Shqipëri-Katar, marrëveshjet hapin rrugën e bashkëpunimit
GULF TIMES/ Mediat e Katarit jehonë vizitës së Kryeministrit shqiptar
E përditshmja e Katarit “Gulf Timez” i bën jehonë vizitës së kryeministrit Sali Berisha në Doha, duke e konsideruar këtë si një zhvillim mjaft pozitiv, për të forcuar më tej marrëdhëniet e forta midis dy vendeve.
Katari nënshkruan marrëveshjen për intensifikimin e marrëdhënieve me Shqipërinë
Emiri i Katarit Sheikh Hamd bin Khalifa al-Thani priti dje në një takim Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha në selinë e Emiratit.
Katari dhe Shqipëria ripërsëritën dëshirën për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, veçanërisht në sektorin ekonomik.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Sheikh Hamad bin Jassim bin Jabr al-Thani, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha tha se vendi i tij mund të marrë një kredi nga Katari për zhvillimin e infrastrukturës.
Kryeministri i Katarit u shpreh se vizita e homologut të tij shqiptar forcon më tej marrëdhëniet e forta midis dy vendeve.
Ai tha se të dy palët pranuan që Katari të dërgojë një delegacion në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.
Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se po zhvillon këtë vizitë në Katar me dëshirën e madhe për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke shtuar se biseda ,me Emirin Al-Thani dhe kryeministrin e Katarit ishin të frytshme.
“Unë jam i lumtur që vizita ime në Katar do të pasohet nga një vizitë e Emirit dhe Kryeministrit të Katarit në vendin tim”, tha kryeministri i Shqipërisë.
Më herët Shqipëria dhe Katari nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në sektorin teknik, ekonomik dhe tregtar. Marrëveshje të tjera pritet të nënshkruhen në Tiranë.
Kryeministri i Shqipërisë tha se vendi i tij do të hapë së shpejti një ambasadë në Doha, ndërsa ftoi biznesmenët e Katarit të investojnë në vendin e tij.
“Shumë kompani nga Katari po punojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe kanë bërë një progres të shpejtë”, tha ai. Kryeministri i Shqipërisë gjithashtu tha se vendi i tij mirëpret kompanitë e Katarit që operojnë në fushat e energjisë, shëndetit dhe arsimit.
Ai tha se Emiri dhe Kryeministri i Katarit shfaqën interes të madh për projektin e gazit të lëngshëm në Shqipëri , i cili është një projekt në të cilin investitorët e Katarit janë të mirëpritur.
Kryeministri i Shqipërisë tha se Katari dhe Shqipëria kanë rënë dakord të lehtësojnë regjimin e lëshimit të vizave për qytetarët e tyre.