E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projektbuxheti 2026 shkon në Kuvend, rriten fondet për kujdesin shëndetësor, pensionet dhe indeksimin e tyre, si dhe për pagën minimale

Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe dërguar për shqyrtim në Kuvend Projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2026”. Ky dokument financiar parashikon një rritje të konsiderueshme të totalit të të ardhurave dhe shpenzimeve në nivel kombëtar, ndërsa vë në dukje një defiçit prej më shumë se 63 miliardë lekësh.

Sipas shifrave të paraqitura të projektligjit, parashikimet kryesore për vitin 2026 janë:

Të ardhurat 823 057

Shpenzimet 886 764

Defiçiti 63 707

Buxheti i përgjithshëm përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale (sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe kompensimi i ish-pronarëve).

Fondi i sigurimeve shëndetësore

Projekti i Ligjit “Për Buxhetin e Vitit 2026” parashikon një buxhet të konsiderueshëm për sistemin e kujdesit shëndetësor, duke caktuar tavanet financiare si për shërbimin spitalor, ashtu edhe për rimbursimin e barnave.

Buxheti total i dedikuar për Sigurimet Shëndetësore për vitin 2026 arrin në shifrën prej 67.332 milionë lekësh.

Ky buxhet do të financohet nga kontributet dhe të tjera në shifrat 26.345 milionë lekë.

Ndërsa transferimet nga Buxheti i Shtetit do të jenë 40.987 milionë lekë.

Rimbursimi dhe spitalet

Fokusi kryesor i shpenzimeve në këtë sektor përcaktohet nga dy tavane kyçe:

  • Rimbursimi i medikamenteve

Fondi i caktuar për rimbursimin e barnave nuk do të tejkalojë tavanin prej 13.500 milionë lekësh (13.5 miliardë lekë).

  • Shërbimi spitalor

Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, duke nënkuptuar se shpenzimet do të menaxhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ekzekutivi. Në përgjithësi, shpenzimet e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2026 janë të barabarta me të ardhurat e parashikuara (67.332 milionë lekë), duke shmangur defiçitin në këtë skemë.

10 miliardë lekë për “bonusin e pensionistëve”

Projekti i Ligjit “Për Buxhetin e Vitit 2026”, thekson një përkushtim të veçantë financiar ndaj skemës së pensioneve, duke parashikuar shuma të konsiderueshme si për indeksimin, ashtu edhe për mbështetjen direkte.

Pjesa që mbulon Buxhetin e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2026 parashikon të ardhura totale prej 195.292 milionë lekësh dhe shpenzime në të njëjtën masë. Këto fonde krijohen nga kontributet (166.711 milionë lekë) dhe transfertat e detyrueshme nga buxheti i shtetit (28.581 milionë lekë).

Bonusi dhe indeksimi

Dy nga zërat më të rëndësishëm në këtë projektligj, që ndikojnë direkt qytetarët e moshës së tretë, është:

Bonusi i pensionistëve

  • Është parashikuar një fond i dedikuar prej plot 10.000 milionë lekësh (10 miliardë lekë) për bonuse shtesë. Mënyra dhe kriteret e shpërndarjes së këtij bonusi do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Indeksimi i Pensioneve

  • Për efekt të rregullimit të vlerës së pensioneve në përputhje me inflacionin, është planifikuar një fond prej 1.653 milionë lekësh. Këto fonde janë parashikuar brenda Buxhetit të Sigurimit të Detyrueshëm, dhe teprica e mundshme e degëve të tjera të sigurimit shoqëror do të përdoret për mbulimin e defiçitit të degës së pensioneve.

Paga minimale dhe kontributet

Projektligji gjithashtu adreson bazën e llogaritjes së kontributeve:

“Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë.”

Kjo nënkupton se çdo rritje e pagës minimale në vend, do të reflektohet automatikisht edhe në masën e kontributeve për sigurimet shoqërore. Sipas projektligjit, fondi për indeksimin dhe bonuesin do të ndahet ndërmjet skemave dhe do të përdoret sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.

Në projektligj përcaktohet se paga minimale, për efekt të pagesës së kontributeve shoqërore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ajo ndryshon.

Parashikohet një fond prej 1 miliard lekësh për të kompensuar kontributet e punëdhënësit si rezultat i rritjes së pagës minimale.

Rindërtimi dhe pushteti vendor

Është parashikuar një fond prej 5 miliardë lekësh për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019, i cili do të përdoret për projektet e pafinancuara dhe projektet e reja.

Buxheti vendor arrin në 97.767 milionë lekë. Për bashkitë parashikohet një transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme prej 27.814 miliardë lekësh. Për herë të parë, akordohen 200 milionë lekë si grant performance (grant i bazuar në performancë) për njësitë vendore.

Akordohet gjithsej 2.3 miliardë lekë për emergjencat civile, parandalimin e fatkeqësive, dhe financimin e projekteve për diga dhe rezervuarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›