Projektet energjetike, Kuvendi përfshihet në debate
PS-ja kërkon transparencën e projekteve të nënshkruara. PD-ja nuk jep shumë detaje
TIRANË- Projektet energjetike mes Italisë dhe Shqipërisë, janë shoqëruar dje me debate të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë. Ish-drejtuesi i KESH-it gjatë qeverisjes së socialistëve, Andis Harasani, ka deklaruar dje se qeveria e kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha, ka disa detyrime kushtetuese, politike dhe morale, për të shlyer ndaj qytetarëve. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Harasani ka kërkuar nga qeveria shqiptare se sa ndikojnë këto investime direkte italiane në fushën e energjisë, pra sa ndikojnë në zgjidhjen e problemit të mungesës së energjisë në vend. Deputeti i PS-së kërkoi, gjithashtu, sqarime lidhur me pjesën që do të zërë energjia e prodhuar në Shqipëri, për të shkuar në dobi të konsumatorit shqiptar. Ai ka kërkuar gjithashtu se me çfarë kushtesh është afruar kjo kontratë prodhimi energjie dhe kush do të paguajë në vlerë monetare, përveç shëndetit të shqiptarëve, për emetimin e gazrave të dëmshëm, pa llogaritur më pas edhe impaktin në mjedis të këtyre veprave. “Deri më tani, kjo transparencë ka munguar. Si deputet i Partisë Socialiste, forcës politike që po rend tashmë drejt pushtetit për të ndërtuar shtetin e qytetarëve, do të isha gati të duartrokisja, gjithashtu si sukses, depërtimin e 2.3 miliardë eurove investime direkte në vend. Por, më parë pres përgjigje për këto pyetje. Ndryshe, kam frikë se ky vend po qeveriset në formën e çifligut të trashëguar jo nga prindi, por si plaçkë e luftës, nga e cila, qytetari do të largojë e shkurtojë duart e trazovaçëve politikë”,- tha dje Harasani. Nga ana e tij, ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara me Italinë për projektet në fushën energjetike, janë transparente, pasi janë negociuar me një ekspertize të kualifikuar. Ai e cilësoi mjaft të rëndësishëm faktin se këto projekte, pas mbarimit të koncesionit 20-vjeçar, do të kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar. Ruli ka marrë si shembull ndërtimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit, me vlerë 1 miliard euro, ku ministri evidentoi përparësitë e tij në zhvillimin e vendit. "Projekti i krijon mundësi Shqipërisë të krijojë një treg të gazit për qëllime energjetike. Avantazhet që do të kemi nga ky investim prej 1 miliard eurosh, është se ai do të jetë një burim punësimi, do të përmirësojë ndjeshëm rrjetin rrugor të zonës, duke rehabilituar rreth 50 km rrugë ekzistuese dhe 70 km të tjera rrugë të reja, ndërsa të ardhurat fiskale do të jenë 30% e shumës së investimit", -tha Ruli. Ndërsa deputeti i PS-së, Andis Harasani, ka deklaruar se projekte të tilla janë në favor të vetë qeverisë italiane. “Duke hedhur një hap të tillë, eurot italiane shmangin disa rrethana të sikletshme për politikën e saj lokale: Ato nuk kapërcejnë kufirin e çlirimit të këtyre gazrave të parashikuar nga Protokolli i Kiotos, nuk dëmtojnë ekosistemet në Itali dhe lënë pas, sipas parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, atë pjesë që e kanë marrë me “qira” nga fëmijët e të ardhmes, nuk dëmtojnë të ardhmen e turizmit dhe gjithashtu nuk u hyjnë telasheve me qeveritë lokale të zonave të mundshme, ku mund të ndërtoheshin këto vepra në Itali. Thjesht, jepen paratë dhe prodhohet energjia e nevojshme, aq e dëshiruar në Itali. Pra, Kryeministri italian, me vizitën e tij në Tiranë kreu thjesht, drejt dhe direkt, detyrën për të cilën është votuar. Në këtë qerthull, është dhe ideja e ndërtimit të mundshëm të një centrali bërthamor në Shqipëri, një nga ëndrrat e shumta të Kryeministrit tonë provincial, për ta shndërruar vendin në një superfuqi bërthamore”,- tha Harasani.