Fatmira Hajdari rrëzon prokurorinë për Bashën
TIRANË- Gruaja e ish- liderit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit, ka marrë dje krahun ministrit të Jashtën Lulzim Basha duke vendosur rrëzimin e kërkesës së prokurorit Arben Kraja. Ky i fundit kishte kërkuar që Gjykata e Tiranës të mos pronanonte shqyrtimin e kërkesës së Lulëzim Bashës, për shpalljen e pavlefshme të procedurave të njoftimit të tij nga organi i akuzës me cilësinë e të pandehurit. Sipas vendimit të gjyqtares Hajdari, kërkesa e prokurorit Kraja për mos kompetencën e kësaj gjykate për shqyrtimin e kërkesë-padisë së bërë nga deputeti pa imunitet Lulëzim Basha, është e pabazuar në ligj, pasi Gjykata e Lartë shqyrton dosjen vetëm atëherë kur deputeti ka një akuzë dhe është i pandehur. Gjyqtarja Hajdari ka pohuar se në këtë rast deputeti pa imunitet Basha nuk ka akuza dhe kërkesë padia është një akt procedural i thjeshtë që Gjykata e Shkallës së Parë duhet të shqyrtojë. Këto argumente, gjyqtarja Hajdari i bazoi në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Me vendimin e ndërmjetëm të mesditës së djeshme, gjyqtarja Hajdari nuk pranoi edhe pretendimin e Prokurorisë së Përgjithshme se “Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha është njoftuar për akuzat dhe cilësimin e tij si të pandehur me anë të agjencisë postare shtetërore”, mënyrë kjo që njihet nga Kodi i Procedurës Penale, që i parë me syrin e gjyqtares Hajdari ky veprim procedural është i pavlefshëm.
Vendim i djeshëm erdhi pas dëgjimit të pretendimeve të prokurorit të çështjes Kraja, i cili kërkoi mos shqyrtimin e kësaj kërkese pasi është kompetencë e Gjykatës së Lartë shqyrtimi i kërkesë-padisë së deputetit pa imunitet Lulëzim Basha. Por mbrojtësi ligjor i interesave të ish-Ministrit të Transporteve, Basha, avokat Zef Nikaj në fjalën e tij 15 minutash kërkoi nga gjykata që të mos pranojë pretendimet e prokurorisë, duke argumentuar se kjo kërkesë padi është e deputeti që është në cilësinë e personit nën hetim, pasi ai ka kundërshtuar flet-thirrjen e organit të akuzës për njohjen me vendimin e cilësimit të tij të pandehur dhe marrjes në pyetje në këtë cilësi. “Para gjykatës, klienti që unë mbroj është nën hetim dhe është kjo gjykatë që duhet të shqyrtojë këtë kërkesë padi, pasi shtetasit Lulëzim Basha nuk i janë komunikuar akuzat dhe marrja e tij në cilësinë e të pandehurit. Pasi, është kërkesë padia e bërë ka si objekt kundërshtimin e flet-thirrjes së organit të akuzës për njohjen me vendimin e cilësimit të tij si të pandehur dhe marrjes në pyetje. Këto veprime janë procedurale dhe duhet të shqyrtohen pranë kësaj gjykate, deri sa personin nën hetim Basha të cilësohet si i pandehur”,- tha avokati Nikaj. Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, gjyqtarja Hajdari është tërhequr për vendim, ku pas 30 minutave këshillim me legjislacionin ka vendosur rrëzimin e kërkesës për shpalljen e mos kompetencës për shqyrtimin e kësaj kërkesë padi, duke kërkuar të vazhdojë më tej me seancën gjyqësore.
Menjëherë pas këtij vendimi, prokurori Kraja ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes duke e akuzuar atë për njëanshmëri. Kjo kërkesë e prokurorit, e cila pritet që të depozitohet me shkrim brenda tre ditësh, ka irrituar gjyqtaren Hajdari. Kjo e fundit ka kërkuar me zë të lartë bazën ligjore të kësaj kërkese dhe arsyen, që prokurorii çështjes i renditi duke detyruar gjyqtaren të ndërpresë seancën gjyqësore për një datë të pacaktuar.
Organi i akuzës i ka dërguar një flet-thirrje të dytë ministrit duke i caktuar orën 11.00. Avokati: Do flas me Bashën
Prokuroria: Basha të paraqitet sot në prokurori
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme thërret për herë të dytë deputetin pa imunitet Lulëzim Basha në prokurori, por, këtë radhë bashkë me avokatin e tij mbrojtës për tu njohur me aktet hetimore dhe firmosen e tyre para se dosja të dërgohet për shqyrtim gjyqësor pranë Gjykatës së Lartë. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët saktësuan se gjatë ditës së djeshme i është dërguar në zyrën e punës Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha fletë-thirrja për tu paraqitur pranë institucionit të akuzës si dhe i është dhënë një kopje e kësaj flet-thirrje edhe avokatit mbrojtës të deputetit pa imunitet. Këtij të fundit, ftuesi i Prokurorisë së Përgjithshme ia dorëzoi dje fletë-thirrjen duke ia dhënë në dorë pak minuta para fillimit të seancës gjyqësore për shqyrtimin e kërkesë-padisë së Bashës për shpalljen të pavlefshme të fletë-thirrjes për tu njohur me vendimin e cilësimit të tij si i pandehur dhe marrjes në pyetje me këtë cilësi.
Në kopjen e marrjes së fletë-thirrjes mësohet se avokati Nikaj shkroi se “edhe kjo fletë-thirrje si ajo e para disa ditëve është e paligjshme dhe i deklaroi të pavlefshme këto veprime procedurale”. I pyetur nga “Shekulli” avokati nuk preferoi të japë shumë komente në lidhje me këtë fletë-thirrje, duke u mjaftuar me shprehjen se “më kanë thërritur të paraqitem nesër (sot) në orën 11:00 të paradites, duhet të konsultohem me klientin dhe pastaj të vendos se çfarë do të bëj”. Mësohet se në objektin e kësaj fletë-thirrje, përveç cilësimit të orarit të takimit, që është në ora 11:00, në zyrën e prokurorit Arben Kraja, njoftohet edhe për arsyen e thirrjes, që është njohja me aktet hetimore që ndodhen në dosje. Ky veprim procedural, sipas burimeve nga akuza, është i nevojshëm që mbrojtja dhe i pandehuri të njihen me aktet hetimore dhe të shprehen në lidhje me to, para se prokuroria të mbyllë fazën hetimore dhe të dorëzojë dosjen për gjykim pranë Gjykatës së Lartë, e cila është kompetente për gjykimin e personave me imunitet parlamentar.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se “nëse i pandehuri Lulëzim Basha dhe avokati i tij mbrojtës Zef Nikaj nuk do të pranojnë të njihem me aktet hetimore dhe firmosjen e mbylljes së hetimeve, do të caktohet një avokat kryesisht për mbylljen e tyre dhe do t’i dërgohen me anë të korrierit të Prokurorisë së Përgjithshme një kopje e vendimit të mbylljes së fazës hetimore, kërkesa për gjykim bashkë me disa nga provat që prokuroria do të dorëzojë pranë kryesekretarisë së Gjykatës së Lartë”. Ndërkaq, me datën 27 nëntor, kur Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi deputetit Lulëzim Basha fletë-thirrjen për tu paraqitur pranë zyrës së prokurorit të çështjes që po heton dosjen e abuzimeve në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, ka refuzuar të paraqitet, duke i cilësuar këto veprime të prokurorisë si të paligjshme. Ndaj deputetit Basha tashmë rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tender” në procedurat e ndjekura për tenderimin dhe më pas shpalljen e fituesit për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash si pjesë e autostradës Durrës-Morinë në bashkëpunim me të pandehurin Andi Toma.
Në zyrën e prokurorit është paraqitur vetëm avokati mbrojtës
Andi Toma injoron ftesën e prokurorisë
TIRANË- Kanë kaluar vetëm pak ditë kur ish-Ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, injoroi ftesën e Prokurorisë së Përgjithshme për tu njohur me vendimin cilësimit të tij si i pandehur, që është bërë shkak që këtë rrugë të ndjekë edhe ish-vartësi i tij, i pandehuri Andi Toma, i cili dje ka refuzuar t’i përgjigjet fletë-thirrjes së prokurorit të çështjes Arben Kraja për tu njohur me aktet hetimore. Ka qenë avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj, i cili i është përgjigjur vetëm fizikisht deri në zyrën e protokollit kërkesës së prokurorisë, duke dorëzuar një memorie të cilën ia ka drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, dhe prokurorit të çështjes, Arben Kraja. Sipas kësaj memorie që “Shekulli” ka siguruar një kopje, thuhet se “pas njoftimit të marrë me anë të bisedës telefonike më datën 2 dhjetor, sot (dje) me datën 4 dhjetor në ora 12:00 jam ftuar si mbrojtës i të pandehurit Andi Toma për tu njohur me materialet e procedimit penal me numër 1 datë 2007. Në lidhje me sa më sipër dhe në funksion të respektimit të ligjit procedural penal ju bëjmë me dije qëndrimin tonë, i cili konsiston në mos pjesëmarrjen në kryerjen e veprimeve procedurale jashtë afatit hetimor të ndërprera me vendimin me numër 1495 të datës 18 nëntor 2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë”.
Apeli i jep pesë ditë kohë avokatëve
TIRANË- Gjykata e Apelit në kryeqytet, pas marrjes në dorë të ankimimit të prokurorisë për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë e cila me vendimin me nr. 1495 të datës 18 nëntor shfuqizoi vendimin e institucionit të akuzës për zgjatjen e afateve hetimore ndaj të pandehurit Andi Toma e Armand Teliti, i la një javë kohë mbrojtjes të përgatisë pretendimet e saj. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, togat e zeza të Gjykatës së Apelit të përbërë nga tre gjyqtarë që u caktuan me short elektronik për shqyrtimin e ankimit të Prokurorisë së Përgjithshme kundër vendimit të gjyqtarit Sokol Tona i la pesë ditë kohë mbrojtjes të përgatitet për pretendimet e tyre pro këtij vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Ku gjyqtari Tona pasi shqyrtoi kërkesë padinë e të pandehurve Toma e Teliti që tashmë është liruar nga akuza dhe pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve për shfuqizimin e vendimit të datës 6 nëntor për zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj për çështjen penale me numë 1 datë 2007, për hetimet e dosjes së abuzimeve në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash pjesë e autostradës Durrës-Kukës.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, u referohet raporteve ndërkombëtare, por edhe raportit të KLSH-së për shkeljet që i janë bërë ndërtimit të rrugës.Durrës- Kukës, PS-ja: Pro ndërtimit, por kundër vjedhjesTIRANË- Partia Socialiste ka sqaruar njëherë e mirë pozicionin e saj ndaj rrugës Durrës-Kukës, duke theksuar se ajo është pro ndërtimit, por kundër vjedhjeve që janë bërë. Në funksion të këtij qëndrimi, deputeti i PS-së, Erion Braçe, u është referuar dje në Kuvend disa raporteve ndërkombëtare, por edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Hetimi nuk është kryer nga socialistët, por nga një sërë institucionesh kushtetuese, në krye të të cilave janë përfaqësues të shtetit, që Partia Socialiste, për fat të keq, apo për fat të mirë, le ta gjykojnë shqiptarët, ka votuar kundër. Le të flasim politikisht. U tha pak më parë këtu se Partia Socialiste është armike e rrugës. Sot në mëngjes, nga faqja e Këshillit të Ministrave shkarkova këtë njoftim, që i referohet datës 7.10.2003, në të cilin thuhet: "Sot u mblodh Këshilli Kombëtar i Rrugëve, në drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, i cili mori në shqyrtim vizibilitetin e rrugës Durrës-Morinë, me financim të Bankës Botërore…" Pra, kjo rrugë është miratuar që në 7.10.2003, projekti për të cilin po bëhet fjalë. Një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave, është ai i 7.12.2004, me koncesion…Po thoni që ne kemi hedhur baltë mbi rrugën. Ju sugjerojmë të lexoni akoma më tutje, më 24.12.2007, ku përfaqësuesi i FMN-së referon se, shqetësimi ynë qëndron mbi koston dhe në rrezikun fiskal që del nga kontrata e këtij projekti, i cili është kontraktuar jashtë kornizës normale. Kjo akuzë nuk vjen nga ne, por nga të tjerët. Kemi, gjithashtu, edhe shefen e Bankës Botërore për Europën Juglindore, që ka deklaruar, se projekti i kompanisë ka kaluar pa procesin e konkurrimit. Kjo nuk është mënyra e kontraktimit që ne e këshillojmë qeverinë të ndërmarrë. Ne jemi për një proces transparent dhe e theksoj, konkurrues",- tha dje Brace, duke shtuar se këto shqetësime kanë ardhur nga një sërë institucionesh, jo kushtetuese apo të pavarura, që monitorojnë zhvillimet ekonomike dhe sociale në Shqipëri si, Banka Botërore apo FMN-ja. Deputeti i PS-së i është referuar dje edhe raportit të KLSH-së. “Do t'i referohem raportit të KLSH-së, në fq. 141, ku kryetari ka bërë një sugjerim me vlerë, që në janar të 2008-s, kur ishin paguar vetëm 180 mln euro, dhe vlera nuk kishte shkuar 500 mln euro, ku thotë: "I rekomandojmë qeverisë për rishikimin e shtojcës 1, për çmimet njësi të kontratës, për t'i aplikuar për çmimet njësi të aplikuara deri tani në tregun shqiptar." Rekomandimet e KLSH-së nuk u morën parasysh dhe ka ndodhur ajo që u thashë në seancën që shkoi, që kemi një rrugë 53 km nga Tirana në Durrës, të gërmuara 8 kate pallati dhe me gjerësi 21 m. Pas gjithë kësaj, unë e pres Kryeministrin që të marrë përgjegjësi për këtë dhe jo siç e bëri para dy ditësh, kur doli e mori rolin e plakave të bregut të lumit të Vlorës, apo të kodrave të Delvinës, që marrin gjithë përgjegjësinë për mbjelljen e hashashit për djemtë që janë zhdukur, për t'i shpëtuar policisë. I themi të mos rrijë në ajër, por të zbresë në tokë dhe të shkojë në Prokurori”,- tha Braçe.