Euroskepticizmi kroat
Deri në fund të këtij viti Kroacia do të duhej të përfundojë negociatat për anëtarësim në BE dhe për nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit. Pastaj, siç shpresojnë zyrtarët kroatë, në fund të vitit 2012 ose në fillim të 2013, ky vend do të bëhej anëtari i 28 i klubit të elitës evropiane.
Mirëpo, këtu ekziston edhe një problem tjetër. Kjo, ngase gati të gjitha sondazhet tregojnë për një rënie dramatike të mbështetjes publike për anëtarësimin e vendit në BE.
Mario Pecnik, i cili në fermën e tij të vogël merret me prodhimin e djathit, kohë më parë u desh të investonte mbi 53,000 euro në modernizimin e pajisjeve, për të përmbushur kështu standardet evropiane dhe për të përfituar subvencione nga Bashkimi Evropian.
Për anëtarësim, vetëm një e treta e popullatës
Mario i mblodhi paratë disi, por shumë kolegë të tij fermerë që merren me prodhimin e produkteve bujqësore nuk ia arritën kësaj gjëje. Dhe, kjo është njëra prej arsyeve që Bashkimi Evropian është gjithnjë e më pak i popullarizuar në Kroaci.
Megjithëse, kundër Bashkimit Evropian nuk janë vetëm fermerët.
Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për Bashkimin Evropian është më vogël se kurrë më parë - një hulumtim madje zbuloi se vetëm 38 përqind e kroatëve do të votonin pro në një referendum eventual për anëtarësimin e vendit në BE, ndërkohë që zbulimi tjetër – edhe më dëshpërues – është se vetëm 26 përqind e popullatës mendon se kjo do të ishte një ide e mirë.
Qeveria ndërkaq pretendon se posedon rezultate shumë më të favorshme të hulumtimit të opinionit publik.
Sekretari Shtetëror i Kroacisë për Integrime Evropiane, Andrej Plenkovic, pohon se sondazhet e opinionit publik janë një indikator i gjendjes në një kohë të caktuar, edhe pse rezultatet e tyre i merr seriozisht.
"Po të ishim në grupin prej dhjetë shtetesh që u anëtarësuan në vitin 2004 mbështetja do të ishte më e lartë. Për votuesit e zakonshëm është e vështirë që ta ruajnë entuziazmin pas aq shumë shtyrjesh dhe aq shumë datash, të cilat nuk janë respektuar”, thotë ai.
Por, për euroskepticizmin në rritje ekzistojnë edhe shkaqe tjera.
Pretendohet se qytetarët nuk janë të informuar mirë për atë çfarë do të thotë në të vërtetë anëtarësimi në BE, kështu që misioni evropian në Zagreb ka hapur një qendër informative.
Shkaqet e euroskepticizmit
Veç gjithë kësaj, ekziston edhe një ndjenjë se në luftërat jugosllave të viteve të nëntëdhjeta kroatët luftuan për një shtet të tyre të pavarur, ndërkohë që tani atyre po iu ofrohet një koncept i papranueshëm transnacional – që për shumëkënd është i papranueshëm. Të tjerëve u pengon që, pas përvojave të pakëndshme me Rumaninë dhe Bullgarinë, Kroacisë tani po i imponohen kushte edhe më të ashpra.
Analisti politik, Viseslav Raos, ofron një sqarim tjetër të asaj se përse BE nuk është më aq joshës për kroatët.
"Shtetasit kroatë mund të shohin në televizor se çka po ndodh në Francë dhe Irlandë, por edhe se si kaloi Greqia. Ata janë të vetëdijshëm se BE nuk është ilaç për të gjitha problemet ekonomike dhe sociale. Në këtë apati ndikon edhe lodhja nga zgjerimi. Për njerëzit është shumë e qartë se Kroacia nuk do të mirëpritet atje duarhapur. Kështu që, askush nuk dëshiron të hyjë në një klub ku nuk është i mirëseardhur”, thekson Raos.
Paralelisht, edhe në tregun lokal mbretërojnë mendime të ndryshme.
"Mendoj se ne mund të mbijetojmë pa BE’në. Deri tani kemi mundur pa atë, pse të mos mundemi edhe në të ardhmen", thotë një qytetar.
"Njerëzit duhet të informohen më mirë për Bashkimin Evropian dhe për përfitimet nga anëtarësimi. Ky është rasti ynë për t’i adoptuar standardet që vlejnë në Union”, thotë tjetri.
"Mendoj që Kroacia definivisht nuk duhet të hyjë në BE, sepse anëtarësimi kushton shumë dhe ai na imponon miratimin e ligjeve të këqija. Anë pozitive ndërkaq nuk ka", arsyetohet i treti.
Duket se Qeverinë kroate në muajt e ardhshëm e pret një punë e vështirë – para së gjithash për të bindur qytetarët mosbesues se, megjithatë, kur të vije koha për referendum, ata të mbështesin projektin evropian. (BBC)