Sukseset e kabinetit “Berisha” gëzojnë vlerësimin e të djathtës gjermane
Kryeministri Berisha i ftuar special nga Fondacioni Konrad Adenauer
TIRANE - Sipas një njoftimi më të fundit për shtyp të Fondacionit Konrad Adenauer në Berlin, Kryeministri shqiptar dhe Kryetar i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, do të jetë i ftuar special në njërën nga seritë e simpoziumeve me temë përkujtimin e lëvizjeve antikomuniste dhe rrëzimin e diktaturave në ish-vendet e Lindjes në vitet 1989-1990.
Njoftimi bën të ditur ndër të tjera se “kryeministri shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha, i ftuar special në takimin e së mërkurës, 18 mars 2009, ora 18.00 në Akademinë e Fondacionit Konrad Adenauer në Berlin, do të referojë me temën: “Vitet 1989/90: Kthesa në Shqipëri”. Më tej, në njoftim thuhet se, “Tashmë kanë kaluar 20 vjet qëkurse revolucionet që në shumë vende të ish-Lindjes rrodhën në mënyrë paqësore, ndryshuan botën”. Fondacioni Konrad Adenauer, në kuadër të simpoziumeve të tij me temë, “20 vjet lëvizje për liri në Evropën Qendrore, Lindore e Juglindore -Kujtesë dhe vështrim drejt Evropës së re”, ka ftuar personalitete të cilët nëpërmjet guximit të tyre, aktivitetit dhe angazhimit politik, kontribuuan në mënyrë të spikatur që në kontinent të binte “Perdja e Hekurt”.
“Prof. Sali Berisha, thekson më poshtë njoftimi për shtyp i fondacionit politik që i bën jehonë ideologjisë kristiandemokrate e që vlerësohet si më prestigjiozi në Gjermani, i përket këtij grupimi njerëzish. Ishte fundi i vitit 1990, thuhet më tej aty, kur ai u bë bashkëthemeluesi i Partisë Demokratike, e cila rrëzoi regjimin komunist. Largimi i pasuesit të Hoxhës, Ramiz Alia, i dedikohet në një pjesë thelbësore edhe kontributit të tij personal. Në vitin 1992, Berisha u bë dhe presidenti i parë jokomunist i Shqipërisë”.
Programi do paraprihet nga përshëndetja e Michael Thielen, Sekretar i Përgjithshëm i Fondacionit Konrad-Adenauer. Në takim pritet të marrin pjesë edhe shumë të ftuar e figura politike të së djeshmes e së sotmes që kanë kontribuar në kauzën e sipër përmendur.
Kjo pjesëmarrje e kryeministrit shqiptar në Gjermani, pason vizitën e cilësuar shumë të suksesshme e historike të tij në Gjermani e takimet me kancelaren federale, Angela Merkel në vjeshtë të vitit që shkoi. Fondacioni Konrad Adenauer ka pasur në Tiranë edhe një takim të posaçëm me Dr. Berishën në muajin shtator 2009, ku u angazhua për më shumë kontribut dhe çeljen e një zyre të re përfaqësimi në kryeqytetin shqiptar për të vënë në jetë objektivat që i ka vënë vetes.
Qeveria Berisha dhe hapat e tij drejt marrëdhënieve të cilësuara të shkëlqyera mes dy vendeve, kanë bërë që ai të gëzojë vëmendje e respekt absolut, jo vetëm nga ekzekutivi e legjislativi gjerman, por edhe nga institucione të studimit e menaxhimit të ideologjive politike, siç është edhe Fondacioni Konrad Adenauer.