Projekti i FIA per sigurine rrugore

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të automobilizmit, një prej ish-drejtuesve kryesorë të skuterisë Ferrarri në Formula 1, Zhan Tod, ka ardhur në Tiranë me qëllim e lançimin e projektit të dekadës së sigurisë rrugore. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, Tod ka prezantuar detajet e këtij projekti. Plani i veprimit të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizimit për sigurinë rrugore konsiston në një fushatë globale që fokuson burimet e federatës për të ndihmuar klubet e saj anëtare në të gjithë botën duke bërë thirrje për rrugë, sjellje dhe mjete të sigurta. Qëllimi i fushatës është që të reduktojë numrin e aksidenteve pasi çdo vit vriten 1,3 milionë njerëz në aksidente rrugore ndërkohë që plagosen mbi 50 milionë të tjerë. “I bëra një panoramë zotit Tod për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e Kodit Rrugor, rritjen e financimeve për sinjalistikën në rrugë” vuri në dukje ministri Olldashi. Sipas tij, strategjia e miratuar për sigurinë rrugore ka për qëllim reduktimin e aksidenteve në masën 30-50 përqind.