Projekti i Kalsë së Lezhës po zbatohet, Karaiskaj: Këshilli i Arkeologjisë nuk e ka miratuar
Tiranë- Dhënia e monumenteve të kulturës me qira apo koncesion, disa prej tyre deri në rreth 100 vjet, nisma madhore më e fundme e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve, ka ngjallur jo pak kundërshti ndër specialistë. Ndonëse shumë prej tyre nuk përjashtojnë mundësinë e dhënies me qira, të gjitha ndalen në një çështje, atë të rrezikimit serioz të monumenteve nga ndërhyrjet që në të shumtën e rasteve deri tani kanë rezultuar të jenë të pakontrolluara.
Flitet për një listë e cila përmban rreth 40 monumente të cilat do të jenë në dispozicion të investitorëve privatë, e për profesor Gjerak Karaiskajn, problemi nis prej këtu, te lista.
Nuk mund të mendohet që të flitet për rivitalizim të monumenteve dhe këtë ta bëjmë me lista. Është absurde! E them këtë sepse çdo specialist, edhe më modesti në fushat e trashëgimisë e di mirë që kur flitet për monumentet dhe rivitalizimin e tyre, duhet të ketë projekte të detajuara. Rivitalizimi nuk bëhet me lista duke i lënë ato në duart e privatëve, por me projekte të cilat duhet të mbikqyren deri në detaj pasi është shumë e lehtë që me një ndërhyrje fare të vogël, monumeti të humbasë vlerën e tij- thekson studiuesi Karaiskaj në argumentimin e tij për këtë çështje.
Si një shembull suksesi nga institucionet e monumenteve dhe kupola e kulturës, pra ministriaserviret rivitalizimi i Kalasë së Lezhës.
Ndërsa studiuesi i vetëm i kalave mesjetare në vend, Proferor Gjerak Karaiskaj, këtë herë në rolin e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë pohon: Projekti për Kalanë e Lezhës nuk është miratuar. Kjo është e detyrueshme të ndodhë përpara se të nisin punimet, por unë nuk jam në dijeni që këshilli ku unë jam anëtar të jetë mbledhur dhe ca më pak të jetë miratuar projekti për të. Të paktën unë nuk kam dijeni për këtë.
Në analizën e tij për këtë kala, studiuesi Karaiskaj pohon: Mund tju them që në mos qoftë kalaja më e rëndësishme në vend për historinë e shqiptarëve dhe kulturën e tyre, mund tju them që është ndër dy apo tre më të rëndësishmet. Aty janë bërë bashkë shtresat kulturore prej shekullit të IX deri në shekullin e XVIII kur kalaja nuk përdorej më. Andaj edhe çdo ndërhyrje në këtë monument duhet të mendohet mirë sepse zhduken gjurmë të cilat është fatale ti zhdukim.
Gjerak Karaiskaj nuk është i vetmi që ka dhënë alarmin për këtë çështje. Prej kohës kur ishte ende një projekt, por edhe të tjerë studiues si Lorenc Bejko apo Artan Shkreli kanë reaguar ashpër ndaj kësaj ndërhyrjeje në kalanë me të cilën lidhet një ndër periudhat më të rëndësishme në Historinë e Shqipërisë, periudha e Skënderbeut. Por jo vetëm kaq, bëhet fjalë për ekzistencën e një Akropoli antik, në një qytet antik, siç është ai i Lezhës i cili sipas studiuesit Karaiskaj, do të transformohet në përfundim të zbatimit të këtij projekti.
Të gjendur përballë këtij fakti dhe kësaj liste, studiuesi Gjerak Karaiskaj bën një thirrjeqë të mos zhbëhet pasuria e njerëzimit, pra ato monumente të cilat nuk janë thjesht dhe vetëm shqiptare, por qendra të cilat janë më shumë se kaq, monumente të cilat janë të një rëndësie të madhe, dhe qendra antike në Shqipëri ka jo pak.
Rivitalizimi i monumenteve të kulturës u shpall si prioritet nga Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi në nisje të muajit janar. Më pas drejtori i monumenteve Apollon Baçe foli për një listë që përmban 40 monumente, dhe në mbledhjen e qeverisë së 1 shkurtit, kryeministri i vendit Sali Berisha e cilësoi këtë një nismë të jashtëzakonshme. Përkundër këtyre, specialistët e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë listë dhe dhënien e monumenteve me qira duke paralajmëruar shkatërrimin e pakthyeshëm të tyre.
Nga Anisa Ymeri
Shkrime të tjera me interes:
- Ligji i informimit, TIA: Nuk zbatohet nga administrata shqiptare Tiranë- Administrata shtetërore në vendin tonë nuk i përgjigjet kërkesave...
- Rivitalizimi i monumenteve dhe turizmi, prioritete të MTKRS-së Rivitalizimi i monumenteve të kulturës do të jetë një ndër...
- Naço: Nëse zbatohet rregullorja s’do ketë më përmbytje Tiranë- Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës Nasip Naço deklaroi dje...