E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektet, Basha merr mbështetje nga kongresmenët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i cili ndodhet në SHBA është takuar me kongresmenët Alcee Hasting, Eliot Engel dhe Jean Schmid. Gjatë takimit Basha i ka njohur kongresmenët me projektet e zhvillimit të Tiranës ku kryesore mbeten zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës dhe punësimi.
Zoti Basha tha se një nga angazhimet e tij është ta bëjë Tiranën një qytet miqësor për biznesin dhe atraktiv për investime ndërsa ka prezantuar edhe projektet e tij strategjike për Tiranën si zgjerimi i bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit si dhe ndërtimi i terminalit të pasagjerëve.
Po kështu kreu i Bashkisë bëri me dije se ekspertë të njohur të urbanistikës po punojnë për Planin e ri Urbanistik ndërsa shtoi se punësimi mbetet prioritet absolute për Bashkinë e Tiranës.
Në funksion të nxitjes së punësimit zoti Basha u bëri të ditur nismën për heqjen e taksave për katër vjet atyre që punësonjë mbi 50 punonjës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi mbështetjen nga anëtaret e Kongresit dhe veçanërisht të Engel dhe Schidt si bashkëdrejtues të Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA. Pranë institucioneve financiare amerikane për të mundësuar mbështetjen me kredi të buta për financimin e tramit, po edhe për programe të tjera si skema punësimi, stazhe për të rinjtë, mbështetje për nënat kryefamiljare etj.
Kongresmenët kanë vlerësuar vizionin e zotit Basha për zhvillimin e Tiranës, adresimin e drejtë të prioriteteve e veçanërisht përfshirjen e qytetarëve në vendimarrje siç ishte dhe diskutim për buxhetin. Engel dhe Schmid u shprehën të gatshëm për të përdorur influencën e tyre për të siguruar kredi të buta për të mbështetur projektet e Bashkisë së Tiranës.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›