Zgjedhjet te Sportet, PS: MASH të zhbllokojë procesin

Komisioni Parlamentar i Arsimit dhe Medias
Debate në Komisionin e Edukimit. Zv ministrja Malaj: Vendimi në gjykatë.
I vetmi universitet në të gjithë vendin që nuk ka kryer zgjedhjet për drejtuesit e rinj, është ai i Sporteve. Pas bllokimit të këtij procesi për shkak të një padie drejtuar gjykatës nga rektori aktual, Vesel Risvanolli, debatet kanë përfshirë dje Komisionin Parlamentar të Arsimit dhe Medias. Zv.ministrja Nora Malaj, e pranishme në mbledhje, pohoi se në këtë universitet nuk do të ketë zgjedhje derisa të shpallet vendimi i gjykatës. Por, nga ana tjetër, deputetët e opozitës përmendën disa shkelje të rektorit aktual dhe kërkuan që MASH të caktojë datën e zgjedhjeve pa u shpallur vendimi i gjykatës. Deputeti Fidel Ylli, duke iu referuar auditit të MASH, përmendi disa shkelje të rektorit Rizvanolli dhe kërkoi zhbllokimin e procesit. Janë 117 mijë lekë neto që rektori i ka vënë vetes së vet me vendim të firmosur. Dëmi ekonomik që është shkaktuar nga këto shkelje të mbledhura bashkë shkon në miliona lekë. Zhbllokoni situatën duke bërë zgjedhje. Në momentin që fiton të drejtën, le të kthehet. Nuk ia heq të drejtën njeri, as e diskriminon kush si pedagog, as i heq titullin, por ligji i arsimit e ka të përcaktuar që mandati është 4-vjeçar. Ai le të vazhdojë si profesor, si mësues që është, dhe ta zgjidhë gjykata nëse ka abuzime, tha Ylli. Relatori i Partisë Demokratike, Kreshnik Çipi, tha se në Universitetin e Sporteve nuk ka pasur asnjë shkelje. Unë jam investuar me ditë të tëra në Ministri të Arsimit. Kam biseduar qartë me drejtuesin e auditimit të brendshëm, kam thërritur zëvendësministrin dhe në asnjë rast nuk më kanë dhënë dokumentacion në lidhje me auditimin. Jemi në proces, nuk e di ku i ka gjetur zoti Ylli ato materiale. Jemi në proces dhe nuk ekziston asnjë gjë e tillë, tha Çipi. Kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj, kërkoi sqarime nga MASH lidhur me shkeljet, sipas saj, në ligjin e arsimit të lartë. A e dinte Ministria e Arsimit dhe qeveria kur paraqiti dhe miratoi ligjin për arsimin e lartë, që ky ligj, dhe konkretisht neni 50, binte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe me konventat ndërkombëtare? Sepse ca vjet përpara, kur miratuat ligjit, na thatë që nuk bie në kundërshtim dhe skeni të drejtë, tha kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, tha se ministri nuk ka të drejtë të ndërhyrjë, sipas ligjit të arsimit të lartë. Në fazën që presim vendimin përfundimtar të gjykatës dhe më pas sapo të përfundojë ky proces gjyqësor, i cili nuk i lejon palët që të bëjnë zgjidhjen e problemeve, ministri i Arsimit dhe Shkencës, me të drejtën e ligjit të arsimit të lartë, më pas do të shpallë datën për zgjedhjen dhe të këtij institucioni të vetëm, që nuk arriti të plotësojë zgjedhjen e tij, tha Malaj. Në Universitetin e Sporteve nuk u mbajtën zgjedhjet për shkak të mosmarrëveshjeve mes Senatit dhe rektorit, dhe është ky i fundit që e adresoi çështjen në gjykatë. Rektori shfaqi dëshirën për rikandidim, por rregullorja kufizonte kandidaturat për shkak të moshës. Ai paraqiti një projektrregullore që ndryshonte nenin që kishte të bënte me moshën, por Senati nuk e miratoi atë.
Risvanolli: Mu mohua e drejta
Vetë rektori aktual, Vesel Rizvanolli, është shprehur se i takon gjykatës të japë vendimin e saj. Ai ka deklaruar se për aq kohë sa gjykata nuk e ka marrë ende një të tillë, do të vijojë të drejtojë universitetin. Objekt i padisë së rektorit Risvanolli është pretendimi se i është mohuar e drejta për tu zgjedhur. Nuk mundet askush të mohojë të drejtën për tu zgjedhur në një shtet demokratik. Universiteti i Sporteve është i përjashtuar nga zgjedhjet. Ato do të zhvillohen në një fazë të dytë pasi gjykata të marrë vendimin, ka deklaruar pak kohë më parë për gazetën rektori Risvanolli.
ZIRINA LLAMBRO