E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt për kolektor të ri të ujërave të zeza në Plazh

28/04/2011  Pritet të shpëtojë nga ndotja e gjithë vija bregdetare

DURRES- Zona e Plazhit është bërë objekt i studimit për disiplinimin përfundimtar të ujërave të zeza, të cilat janë bërë problematike kryesisht në sezonin e verës për pushues e turistë, por edhe për banorët. Rrjeti i kanalizimeve në Plazh është ndërtuar rreth 35-36 vite më parë në një kohë që kjo lagje numëronte jo më shumë sesa 5 mijë banorë dhe në verë numri pushuesve nuk kapërcente mbi 30 mijë. Sot Plazhi ka marrë zgjerim shumë të madh dhe në të jetojnë më shumë se 30 mijë banorë dhe në pikun e sezonit numërohen mbi 200 mijë pushues në rërën e plazhit. Ndotja në nivel shumë të lartë e rërës dhe ujit të detit thuajse në të gjithë gjatësinë ku bëhet plazh ka shtyrë qeverinë shqiptare të kërkojë zgjidhje. Për shkak të nivelit centimetër nën nivelin e detit të lagjes e mjedisit ku janë ndërtuar edhe objektet e akomodimit dhe të shërbimeve, në Plazh janë vënë në gjendje pune 5 stacione pompimi. Kolektori i ujërave të zeza që shërben sot vetëm për 1/3 e zonës, është ndërtuar në vitet 1974-1976 dhe që nga ajo kohë ka pasur shumë ide, por asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. Banka Botërore dhe Komisioni Evropian po studiojnë mundësinë e dhënies së fondeve enkas për stabilizimin e këtyre ujërave. Bordi i Kullimit dhe Agjencia rajonale e Mjedisit në Durrës janë shprehur se projekti do të kushtojë 11 milionë euro dhe më këtë fond do të ndërtohet rrjeti i ri. Rehabilitimi i të gjitha stacioneve të pompimit, si dhe ndërtimi i rrjetit do të shmangë këtë ndotje në gjatësinë e vijës bregdetare nga hyrja e Durrësit deri në Plepa. Kolektori i ujërave të zeza i ndërtuar rreth viteve 1975 është në anë të rrugës, ndërsa thuajse paralel me të do të ndërtohet edhe rrjeti i ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›