyre të Agjencisë të Ushqimit të Kosovës për dialogun e Procesit të Stabilizim-Asocimit, i cili është mbajtur gjatë kësaj jave në Bruksel. Në këtë takim, fokusi kryesor i diskutimit ka qenë implementimi i ligjeve ekzistuese, harmonizimi i tyre me standardet e BE’së, implementimi i strategjive që dalin nga Plani i Politikave të Përbashkëta Bujqësore, përmirësimi i kapaciteteve administrative në nivelet përkatëse, etj.
Aktivitetet e vazhdueshme legjislative në fushat që mbulohen nga MBPZHR’ja kanë rezultuar me miratimin e disa dokumenteve nga Kuvendi, si dhe në plotësimin e shumë ligjeve ekzistuese.
Sfidat e bujqësisë kosovare që dalin nga Raporti i Progresit në vitin 2010, përkundër të dhënave që ka progres të kufizuar përballë tyre, vazhdojnë të jenë ende të theksuara.
Sfidat e bujqësisë kosovare që dalin nga Raporti i Progresit në vitin 2010 janë implementimi i ligjeve dhe strategjive të miratuara, ngritja e kapaciteteve administrative, shfrytëzimi në mënyrë efikase i burimeve njerëzore, aplikimi më i mirë i dispozitave ligjore për prerjet e pyjeve, zhvillimi i bujqësisë organike dhe amandamentimi i Ligjit për Bujqësi Organike, etj.
Komisioni Evropian dhe MBPZHR’ja do të vazhdojnë të shkëmbejnë informacione dhe këshilla për vazhdimësinë e procesit dhe për zhvillimin e reformave të mëtutjeshme në këtë resor.