E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama sfidon vendimin: Buxheti u miratua



Ndonëse praktikat e Këshillit Bashkiak përcaktojnë se buxheti i Tiranës nuk u miratua, kryebashkiaku Rama deklaroi se projekti mori shumicën e votave. Në një konferencë për shtyp, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, tha dje se do të çelet buxheti, pasi 29 këshilltarë dhanë votën pro. I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj, i cili tha se votimi ishte nul dhe se nuk ka asnjë vlerë juridike, pasi për shkak të kaosit të krijuar në sallën e mbledhjes, votimi u anulua.

Rama: Buxheti u miratua

Duke folur në mjediset e bashkisë, kryetari Rama falënderoi: “Këshilltarët e forcave të tjera politike që së bashku me 22 këshilltarët socialistë e socialdemokratë e çliruan buxhetin e kryeqytetit, duke kapërcyer kufijtë partiakë e duke i dhënë jetë me 29 vota, një aleance qytetare, jo kundër pakicës së bashkuar PD-LSI, por pro Tiranës sonë të përbashkët”. Duke e marrë të mirëqenë miratimin e buxhetit, kryebashkiaku Rama iu drejtua qytetarëve se “cilido qoftë reagimi i pakicës së djeshme ndaj votimit të djeshëm, zëri juaj është dëgjuar fort me votën e 29 këshilltarëve. Interesat tuaja e të qytetit tonë të përbashkët janë mbrojtur qartë me votën pro buxhetit tuaj. E ardhmja ka kapërcyer përsëri pengesën e së shkuarës dhe ne do të ecim së bashku përpara, me punën tonë për Tiranën sot dhe për të gjithë Shqipërinë e pas 144 ditëve”.

Ai akuzoi edhe njëherë Lëvizjen Socialiste për Integrim për bashkim votash me PS-në, duke thënë se tashmë ky bashkim është kryer edhe për të prishur votimin. “Pavarësisht të gjithave, as unë dhe asnjë prej qytetareve dhe qytetarëve që kanë votuar më 18 shkurt për koalicionin tonë, apo për grupin e Ilir Metës, nuk do të donim sot, që pasi u bashkuan me Sali Berishën për të bllokuar buxhetin, Iliri të bashkohej me Sali Berishën për të prishur votimin e ligjshëm transparent dhe të fiksuar nga të gjitha kamerat, pro buxhetit”, – deklaroi Rama.

Dervishi: Rama mori rolin e sekretariatit

Por kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj, kundërshtoi deklaratat e kryebashkiakut Rama, duke bërë të ditur se votimi nuk ishte i rregullt, e si pasojë nuk është miratuar buxheti. “Votimi i djeshëm, e përsëris dhe njëherë, bëhet nul. Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjet e këshillit, sepse nuk janë respektuar procedurat dhe rregullorja e këshillit”, – tha Dervishaj. Duke iu referuar rregullores së Këshillit Bashkiak, Dervishaj citoi detyrat e sekretariatit, të cilat janë “të njoftojë kryetarin për pjesëmarrjen e këshilltarëve në mbledhje, numëron votat e këshilltarëve që marrin pjesë në votim të hapur dhe njofton kryetarin për rezultatin e tij”.

“Praktikisht kjo procedurë nuk është zbatuar, sepse kryetari i bashkisë mori përsipër dhe detyrën e sekretarisë së këshillit, ndërkohë që në sallë u shkaktua një kaos dhe votimi nuk përfundoi”, – deklaroi z. Dervishaj.

Ai u bëri thirrje ekzekutivit të bashkisë dhe forcave politike të Këshillit Bashkiak, që të ulen në dialog dhe të gjejnë zgjidhjet më të mira të mundshme. Të reflektohet për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të vijnë përsëri në këtë sallë dhe me një kulturë të ndryshme komunikimi”, – deklaroi Dervishaj.

PDK dhe “Poli i lirisë” zyrtarizojnë bashkimin e votave me PS-në

Partia Demokristiane dhe partitë e tjera të aleancës “Poli i lirisë” kanë konfirmuar sot votën e tyre pro buxhetit të bashkisë, duke bashkuar votat me Partinë Socialiste dhe Partinë Socialdemokrate në Këshillin Bashkiak.

Partia Demokristiane përsëriti sot se përfaqësuesi i PDK-së në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit ka votuar dje pro projektbuxhetit të paraqitur nga Bashkia e Tiranës.

“PDK e ka gjykuar dhe e gjykon të gabuar vendimin e këshilltarëve që përfaqësojnë parti të mazhorancës dhe të opozitës në këshill për të bllokuar buxhetin e bashkisë së kryeqytetit, ndërkohë që ata vijnë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak pa asnjë alternativë zgjidhjeje”, – bëri të ditur kjo parti.

Sipas PDK-së, është e qartë se vendimi i këtyre këshilltarëve nuk motivohet nga interesat e qytetarëve të kryeqytetit, po nga interesat e ngushta partiake në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe të Partisë për Drejtësi dhe Integrim kanë konfirmuar votën pro buxhetit të propozuar nga kryebashkiaku Rama.

PD: Rama, spektakël të shëmtuar për të fshehur vjedhjet

Këshilltarët e Partisë Demokratike deklaruan dje se kaosi i krijuar nga kryebashkiaku Rama, që solli si pasojë anulimin e votimit, kishte për qëllim fshehjen e abuzimeve me buxhetin e bashkisë. Këshilltarët, Ferdinand Poni, Flamur Noka dhe Gent Strazimiri, në emër të grupit demokrat thanë se e vetmja arsye e situatës së krijuar dje në këshill ishte tentativa për të mos futur në buxhet fondin e komunitetit, që kryebashkiaku Rama e ka ruajtur për ta alokuar me vendim vetjak. Ata dolën përpara kamerave për të denoncuar “spektaklin e shëmtuar dhe të rrezikshëm që Edi Rama u shiti qytetarëve të Tiranës në vend të buxhetit lokal që ata prisnin”. Kryetari i këshilltarëve demokratë, Ferdinand Poni, deklaroi se kryebashkiaku Rama u kap në flagrancë me 14 milionë euro, të destinuara për të plotësuar “nevojat e organizatës bazë të partisë së tij, apo blerjen e mediave”. Sipas këshilltarëve të Partisë Demokratike, “provokimi, zhurma, kakofonia, mashtrimi dhe rrugaçëria që kryetari i Bashkisë Tiranë shfaqi personalisht, kishin vetëm një qëllim; të fshihnin të vërtetat e hidhura të projektbuxhetit, të fshihnin shkeljet flagrante ligjit, të cilat i zbuloi grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike”. Ata thanë se Rama i refuzoi qytetarëve dhe qytetit të Tiranës edhe rreth 14 milionë euro të tjera, që këshilltarët e Partisë Demokratike propozuan të shtoheshin në buxhetin e investimeve të reja për vitin 2009, duke shkurtuar shpenzimet e pafund të personelit dhe të administratës së fryrë pa fund dhe për qëllime personale e elektorale nga Edi Rama.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›