Diplomat; Edhe Durrësi në protesta
Studentët e Degës së Infermierisë në Shkollën e Lartë Profesionale, pjesë e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit kërkuan dje barazimin e diplomave të tyre me ato të fakulteteve të tjera të këtij universiteti. “Dega e Infermierisë ka 135 studentë që kryejnë një cikël 3-vjeçar studimesh, krejt ndryshe nga tetë degët e tjera me cikël 2-vjeçar të SHLP-së në këtë universitet”, - tha kryetarja e Qeverisë Studentore, Miranda Hallulli. Ajo shtoi se studentët e Durrësit kërkojnë kthimin e kësaj dege në një Fakultet të Shkencave të Aplikuara, çka mundëson njohjen e diplomave të tyre në tregun e punës. Sipas të njëjtit burim, rektorati dhe stafi akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu” e kanë mbështetur nismën e studentëve dhe tashmë kërkesa e tyre është paraqitur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Hallulli tha se në vitin e tretë dhe të fundit të Degës së Infermierisë përgatiten 28 studentë.
MASH-PS, përplasje për diplomat
Ministria e Arsimit dhe Partia Socialiste janë përplasur dje për çështjen e diplomave. Koordinatorja e Partisë Socialiste, znj. Ledi Shamku, deklaroi se një i sapodiplomuar në një degë mësuesie, nuk mund të vazhdojë thellimin e studimeve në fushën ku ka përfunduar. Por, Ministria e Arsimit duke iu referuar udhëzimeve deklaroi se diçka e tillë është e pavërtetë dhe se studentët mund të vazhdojnë në çdo degë që preferojnë.
“Sipas standardeve të parashkruara nga Karta e Bolonjës, çdo student që pas katër vitesh shkollimi diplomohet mësues, e ka patjetër rrugën hapur të vijojë më tej studimet në shkallët master e doktoraturë. Por sipas rregullores abuzive që ka hartuar Ministria e Arsimit, një të sapodiplomuari për mësues i thuhet sot të ndjekë çdo lloj "specializimi", me përjashtim të degës ku ka studiuar. Pra karriera e tij profesionale, por edhe ëndrra e të gjithë atyre që duan të bëhen mësues, shuhet se kështu do MASH-i”, – tha Shamku. Por menjëherë ka reaguar Ministria e Arsimit, duke thënë se “të gjithë të diplomuarit e ciklit të parë të fakulteteve të Mësuesisë, nëse dëshirojnë, mund të vijojnë studimet e thelluara në ciklin e dytë a të tretë dhe të marrin një diplomë të nivelit të dytë, master të nivelit të dytë apo doktoraturë, sipas fushës së studimit të ndjekur dhe përzgjedhjes së tyre”. MASH ftoi Partinë Socialiste të lexojë ligjin për Arsimin e Lartë dhe udhëzimet përkatëse për diplomimin e mësuesve, të diskutuar e hartuar në bashkëpunim me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe të Shkencës, stafet drejtuese dhe specialistët e fakulteteve të mësuesisë.