E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nuk ka pasur vjedhje të ikonave nga fondi i muzeut"

Katër ditë pas arrestimeve për vjedhjen dhe trafikimin e veprave të artit të muzeut të Beratit, drejtori aktual i Muzeut Etnografik Kombëtar në Berat, Kastriot Dervishi, vazhdon të këmbëngulë se inventarët janë në rregull. "Të gjitha objektet që gjenden në eksponatet apo fondet tona janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kombëtare, madje ka disa vite që janë dixhitalizuar. Në muzeun kombëtar "Onufri" që nga krijimi i tij nuk është prekur asnjë ikonë apo objekt liturgjik. Ky muze është në gjendje mjaft të mirë dhe nuk ka asnjë problem dëmtimi me dhunë apo vjedhje", ka thënë dje Dervishi në një komunikatë për shtyp. Ndërkohë, për sa i përket 61 ikonave që i mungojnë fondit të trashëgimisë së Beratit, Dervishi ka pohuar se janë ekspozuar në disa shtete si në Gjermani dhe vetëm para një muaji në Kastelia-Bari, në Itali. Ai pohon se janë bërë dhe rikonstruksione të tyre kur kanë qenë në gjendje jo të mirë. Sipas Dervishit, këto ikona nuk kanë humbur, por ka qenë një urdhër ministror që i ka dërguar nëpër këto ekspozita për të prezantuar vlerat e Beratit si qytet i UNESCO-S. Ndërsa për sa u përket 16 ikonave të marra nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Korçës, Dervishi pohon se këto janë ekspozuar në këtë qytet nga një urdhër i Drejtorisë së Përgjithshme me qendër në Tiranë. "Ne kemi kërkuar që ikonat t‘i kthehen institucionit të muzeut "Onufri" dhe degës së Monumenteve të Kulturës Berat, por nuk kemi fuqinë për t‘i rimarrë ato me gjithë kërkesat e bëra", thotë Dervishi. Ai ka pranuar humbjen e ikonave në vitet 1997, por nuk deklaron numrin e saktë të tyre. "Jam në dijeni për djegien e një sërë dokumenteve gjatë këtij viti, por nuk jam informuar saktësisht për numrin, pasi nuk ekziston asgjë në lidhje me këto fakte", ka thënë ai. Ai është treguar i kujdesshëm në ndarjen e përgjegjësive kur ka deklaruar se drejtoria e tij ka nën mbikëqyrje vetëm ikonat e ekspozuara dhe mban përgjegjësi vetëm për to, ndërsa për arkivin e qindra të tjerave e ka përgjegjësinë dega e Monumenteve të Kulturës Berat.

Mi.Ha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›