E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet për në shkurt miratimi i listës së barnave me rimbursim

Eljona Lata

Miratimi i listës të barnave me rimbursim do të shtyhet për t’u miratuar në fund të muajit shkurt. Sipas zëdhënses së Ministrisë së Shëndetësisë, Mira Zoto, në fund të muajit shkurt do të mblidhet komisioni në ISKSH për të vendosur për miratimin e listës për vitin 2010. Sipas rregullores, lista miratohet në fillim të çdo viti. Por për këtë vit lista e propozuar e barnave me rimbursim u shty për shkak të kthimit mbrapsht nga Ministria e Financës. Specialistët e këtij dikasteri e cilësuan këtë listë mjaft të lartë dhe të papërballueshme nga buxheti i shtetit për sa i përket kostos që kishte. Ndërsa ministria e Shëndetësisë u kundërpërgjigj me një deklaratë ministrisë së Financave duke i thënë se nuk lista e barnave me rimbursim nuk ka kosto kaq të lartë. Burime pranë ministrisë së Shëndetësisë problem mbetet rritja e çmimit të euros në kursin e këmbimit të valutës.
Miratimi i listës
Pas kthimit të listës së barnave me rimbursim nga ana e ministrisë së Financave për shkak të faturës së lartë, u vendos që miratimi i saj të bëhet në fund të shkurtit. Problemi i vetëm mbetet rritja e çmimit të euros në kursin e këmbimit të valutës dhe jo fondi i lartë i vendosur në dispozicion për ilaçet që do të rimbursohen. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, ky fond nuk është më i lartë se ai i një viti më parë. Këto kanë qenë argumentet e dhëna nga Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë se lista e barnave është e balancuar deri në detaje. Disa nga ilaçet, të cilat konsiderohen të shtrenjta, janë për pacientët që trajtohen nga problemet e gjakut, barnat postransplantin, apo një grup ilaçesh për pacientët me insuficiencë renale, probleme në veshka. Nga ana tjetër, lidhur me çmimin e euros në tregun e valutës, zhvlerësimit apo vlerësimit të lekut, Shoqata e Grosistëve dhe përfaqësues të ISKSH-së ranë dakord që çmimi me të cilën do të llogaritej tregtimi i barnave do të ishte sipas raportimit të kursit mesatar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë.
Lista e barnave
Pas diskutimeve dhe balancimit të fakteve është rënë dakord që kjo listë do të jetë më shumë e ngjashme me listën e fundit te barnave me rimbursim, atë të vitit 2009. Edhe pse këtë herë aprovimi dhe dorëzimi i projektvendimit ka qenë i parakohshëm por miratimi është vonuar, duke u shtyrë me dy muaj më vonë. Ky vendim është marrë që në muajin shtator nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ministri ka përcaktuar kategoritë që do të përfitojnë nga kjo listë, do të jenë pacientët kronikë, pensionistet. Lista e re e barnave me rimbursim pritet te miratohet nga qeveria. Kjo duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit te euros. Sipas vendimit për barnat, çmimi i këmbimit llogaritej me 125. Lista e re e barnave nuk pritet të ketë ilaçe tepër të shtrenjta. Por talasemiket, pensionistët, pacientët kronike, do te vazhdojnë të rimbursohen. Duhet pasur parasysh do të veprohet edhe nëpërmjet rimbursimit spitalor. Jo të gjithë pacientet mund të përfitojnë nga lista e barnave, nga lista do te përfitojnë kategoritë e përfshira në listë deri tani.

Box

Çfarë përmbante lista e vitit 2009
Lista e barnave me rimbursim për vitin 2009, e propozuar është miratuar menjëherë nga Ministria e Financave. Ndryshe nga ky vit në listën e viti 2009 është pasuruar me 31 barna të reja nga 74 alternativa tregtare barnash. Ajo përmbante 405 barna që janë 233 principe aktive apo 944 alternativa tregtare. Fatura financiare për 405 barnat që kishte lista e vitit 20të kaluar parashikohet të kapte shifrën 4.7 miliardë lekë të reja. Kjo liste përmbante barna mjaft të shtrenjta, të cilat futeshin për herë të parë në listën e rimbursimit. Me këto barna do trajtoheshin pacientët me sëmundje të rënda, sikurse janë leucemia, infeksionet post-transplant. Kryesisht, nga lista e barnave me rimbursim, përfitojnë pensionistët, të cilët janë kategoria me sëmundshmërinë më të lartë, kjo edhe si pasojë e moshës. Pavarësisht se një pjesë e mirë e tyre përfitojnë nga lista e barnave, për të marrë ato ilaçe për të cilat kanë paguar “kuota” në formën e kontributeve gjatë viteve, një pjesë e konsiderueshme janë të detyruar të blejnë barna edhe jashtë kësaj liste. Rreth 25 mijë pensionistë blejnë barna jashtë listës së rimbursimit. Këto ilaçe janë të shtrenjta, përdoren kryesisht për të trajtuar sëmundjet kronike nga e cila vuan më tepër mosha e tretë.

Box

Barnat

Lista e plotë me barnat e rimbursueshme është e përbërë nga 450 medikamente. Fatura financiare për 405 barnat që ka lista e vitit 2009 është 4.7 miliardë lekë të reja. Megjithatë, shumëllojshmëria e sëmundjeve që ndjek jetën e çdo njeriu kërkon një kosto tepër të lartë për kurim. Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme në përzgjedhjen e barnave të rimbursueshme merr parasysh kriteret për sigurinë, koston, përparësinë e barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda. Vitin e kaluar lista u shtua me 21 barna dhe formë-doza, të cilat u bënë të ditura nga ISKSH-ja. Ndërsa në dallim nga ky vit, lista u shtua me 9 barna më tepër që u shtuan në listë.

Përfituesit kryesor të rimbursimit të barnave
Pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe kronike janë përfituesit më të mëdhenj të barnave falas apo me gjysmë çmimi nga rimbursimi i barnave. Barnat me rimbursim mund të merren sipas përcaktimit të ISKSH-së dhe kategorive që janë përcaktuar nga specialistët. Pacientët që përfitojnë më tepër nga rimbursimi i barnave janë të moshuarit dhe fëmijët, të cilët i përfitojnë falas medikamentet. Ndërsa pjesa tjetër e të siguruarve, përfitojnë në masën e përcaktuar nga ISKSH-ja për rimbursimin e barnave për këto kategori. Rimbursimin më të lartë të barnave për këtë vit e kanë sëmundjet e rënda, siç janë tumoret, sëmundjet e zemrës, gjakut, veshkave etj. Por, një vend të rëndësishëm për rimbursimin e barnave e zënë sëmundjet kronike, të cilat kërkojnë kurim të vazhdueshëm dhe përdorimin e më tepër medikamenteve.
Ankesat për listën e barnave të rimbursueshme janë venë gjithmonë në qendër të vëmendjes nga shoqata e pensionistëve, të cilët kërkojnë më shumë cilësi dhe barna. Edhe për këtë vit, pensionistët janë ankuar për shkak të cilësisë së dobët të barnave që u janë rimbursuar. Sipas tyre, në listën e rimbursimeve janë barnat që janë më të lira dhe që japin më pak efekt për kurimin e sëmundjeve. Për këtë arsye, ata ankohen se nuk u japin efekt barnat e marra nga rimbursimi dhe shpeshherë detyrohen të blejnë barna të tjera të së njëjtës familje, por më cilësore dhe me një kosto më të lartë. Madje, pretendimet e tyre janë se edhe formëdozat e miratuara nga specialistët janë të një cilësie të dobët.

27 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›