Në kërkim të Lejlasë
Në mesin e të zhdukurve, pas tragjedisë që ndodhi të premten në Norvegji, dyshohet se ndodhet edhe një kosovare. Bëhet fjalë për Lejla Selacin, me origjinë nga Mitrovica, por që jeton tash e sa kohë në qytetin Fredrikstad të Norvegjisë.
Në momentin e shpërthimit të bombës, dyshohet se 17-vjeçarja ishte në një delegacion në Konventën e të Rinjve në ishullin Utoya, aty ku edhe ndodhi tragjedia.
Lidhur me këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka marrë ndonjë informacion zyrtar. Artan Behrami, zëdhënës i MPJ-së, thotë se kjo ministri është duke e pritur konfirmimin zyrtar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Suedi, Lulzim Peci.
“Ambasadori ynë në Suedi, Lulzim Peci ka bërë kërkesë tek autoritetet norvegjeze për të marrë informata rreth rastit të publikuar në media, por deri më tani nuk ka ende informata”, tregon Behrami për Express.
E njëjtë sikurse MPJ-ja, informacione lidhur me fatin e vajzës kosovare nuk kanë as policia e shtetit të Norvegjisë. Raportet nga kjo polici tregojnë se katër ose pesë persona janë duke u kërkuar dhe se ende nuk kanë asnjë informacion, por vetëm dihet se ata në momentin kritik, ndodheshin në ishull.
“Emrat e personave që konsiderohen si të humbur dhe ata që kanë pësuar në këtë tragjedi që e ka tronditur mbarë botën, do të bëhen publikë kur policia t’i përfundojë të gjitha procedurat dhe kërkimet e trupave të pajetë”, thuhet në raportin e tyre.
Edhe Kryqi i Kuq i Norvegjisë tregon se kërkimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së diel, por sipas tyre, mundësitë për të gjetur të mbijetuarit tani janë minimale. Sipërfaqja në Utoja, e gjitha është nën kontroll, dhe tani kërkimet janë përqendruar në ujëra dhe rreth ishullit.
Tekstin e plotë mund ta lexoni në numrin e nesërm të Gazetës Express.