Projektet 60 milionë USD për mjedisin, Mediu raporton te BB

Ministri i Mjedisit, Mediu
Pesë projekte të rëndësishme për mjedisin, me një vlerë më shumë se 60 milionë dollarë. Janë financuar të gjitha nga Banka Botërore. Një pjesë kanë përfunduar, ndërsa të tjera priten të mbyllen muajt e ardhshëm. Mes tyre, projekti i menaxhimit të integruar i zonës bregdetare dhe projekti i pastrimit ka vlerën më të madhe. Vënia në zbatim e tij do ti japë frytet sezonin e ardhshëm turistik, pasi investimi mbyllet më 31 dhjetor të këtij viti. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, prezantoi mbarëvajtjen e punimeve gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit të tij, ku shoqërohej edhe nga deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, ai zhvilloi edhe një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të Bankës Botërore, si dhe me drejtoreshën për Shqipërinë e BB-së, me seli në Uashington, Kseniya Lvovsky. Mediu mori përkrahje nga përfaqësuesit e BB-së për projekte të tjera në të ardhmen në drejtim të mbrojtjes së mjedisit. Në këto takime, ministri Mediu u takua me zonjën Kuslum Ahmed, përfaqësuese e sektorit të menaxhimit të mjedisit dhe burimeve natyrore; zonjën Dima Umaill-Deininger, përfaqësuese e sektorit të zhvillimit rural dhe agrikulturor; zotin Frank Van Woerden, koordinator për projektet në Ballkanin Perëndimor. Një takim të dytë, mjaft të rëndësishëm dhe në Bankën Botërore, ministri Mediu kishte edhe me përfaqësuesen e Njësisë së Menaxhimit të Karbonit, zonjën Joelle Chassard, e cila u interesua për implementimin e deritanishëm të projektit të Sekuestrimit të Karbonit.
Projektet e financuara nga BB
Projekti i menaxhimit të integruar të zonës bregdetare dhe projekti i pastrimit (39 milionë USD, përfundon më 30 dhjetor 2012)
Projekti për mbrojtjen e ekosistemit të liqenit të Shkodrës (2.93 milionë USD, përfundon më 30 shtator 2012)
Projekti për zhvillimin e burimeve natyrore (19 milionë USD, i mbyllur në nëntor 2011)
Projekti për zbutjen e fatkeqësive natyrore (0.176 milion USD, përfundon në shkurt 2013)
IDF Grant ose Konventa e Aarhusit (300 mijë USD, përfundon më 31 dhjetor 2012)