E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt për heqjen e bunkerëve nga plazhi i Semanit

19/05/2009  Pritet të nisë në qershor

FIER- Vija bregdetare nga grykëderdhja e lumit Vjosë dhe deri në grykëderdhjen e lumit Seman do të pastrohet totalisht nga bunkerët, të cilët janë vendosur në këtë zonë që para viteve 1990. Lajmi konfirmohet nga prefekti i qarkut Fier, Shahin Bejdaj. Ka qenë një kërkesë e kryekomunarëve të Dërmnasit, Topojës dhe Levanit që ka vënë në lëvizje prefektin e qarkut Fier e më pas ky i fundit ka gjetur mbështetje tek Ministria e Mbrojtjes. Pas disa javësh bisedimesh është rënë dakord që forca të Ministrisë së Mbrojtjes së bashku me pajisje e makineri do të zbarkojnë në bregdetin e Semanit e më pas në Darëzezë dhe Pishporo për të larguar fillimisht bunkerët që janë në sipërfaqen ranore të vijës bregdetare e më pas do të hyjnë në det për të larguar bunkerët që ndodhen në ujërat e detit. Bunkerët në këtë vijë bregdetare kanë qenë të vendosur në afërsi të detit, por me ardhjen e detit në brendësi një pjesë e mirë e tyre tashmë ndodhen nën ujërat e detit dhe paraqesin rrezik për pushuesit. Vite me parë pushues të ndryshëm kanë gjetur vdekjen, pasi kur janë futur për t’u larë janë ndeshur në rryma ujore pranë bunkerëve që i kanë thithur e i kanë futur në brendësi të tyre duke u shkaktuar edhe vdekjen. Prefekti Bejdaj ka pohuar se: "Brenda javës së parë të muajit qershor do të nisë puna për largimin e bunkerëve të bregdetit Seman". Pas disa takimesh dhe bisedimesh me Ministrinë e Mbrojtjes, Bejdaj ka marrë premtimin për çmontimin e bunkerëve nga zona e plazhit. "Pavarësisht kostos së lartë dhe vështirësive, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur çmontimin e bunkerëve nga bregdeti i Semanit, pasi prania e tyre në zonën e rërës dhe në brendësi të ujit është një pengesë për pushuesit. Vendimi është konfirmuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë", - tha Bejdaj. Me largimin e bunkerëve nga vija bregdetare, pushuesit do t’i kthehen plazhit, duke i rikthyer gjallërinë këtyre plazheve si dikur para viteve 1990 ku çdo verë pushonin me mijëra e mijëra pushues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›