Projekti i BB-së dhe bashkia, ja shtëpitë që shemben në Tiranë
Projekti i Bankës Botërore dhe Bashkia e Tiranës shkatërruan banesat e romëve në Kodrën e Priftit, në lagjen “Ali Demi”, te Brryli, në Laprakë etj. Kjo pasi po hartohej plani i Tiranës me fondet e BB-së. Shtëpitë e prishura në proces ose në pritje të legalizimit, ndryshe nga ndërtimet pa leje në bregdet që ishin përjashtuar nga legalizimi
Projekti i Bankës Botërore në Tiranë dhe Bashkia e Tiranës kanë zhvendosur familjet rome nga banesat e tyre, duke ua shkatërruar ato përgjatë disa muajve rresht. Pikërisht këta banorë, shtëpitë e të cilëve janë prishur nga Policia Ndërtimore gjatë muajve të fundit, do të kërkojnë kompensim, pasi ndërtesat e tyre ishin në proces legalizimi ose do të legalizoheshin, ndryshe nga ato që ishin ndërtuar pa leje në bregdet, të cilat ishin përjashtuar nga legalizimi.
Prishja e shtëpive të tyre është kryer në bazë të projektit të zyrës së Bankës Botërore dhe Bashkisë së Tiranës, në tri faza të ndryshme gjatë nëntë muajve të kaluar. Familjet rome u zhvendosën nga shtëpitë e tyre, pasi këto ndërtesa ishin ilegale, ndërkohë që deklaruan dje se do të kërkojnë dëmshpërblim nga institucionet përkatëse.
Historia
Prishja e shtëpive rome është kryer gjatë 3, 8 dhe 9 muajve më parë, pas një vendimi të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në nëntor, një sërë shtëpish janë prishur nga fadromat e Policisë Ndërtimore në Kodrën e Priftit. Ndërkohë në muajt maj dhe prill janë prishur 15 shtëpi në lagjen “Ali Demi” dhe 12 të tjera në Laprakë. Gjatë kësaj periudhe po hartohej plani urbanistik i kryeqytetit me fonde të administruara nga Banka Botërore.
Në të gjitha këto raste ka pasur përplasje mes policisë dhe banorëve, pasi shumë prej këtyre shtëpive ishin në proces legalizimi ose në pritje të legalizimit të tyre. Ata deklaruan se shtëpitë e tyre, ndonëse nuk ishin të regjistruara në Hipoteka, ishin një rast i veçantë, pasi rezultonin të ndërtuara përpara viteve `90. “Ne kemi në këto shtëpi prej dy brezash, është absurde që të na i prishin tani”, – u shpreh në atë kohë një prej banorëve, shtëpia e të cilit u prish nga Policia Ndërtimore.
Reagimet
Rastet e prishjes së banesave të popullsisë rome, në mënyrë sistematike, nga zyra e Bankës Botërore kishte jehuar edhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kishin dalë kundër ekzekutivit të bashkisë në lidhje me prishjen e këtyre ndërtesave dhe e kishin cilësuar vendimin e kryetarit Rama si të paligjshëm.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj, kishte deklaruar gjatë prishjes së shtëpive në rrugën “Ali Demi” se “një veprim i tillë është i paprecedentë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të bashkohet me prishjen e shtëpive të qytetarëve”.
Familjet rome tashmë do të kërkojnë kompensim për ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës, për shkak të projektit të Bankës Botërore. Familjet deklaruan dje se do të protestojnë dhe do të ndjekin rrugën gjyqësore për plotësimin e kërkesave të tyre.