E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i Semanit, projekti më i rëndësishëm rajonal në fushën e energjisë

Ministri i Energjisë dhe i Industrisë së Katarit shpreh interes të madh për bashkëpunim në projekte të gazit në Shqipëri

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të vizitës në Katar, zhvilloi dje një takim me Ministrin e Energjisë dhe Industrisë së vendit aziatik, Abdullah bin Hamada al-Attiyah.
Ky takim u zhvillua për të diskutuar më hollësisht lidhur me bashkëpunimin në fushën e energjisë. Në takim, ku mori pjesë dhe Shefi Ekzekutiv i Qatari Petroleum Company -QPC, u diskutua lidhur me realizimin e projektit LNG në zonën e Semanit, si projekti më i rëndësishëm në fushën e energjisë për vendin dhe për rajonin, një projekt me vlerë rreth 2,5 miliardë dollarë.
Ministri i Energjisë shprehu gjithashtu interesimin që të studiojnë edhe mënyrat e shfrytëzimit të depozitave natyrore të gazit që ekzistojnë në Shqipëri, si dhe fusha të tjera bashkëpunimi në sektorin e energjisë nëpërmjet QPC.
Një grup ekspertësh teknikë të kompanisë do të vijnë për të diskutuar me grupet e ekspertëve vendas për të konkretizuar idetë e diskutuara.
Gjatë bisedës, ministri i Energjisë së Katarit shprehu vlerësimet më të larta për zhvillimet në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në kontributin e kryeministrit Berisha në hartimin e politikave në përkrahje të investimeve të huaja dhe në suksesin e reformave e revolucionin fiskal, hapa të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë një histori suksesi për investimet e huaja për shumë kompani të mëdha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›