Projektbuxheti 2012, Pensionet rritje 3-5 %, pagat 2-3%
Sipas projektit të miratuar dje nga qeveria, fondi për rritjen e pagave për vitin 2012 do të jetë rreth 1.5 miliardë lekë, i mjaftueshëm për një rritje jo më të lartë se 2-3 për qind. Ndërsa rritja e pensioneve do të jetë 3 % për qytetin dhe 5 % për fshatin
Buxheti i vitit që vjen do të ulë ndjeshëm ritmet e rritjes së pagave dhe pensioneve. Buxheti i miratuar mbrëmë nga qeveria parashikon që pensionet e fshatit të rriten 5 për qind dhe të qytetit, 3 për qind. Pagat indeksohen me inflacionin, çka do të thotë se nuk do të ketë rritje më shumë se 3 për qind. Burimet në Ministrinë e Financave shpjegojnë se fondi për rritjen e pagave do të shpërndahet 3-4 për qind për pagat e ulëta dhe 2 për qind për pagat e larta. Sipas projektit të miratuar dje nga qeveria, fondi për rritjen e pagave për vitin 2012 do të jetë rreth 1.5 miliardë lekë, i mjaftueshëm për një rritje jo më të lartë se 2-3 për qind. Ndërsa fondi shtesë për rritjen e pensioneve nuk do të jetë më shumë se 1.6 miliardë lekë. Këto fonde për rritjen e pagave dhe pensioneve që pritet të vërë në dispozicion buxheti i vitit që vjen, mjaftojnë vetëm për indeksim me inflacionin, pohuan të njëjtat burime. Kështu, pavarësisht debateve për linjën që do të mbahej në lidhje me mbajtjen në nivelet aktuale të borxhit publik dhe deficitit, pagat dhe pensionet do të rriten. Qeveria, edhe me buxhet nën presion, ka vendosur të rrisë pensionet si të fshatit, ashtu edhe të qytetit e gjithashtu pagat e administratës pavarësisht përqindjeve shumë të ulëta. Sipas programimeve në buxhet, fondi në dispozicion të politikave të reja të pagave dhe pensioneve është rreth 3 miliardë lekë. Sipas Financave, rritja e pensioneve në përqindje do të jetë për pensionet e fshatit, 5% dhe ato të qytetit, 3 %. Rreth 1/3 e buxhetit të shtetit e përkthyer në 1 mld e 500 mln dollarë shkon për financimin e pensioneve.
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka bërë me dije se Shqipëria është vendi me faturën sociale më të lartë në rajon, për shkak të politikave shumë agresive që përdori qeveria për të zbutur varfërinë në mandatin e shkuar, por edhe në këtë që vijon. Duke marrë në konsideratë këtë fakt, burimet në Ministrinë e Financave sqarojnë se një pjesë e konsiderueshme e fondit të pagave dhe pensioneve për vitin që vjen do të gjenerohet nga reforma që do të aplikohet në administratën publike në fillim të vitit që vjen. Ministria e Financave ka dy vite që udhëheq reformën, e cila do të bëhet shpejt realitet dhe që ka në themel racionalizimin e fondeve publike. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’u vënë fre abuzimeve me fondin e pagave që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Struktura e re parashikon shkrirje të drejtorive dhe sektorëve me funksione të ngjashme në shumë dikastere. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si ata administrativë, subvencione etj., kostoja e personelit i nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Afati i reformës është janari i 2012-ës, fiks koha që përkon me hyrjen në fuqi të buxhetit 2012. Për shkak se tashmë gati 2 të tretat e Buxhetit të Shtetit përdoren për paga dhe pensione. Pas reformës në paga, Ministria e Financave pritet të marrë edhe një reformë për rishikimin e skemës së pensioneve, e cila është rekomanduar me urgjencë nga Banka e Botërore.
Rritja e pagave dhe pensioneve
Pensionet e fshatit 5 %
Pensionet e qytetit 3%
Pagat 2-4 %
Fondi për rritjen e pagave, 1.5 miliardë lekë
Fondi për rritjen e pensioneve, 1.6 miliardë lekë