E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngujohen 3 fëmijët e Besim Karajt, frikë nga hakmarrja



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Familja e Besim Karajt, i cili vrau tre vëllezër në fshatin Vidohovë të Devollit, është ngujuar prej 3 muajsh. Frika e një hakmarrje të mundshme nga të afërmit e viktimave ka detyruar bashkëshorten e të dënuarit me 25 vjet burg dhe tre fëmijët e tij të mos dalin më larg se pragun e shtëpisë. Masa e dënimit që gjykata vendosi për autorin që vrau Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mullirin solli reagim të ashpër të të afërmve të vëllezërve. Që në fund të muajit janar, kur ndodhi tragjedia e rëndë, fëmijët dhe gruaja e Besim Karajt jetojnë me frikë dhe madje janë ngujuar. Ata ruhen natë e ditë prej dy efektivëve të komisariatit të Devollit. Por kjo nuk i siguron ata që të dalin jashtë, duke shënuar kështu një rast të rrallë ngujimi në rrethin e Devollit. Fjalët e përhapura në fshat, se familja e viktimave nuk do ta vonojë hakmarrjen, ka bërë që Eglantina Karaj të mbyllet brenda me tre fëmijët e saj, Gonxhen 12 vjeçe, Jonadorin 9 vjeç dhe vajzën e vogël, Grasiela 5 vjeçe. Më e madhja e tre fëmijëve, Gonxhja, u shpreh se prej tre muajsh ajo është izoluar në banesë, ndërsa nuk mund të vijojë më as shkollën. “Kam tre muaj që nuk shkoj në shkollë sepse kam frikë. Qëndroj e mbyllur në shtëpi dhe luaj me vëllain e motrën, por nuk dal dot jashtë me shoqet e shokët. Unë kam nevojë të shkoj në shkollë, pasi kam mbetur mbrapa me mësimet”, thotë e përlotur 12-vjeçarja. E mitura tregoi se gjatë kësaj kohe, vetëm dy herë i kishte ardhur mësuesi në shtëpi për ta mësuar, por më pas edhe ai nuk ishte dukur më. Pavarësisht se ruhen ditë e natë me forca të policisë, nëna e tre fëmijëve, Eglantina Karaj, nuk e fshehu frikën e një hakmarrjeje, sidomos për djalin e saj. “Nuk na sigurojnë përkrahje. Kemi frikë sepse babai i fëmijëve është gjallë, prandaj kemi vendosur të jetojmë të izoluar, kështu në ngujim”, shprehet 29-vjeçarja. Ajo ndihet e pasigurt, ndaj kërkon ndihmën e shtetit për t’i garantuar asaj sigurinë e tre të vegjëlve të saj.
“Kam shumë frikë se do të më vrasin djalin. Unë nuk mund të jetoj më këtu në këtë fshat me fëmijët. çdo ditë për ne bëhet edhe më e vështirë, sepse nuk kemi as me se të ushqehemi. Më ndihmon babai im me të ardhura”, thotë nëna e tre fëmijëve, lidhja e së cilës me njërin nga vëllezërit Mulliri u bë edhe shkaku i tragjedisë së ndodhur. “Kemi kërkuar që të na transferojnë nga fshati ynë dhe të na sigurojnë një pension për fëmijët. Nuk kam se me çfarë t’i rris ata. Kam kërkuar që të më japin ndonjë vizë mua dhe fëmijëve që të largohem nga Shqipëria, por deri tani asgjë nuk është bërë”, u shpreh 29-vjeçarja. Ajo e ka të qartë se nuk mund të vazhdojë të jetë e mbrojtur vazhdimisht nga policia dhe se një ditë mund të paguajnë me çmim të rëndë vrasjen e trefishtë që kreu Besim Karaj. Ndonëse askush deri më sot nuk e ka kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejt, sërish gruaja e re ka frikë dhe nuk ndihet e sigurt në fshatin e saj. Pas vrasjes së tre vëllezërve Mulliri, të afërmit e tyre kanë ngritur një lapidar në vendin ku Besim Karaj kreu ekzekutimin. Edhe pse jetojnë në anën tjetër të fshatit, të afërmit e viktimave kalojnë herë pas here pranë këtij vendi, duke bërë nderimet e tyre te lapidari.

Tragjedia e Vidohovës

Besim Karaj vrau më 29 janar 2010 tre vëllezërit, Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mulliri. Shkak ishte bërë lidhja intime e njërit prej tyre me bashkëshorten e autorit, çka u pranua si nga Karaj dhe nga familjarët e vëllezërve Mulliri. Karaj i ekzekutoi vëllezërit në mes të fshatit dhe më pas u largua maleve, duke përfunduar në banesën e vëllait të tij në Fushë-Krujë. Por pas negociatave të këtij të fundit me policinë, Karaj u vetëdorëzua. Ai pranoi autorësinë e krimit të rëndë, duke pohuar se i kishte vrarë për nder. Karaj shfaqi pendesë vetëm për dy prej viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›